Analiza

Parashikimi gjeopolitik: Ç’duhet të presim nga 2018-a, në të katër cepat e botës

Pas turbulencave dhe tensioneve të 12 muajve të fundit, 2018 mund të jetë viti që mund të shkundë gjithçka: negociatat për Brexit mund të prodhojnë një plan real, status quo-ja në Korenë e Veriut mund të marrë fund, dhe zgjedhjet lokale nga India në SHBA, mund të ofrojnë referendume për udhëheqësit kombëtarë kontroversë. Rajon pas rajoni, ja ç’mund të presim nga viti që po vjen:

AMERIKAT: PERHAPJA E EFEKTIT TRUMP

Kanadaja në rritje. Ndërkohë që SHBA-ja ballafaqohet me një udhëheqës izolacionist, shumë jopopullor, Kanadaja bën në kontrast të fortë. Në nivelet 3%, rritja e GDP parashikohet të tejkalojë vendet e tjera të zhvilluara. Kryeministri Justin Trudeau ka premtuar një axhendë të vitit 2018 për barazinë gjinore, bashkëpunimin mbi ndryshimet klimatike dhe një fokus mbi paqen globale. Ka tashmë shenja të një “ikje të trurit” në fushën e teknologjisë nga SHBA-ja, dhe investitorët parashikojnë një bum të kompanive teknologjike në Toronto.

Fundi i NAFTA-s? Negociatat për të ribërë marrëveshjen e tregtisë mes SHBA, Meksikës dhe Kanadasë do të marrin vrull vitin që vjen. Qëllimi është që të ketë një marrëveshje nga pranvera, para zgjedhjeve në Meksikë dhe SHBA. Por është e vështirë të shihet se si të tre vendet mund të zgjidhin dallimet ideologjike mbi atë që duhet të arrijë një NAFTA e re. Administrata e Trump ka si përparësi reduktimin e deficitit tregtar të SHBA, ndërsa Kanadaja dhe Meksika besojnë se tregtia e lirë duhet të mbetet përparësia kryesore.

Kriza ekzistenciale e Amerikës vazhdon. Nëse ky vit u duk i rrëmujshëm për amerikanët, pritni të shihni vitin 2018. Me një seri sprapjesh në fushën rregullatore dhe emërime jo të zakonshme qeveritare në 2017, administrata e re ka krijuar terrenin për sulme ndaj të drejtave të grave dhe pakicave, mjedisit dhe sundimit të ligjit. Ndërkohë, një hetim i FBI-së për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale do të hetojë më thellë në Shtëpinë e Bardhë, duke nxitur ndoshta politika dhe postime më kaotike në Tuiter.

Efekti Trump në Meksikë. Reagimi ndaj retorikës së presidentit Trump për meksikanët mund të sjellë zgjedhjen e një populisti të majtë në presidencë vitin e ardhshëm. Andrés Manuel López Obrado është përpara kandidatëve të tjerë në sondazhet e fundit. Nëse ai fiton zgjedhjet e korrikut, me siguri do të jetë më sfidues ndaj pozicioneve të SHBA mbi imigrimin dhe trafikun e drogës, se sa paraardhësi i tij. Kjo mund të shtojë tensionet mes dy fqinjëve.

Rikthimi i Chavizmit.

Në fillim të këtij viti, presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dukej në prag të rënies, mes mangësive në ushqime dhe demonstratave masive në rrugë. Tani, pasardhësi i Hugo Chavez duket i gatshëm të mbajë pushtetin e tij për disa vite të tjera. Në 2017, Maduro mënjanoi kundërshtarët politikë duke zëvendësuar Asamblenë Kombëtare me një Asamble të re Kushtetuese, të kontrolluar nga mbështetësit e tij. Ai pritet të kandidojë për president në 2018 dhe tashmë ka ndaluar disa parti opozitare nga garimi. Nëse ky proces zgjedhor do të jetë si zgjedhjet e fundit lokale, ai do të fitojë.

