Motivuese

Një studim që do t’ju lërë pa fjalë: “Po humbasim vërtet kaq shumë, duke u kapur pas gjërave pa vlerë?”

Një studim i bërë në Uashington i ka habitur të gjithë. Një violinist i famshëm organizoi një koncert të suksesshëm, ku biletat për çdo vend shkonin nga 100$ për vendet larg skenës dhe vinin duke u rritur për ata që kërkonin që ishin sa më afër violinistit dhe skenës. I njëjti violinist pranoi të merrte pjesë në një studim të kryer pranë stacionit të një treni. Me violinën e tij të shtrenjtë, ai ra dakord të performonte disa melodi për njerëzit që kalonin aty dhe do të shihte se sa lekë do të mblidhte. I veshur me rroba të vjetra, i lyer në fytyrë në mënyrë të tillë që askush të mos e njihte, ai doli pranë stacionit të trenit me violinën e tij të shtrenjtë dhe filloi të performonte në të njëjtën mënyrë, sikurse performoi në koncertin e tij të suksesshëm.

Në fund të ditës arriti të mblidhte vetëm 30$. Ai që arriti të mbushte sallën plot me çmimin minimal të biletës 100$, fitoi vetëm 30$ në rrugë. Paradoks i madh apo jo? Mos vallë ne nuk na duket e bukur, diçka që na paraqitet si jo e bukur nga jashtë? Mos vallë ne e humbasim aspektin e bukurisë, nëse diçka nuk na prezantohet me një format të caktuar, siç jemi mësuar përherë ta shohim në televizion, apo në revista, por që arti mbetet po ai?

Unë mendoj se të gjithë ne duhet t’i vlerësojmë gjërat e vogla në jetë, pasi një ditë mund të shohim pas dhe të kuptojmë se ato kanë qenë realisht gjëra të mëdha. Duhet të ndalemi ndonjëherë dhe të shohim përreth nesh. Kjo gjë nuk tregon se ne kemi pak ambicie, apo pak vullnet. Kjo gjë tregon se ne e duam veten mjaftueshëm dhe duam të jemi të rrethuar nga arti dhe e bukura, pasi kështu mendojmë se e meritojmë realisht të jemi.

E vërteta është se gjithçka dhe gjithkush ka bukuri përbrenda. Çdo gjë ka jetë dhe energji, por thjesht ndonjëherë ne nuk kemi sy për ta parë këtë gjë, apo nuk kemi veshë për ta dëgjuar. Por ne mund t’i kemi ato. Ne mund të përmirësohemi, nëse e dëshirojmë diçka të tillë, thjesht duke u treguar më të vëmendshëm. Ne duhet ta vëzhgojmë mirë realitetin, në vend që të jemi thjesht pjesëtarë të tij. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button