Uncategorized

Pakti midis Kinës dhe Rusisë për të sfiduar Perëndimin

Nga Pierre Haski

“Francë Inter”

Si thuhet“t`i kthesh nderin”në gjuhën ruse? Po në atë kineze? Kjo pyetje duhet t’i bëhet Vladimir Putinit dhe Xi Jinpingut. Protagonistë të marrëdhënieve të tensionuara, dhe pse jo haptazi konfliktuale me vendet perëndimore, numri një i Rusisë dhe homologu i tij kinez treguan më 15 dhjetor se kishin shumë interesa të përbashkëta.

Gjatë një takimi virtual mes të dyve, të transmetuar pjesërisht në televizion, të dy liderët shfaqën në skenën ndërkombëtare marrëdhënien e ngushtë midis tyre,pikërisht në momentin e tensioneve shumë të larta.

Secili i ofroi tjetrit “dhuratën” që i duhej:Putin e njoftoi “mikun e tij të dashur” Xi se do të udhëtojë drejt Pekinit për të qenë i pranishëm në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të planifikuar për në shkurtin e vitit të ardhshëm, për të cilat amerikanët kanë njoftuar tashmë një bojkot të plotë diplomatik.

Nga ana tjetër presidenti e mbështeti kërkesën e Moskës për “|garancitë e sigurisë” që ka kërkuar nga vendet perëndimore, teksa më shumë se 100 mijë ushtarë rusë janë grumbulluar në kufijtë e Ukrainës. Termi “garancitë e sigurisë” është një eufemizëm për njohjen e një sfere të ndikimit rus në rajon, që do të përfshinte edhe Ukrainën.

Aleancat ruso-kineze janë në çdo rast domethënëse. Pasi jemi duke folur për dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe për dy fuqi bërthamore, që kanë nevojë për njëra-tjetrën. Kina ka nevojë për hidrokarburet ruse, ndërsa Rusia do të donte të mbështetej tek Kina për të shfrytëzuar një kapacitet industrial, i cili nuk ka mundur të zhvillohet asnjëherë plotësisht.

Të dyja vendet ndajnë idenë se Perëndimi është në rënie

Pas sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë në vitin 2014 për shkak të pushtimit dhe aneksimit të Krimesë, Moska dhe Pekini më shumë se aleate (kjo fjalë nuk është përmendur në asnjë rast publikisht), janë bërë partnere gjithnjë e më të ngushta, me regjime politike diktatoriale shumë të përafërta midis tyre.

Sot, faktori kryesor që ushqen marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, është vullneti për të thyer hegjemoninë perëndimore në menaxhimin e botës. Kina dhe Rusia janë dy fuqi, të cilat  mund t’i quajmë me të drejtë “revizioniste”.

Kjo pasi të dyja këto vende bien dakord me idenë se Perëndimi është në rënie, se ai e ka humbur kohezionin dhe vullnetin e vet për të udhëhequr botën. Ndaj, sipas Moskës dhe Pekinit, mjafton të përshpejtohet kursi ku Perëndimi ka hyrë dhe do të ndryshojë edhe ekuilibri i forcave.

Dhe kjo është saktësisht ajo që po ndodh në Ukrainë. Ukraina është një provë e këtij ekuilibri midis fuqive. Sigurisht, nuk është hera e parë që Rusia grumbullon trupat e saj në kufi, dhe ashtu si në të kaluarën, perëndimorët po pyesin nëse Putin po luan bllofin apo jo.

Presidenti rus i teston vazhdimisht reagimet e Perëndimit, dhe më 15 dhjetor, gjatë një kontakti diplomatik me amerikanët, ai ka hedhur në tryezë kërkesën e tij për “garanci sigurie”.Po më 15 dhjetor në Bruksel u mbajt samiti evropian, në të cilin tema kryesore ishte problemi në Ukrainë.

Presidenti francez Emanuel Makron dhe kancelari i ri gjerman Olaf Sholc u takuan me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski. Perëndimorët nuk janë ende të gatshëm t’i japin Zelenskit atë që ai kërkon, pra anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Por nga ana tjetër ata nuk duan t’i ofrojnë Putinit shansin që të vendosë veton e përhershme ndaj kandidaturës së Kievit për në strukturat euro-atlantike. Pikërisht rreth këtij mekanizmi, në portat e Bashkimit Evropian, luhet loja e botës të së nesërmes, me Putin dhe Xi në rolin e sfidantëve agresivë.

Back to top button