EUROPE: UDHEHEQESIT E HERSHEM DO TE MBAHEN PAS PUSHTETIT

Shkundja politike në Rusi. Rezultati i garës presidenciale në Rusi, në mars, nuk është në dyshim. Vladimir Putin do të vazhdojë edhe gjashtë vjet në presidencë. Por ka shumë gjëra për të parë: Sa mbështetje do të marrë Ksenia Sobchak – nominalisht një kandidate e opozitës, por që mendohet të jetë një kukull e Kremlinit? A do të arrijë aktivisti Alexey Navalny të ringjallë protesta anti-qeveritare? Dhe ndoshta më e rëndësishmja, kush do të jetë kryeministri i Putinit? Marrja e një lojtari serioz pushteti do të sugjeronte që Putini teston pasardhësin e tij të mundshëm; qëndrimi i Dmitry Medvedevit mund të nënkuptojë se ai nuk mund të vendosë; dhe një ekonomist serioz mund të sinjalizojë planin e Putinit për të rikthyer në formë qeverisjen e zvogëluar të Rusisë. Natyrisht, zgjedhja e një askushi do të thotë se ai po zgjedh një besnik – ashtu siç bëri Jelcini me Putinin

Gjermania del nga qorrsokaku politik. Ekonomia më e fuqishme e Evropës pritet të fillojë vitin në një formë të mirë, me papunësi me rekord të ulët. Ajo gjithashtu hyn në 2018 me një qeveri kujdestare dhe një Angela Merkel të dobësuar. Për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme dhe për të filluar mandatin e saj të katërt, Merkel do të duhet të krijojë një koalicion ndërpartiak në janar dhe socialdemokratët ka gjasa të kërkojnë rritje të investimeve vendase. Duke parë përtej kufijve të Gjermanisë, Merkel ka thënë se është plotësisht e angazhuar të shtyjë përpara me reformat “ambicioze” të BE.

Rritje e tensioneve mes Spanjës dhe Katalunjës. Katalunja autonome ka një histori të gjatë përpjekjesh për t’u larguar nga Spanja, por kriza e këtij viti tregon se nuk ka gjasa të shkëputet plotësisht. Pas shkarkimit të qeverisë katalanase dhe vendosjes së sundimit të drejtpërdrejtë këtë vit, qeveria qendrore e Spanjës do t’i lejojë rajonit të votojë për një qeveri të re në vitin 2018. Tensionet do të ngrejnë pyetje të mëdha rreth trajtimit që Spanja i bën rajonit dhe më gjerë, në lidhje me reagimin e BE-së ndaj këtyre çështjeve lokale plot tension.

Realiteti i Brexit. Mbetet edhe pak më shumë se një vit, për të zgjidhur  pjesët më komplekse të largimit të Britanisë nga BE-ja: tregtia, shërbimet financiare, imigracioni dhe siguria. Londra tashmë ka humbur kohë dhe ka bërë hapat e gabuar në përpjekjen e saj për t’u ndarë nga blloku, kështu që nuk ka gjasa që një Brexit i vërtetë të ndodhë deri në afatin përfundimtar, të marsit 2019. Në vend të kësaj, ndoshta do të shohim një periudhë tranzicioni, edhe pse asnjëra palë nuk mund të pajtohet me gjatësinë e tij. BE gjithashtu po përgatit një marrëveshje tregtie të lirë, të ngjashme me atë të Kanadasë.

AFRIKA: PREMTIMET PER NDRYSHIM

Franca shton angazhimin në Afrikë. Tërheqja e Amerikës nga skena diplomatike botërore në vitin 2017 lejoi shumë aktorë të tjerë që të provonin të dilnin në qendër të vëmendjes, duke përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron. Që nga zgjedhja e tij në maj, Macron ka vizituar katër herë Afrikën, duke premtuar ndryshime dhe duke premtuar të ndërtojë inovacion, në vend të ndihmës për zhvillim. Në vitin 2018, me ndihmën e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Macron premtoi të ndihmojë në luftimin e grupeve të armatosura në rajonin Sahel, të evakuojë emigrantët afrikanë nga Libia dhe të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore.

