Histori

“Nuk je më aq i mirë sa ke qenë”. Letra e Clementine Churchill për bashkëshortin, Winston

Screen Shot 2015-08-11 at 17.08.51

27 qershor 1940

Eshtë e vështirë të imagjinosh stresin e përjetuar nga Winston Churchilli në qershor 1940, vetëm pak muaj pasi u zgjodh për herë të parë Kryeministër. Lufta e Dytë Botërore po fitonte ritëm dhe ishte gjatë këtij muaji, që Churchilli mbajti tre fjalime të paharrueshëm dhe frymëzues në Dhomën e Ulët, fjalime që i dhanë kurajë kombit në një kohë plot tension. Megjithatë, në prapaskenë, pesha mbi supet e tij vërehej dhe ndihej nga ata që kishte rrotull – aq shumë në fakt, saqë në 27 qershor, bashkëshortja e tij, Clementine, i shkruajti një letër, ku në thelb e këshillonte të qetësohej dhe të sillej mirë me stafin e tij.

10 Downing Street, Whitehall

27 qershor 1940

I Dashur,

Shpresoj se do të më falësh, nëse të them diçka që unë mendoj se duhet ta dish.

Një prej njerëzve në enturazhin tënd (një mik i devotshëm), erdhi tek unë dhe më tha se ekziston një rrezik që të ketë një pakënaqësi të përgjithshme kundrejt teje, nga kolegët dhe vartësit e tu, për shkak të sjelljes tënde të ashpër dhe sarkastike – Sekretaret e tua kanë rënë dakord që të sillen si çuna shkolle dhe “të pranojnë atë që u vjen”, dhe më pas të largohen duke ngritur supet.

Më lart, nëse sugjerohet një ide (të themi, në një konferencë) ti supozohet që bëhesh kaq përbuzës, saqë aktualisht, asnjë ide, e mirë apo e keqe, nuk do të parashtrohet. Mbeta e shastisur dhe e trishtuar, sepse në gjithë këta vite jam mësuar që të gjithë ata që kanë punuar me ty dhe nën ty, që të kanë dashur. Ua thashë këtë gjë dhe më thanë: “Nuk ka dyshim, është gjithë ai tension”.

I dashur Winston – më duhet të rrëfej që kam vënë re një përkeqësim në sjelljen tënde; dhe ti nuk je më aq i mirë sa ke qenë.

Ti ke në dorë të japësh urdhërat, dhe nëse ata nuk zbatohen – përveç se nga Mbreti, Kryepeshkopi i Canterburyt dhe Kryetari i Parlamentit – ti mund të largosh kë të duash. Kështu që, me këtë pushtet të jashtëzakonshëm, ti duhet të kombinosh qytetarinë, mirësinë dhe nëse është e mundur, qetësinë olimpike. Dikur ti thoje: “On ne règne sur les âmes que par le calme” (Ti mund të mbretërosh mbi zemrat e njerëzve, vetëm nëse ruan qetësinë). Nuk duroj dot që ata që i shërbejnë vendit dhe ty, mund të mos të të admirojnë dhe respektojnë. Pastaj, nuk do të arrish asnjëherë rezultatet më të mirë, me nerva dhe me vrazhdësi. Ato do të ushqejnë ose pakënaqësi, ose mentalitet skllevërish (duke mos llogaritur rebelimin në kohë lufte!)

Të lute, ta falësh Clemmie-n tënde të dashur dhe të përkushtuar.

E shkruajta këtë letër në Chequers të dielën që kaloi, e grisa, dhe ja ku e shkruajta prapë.

Perkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button