Rritet presioni për fushatat. Sudani i Jugut, Egjipti dhe Zimbabveja janë disa prej vendeve që do të zhvillojnë zgjedhje presidenciale në vitin 2018. Fushata në dy nga ekonomitë më të mëdha të Afrikës, Afrikën e Jugut dhe Nigeri, janë vetëm fillimi: Presidenti Muhammad Buhari i Nigerisë, i cili ka qenë i sëmurë dhe jo në detyrë prej muajsh, do të përgatitet për rizgjedhje në shkurt 2019. Dhe pas vonesave të përsëritura, Republika Demokratike e Kongos do të mbajë zgjedhje në dhjetor 2018. Pyetja e madhe: Pas 16 vjetësh në pushtet, presidenti Joseph Kabila, a do të bjerë dakord të largohet?

AZIA: TENSIONET E VITIT QE KALOI SHNDERROHEN NE AKSION PLOT TELASHE

Diçka duhet të ndodhë në Korenë e Veriut. Nuk është kurrë e lehtë të bëhen parashikime për Korenë e Veriut. Por 2018 duket sikur do jetë viti kur status quo-ja merr fund – në një mënyrë ose në një tjetër. Negociatat diplomatike mund të kenë një shans tjetër, administrata Trump mund të nisë një sulm parandalues, ose ndoshta bota do të dorëzohet para një Koreje të Veriut bërthamore.

Tajvani mund të tërheqë vëmendje të padëshiruar. Kongresi amerikan sapo ka miratuar Aktin e Autorizimit Kombëtar të Mbrojtjes, i cili autorizon vizita të ndërsjella nga anijet e marinës midis Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara në vitin 2018. Kina ka paralajmëruar se do të pushtonte Tajvanin nëse anijet luftarake të SHBA-ve do të bënin vizita portuale atje dhe po zhvillon patrullime përreth Tajvanit në javët e fundit. Duke qenë se Pekini gjithashtu dyshon se presidenti i Tajvanit Tsai Ing-ven dëshiron të shpallë zyrtarisht pavarësinë, shtimi i forcave ushtarake të saj në Detin e Kinës Jugore ka gjasa të nxisë nevojën e pushtimit të Tajvanit.

Endrra globaliste e Kinës. Në mars, udhëheqësi i gjithëpushtetshëm i Kinës Xi Jinping pritet të ngarkojë një skuadër të re udhëheqëse në poste kyçe, dhe ta shndërrojë vizionin e tij për Kinën në një plan real, në takimin e përvitshëm “Dy Seanca”. Vitin që vjen, Xi do të vazhdojë të synojë lidershipin e globalizimit, pavarësisht se vendet shohin me sy dyshues shtimin e influencës së Kinës. Korea e Veriut, Taivani dhe Deti i Kinës së Jugut do të mbetet në krye të agjendës së Pekinit, ashtu si dhe marrëdhënia e saj dashuri-urrejtje me Trumpin, i cili kohët e fundit e shpalli Kinën një “fuqi rivale”.

INDIA: ZGJEDHJE, ZGJEDHJE, ZGJEDHJE

India përgatitet për 2019.  Viti i ardhshëm do të shohë një seri zgjedhjesh lokale në prag të zgjedhjeve të mëdha: zgjedhjet e përgjithshme të Indisë në vitin 2019. Këto sondazhe të hershme do të shihen si një referendum mbi kryeministrin Narendra Modi dhe performancën e tij deri më tani. Pavarësisht nga premtimet e tij, ekonomia e tretë më e madhe e Azisë nuk po ecën me forcë të plotë. Viti gjithashtu do të jetë vendimtar për Kongresin kombëtar indian të opozitës.

Zgjedhjet e Përgjithshme në Pakistan. Partia e kryeministrit të rrëzuar Navaz Sharif do të konkurrojë me djalin e Benazir Bhuttos, Bilaval, dhe ish lojtarin e cricket-it, Imran Khan përpara shtatorit. Zgjedhjet në vend nuk janë vetëm për politikanët, votuesit dhe kutitë e votimit. Ushtria e fuqishme e Pakistanit dhe gjeneralët e saj, që dikur kishin prirje për grushte shteti, do të shohin me kujdes. Po kështu do të bëjnë edhe fqinjët, Afganistani dhe India, dy vende që aktualisht përballen me grupe terroriste, që dikur përkraheshin nga Islamabadi. / Burimi: Quartz – Përgatiti: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button