Analiza

Perëndimi është në një pozicion shumë të dobët

JUDY DEMPSEY

Në vitet 1990, MiIloshevici dhe forcat e tij serbe fituan terren dhe kohë sepse europianët nuk ishin të gatshëm të përdornin forcën deri kur ishte shumë vonë. Tani, Putini dhe separatistët e tij mund të ecin mbi të njëjtin supozim. Ata mund të bëjnë fakte të kryer në terren dhe të supozojnë se Perëndimi nuk do të ndërhyjë, apo nuk do të armatosë Ukrainën

Screen Shot 2015-02-06 at 22.52.16

Europa ka një luftë tek pragu i derës. Lufta është vetëm tre orë me avion larg prej vendit ku qindra udhëheqës, ekspertë të sigurisë, dhe krerë të departamenteve të mbrojtjes do të mblidhen në 6 shkurt për KOnferencën e përvitshme të Sigurisë në Mynih.
Që kur dhuna në Ukrainën lindore pësoi një përshkallëzim në janar, mijëra civilë janë mbërthyer në luftimet mes separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe ushtarëve ukrainas. Civilët kanë shumë pak ushqime, energji elektrike, ujë apo strehë. Kur përpiqen të largohen në fshatrat apo qytetet fqinjë, siguria nuk është aspak e garantuar.
Dërgimi atje i ndihmave humanitare është tejet i vështirë. Mjetet e forcës së butë të Bashkimit Europian, që përfshijnë asistencën civile, diplomacinë dhe sanksionet kanë qenë deri sot të papërfilshme për forcën e Rusisë, e cila po mbështjell shumë pjesë të Ukrainës lindore. Kjo mospërputhje nxjerr në pah mungesën e drejtimit strategjik të Perëndimit, gjë që ka pasoja të mëdha për sigurinë globale.
Kriza e Ukrainës, e cila do të jetë një prej temave kryesore në Konferencën e Mynihut, pothuajse të kujton luftërat e Jugosllavisë në vitet 1990.
Atëherë, Perëndimi nuk veproi ndërkohë që Jugosllavia zhytej në një luftë civile të përgjakshme. Kjo shtyrje në kohë inkurajoi presidentin serb, Sllobodan MIloshevic dhe forcat e tij që të shfrytëzonin një dobësi të tillë duke bërë kërdinë në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Fushata e bombardimeve e NATO-s kundër pozicioneve serbe i dha fund luftës në vitin 1999. Ishte ajo fushatë, dhe jo sanksionet, që e mundën Serbinë.
Kur vjen fjala tek Ukraina, perëndimi ka mësuar shumë pak prej luftërave të Jugosllavisë. Për shumë arsye të ndryshme, europianët dhe amerikanët hezitojnë të përdorin forcën për të ndalur Rusinë në përpjekjet e saj për të shpërbërë Ukrainën.
Edhe në nivelin më themelor, si për shembull ofrimin e sigurinë dhe mbrojtjes për civilët, mosveprimi nga ana e qeverive europiane dhe SHBA ka qenë i turpshëm. Me sa duket, kaq e pat dhe Përgjegjësia për të Mbrojtur, mantra e përdorur dhe dëgjuar kaq shpesh përpara fushatës katastrofike të NATO-s në Libi në vitin 2012. Përgjegjësia për të Mbrojtur është zhdukur nga leksiku i diplomacisë, i vlerave dhe i realpolitikës.
E njëjta gjë mund të thuhet për ata miliona që i janë larguar luftës në Siri, apo që po largohen prej Shtetit Islamik në Irak. Vendeve fqinjë, sidomos Turqisë, Libanit dhe Jordanisë, u është dashur që të mbajnë barrën e flukseve të mëdhenj të refugjatëve. Ndërkohë, lëvizjet populiste dhe anti-imigrante që jetojnë në zonën e rehatisë në Europë protestojnë kundër hapjes së dyerve për ata që kanë nevojë për mbrojtje.
Mungesa e sigurisë për civilët në Ukrainën lindore apo në Lindjen e Mesme nxjerr zbuluar angazhimin e dyshimtë të Europës ndaj vlerave të saj, si dhe mungesën e gatishmërisë për t’i mbrojtur këto vlera. Ato kanë të bëjnë me vlerat themelore të njeriut, duke përfshirë edhe të drejtën për sigurinë.
Hezitimi i europianëve dhe amerikanëve për të mbrojtur këto vlera ka pasoja morale dhe politike për perëndimin. Nëse udhëheqësit europianë dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë nuk mund të ofrojnë as edhe një minimum sigurie në zonat e konfliktit, atëherë shpresa e tyre për të ndërtuar një arkitekturë të re sigurie me Rusinë është e gabuar, për të thënë më të paktën.
Eshtë e gabuar sepse cilado arkitekturë e tillë që udhëheqësit perëndimorë duan të ndërtojnë me Rusinë – dhe që do të debatohet në Mynih – duhet të nisë nga parakushti i vlerave, dhe jo i realpolitikës.
Realpolitika nuk ka sjellë rezultate pozitivë. Roli i Rusisë në konfliktin sirian dhe mbështetja e vazhdueshme e presidentit Putin për presidentin sirian, Bashar al Assad është një rast për t’u vënë në dukje. Duke lënë mënjanë realpolitikën, Putini ka vënë në dyshim edhe vlerat e perëndimit – sikur të drejtat njerëzore dhe civile të mos ishin universale.
Megjithatë, perëndimi është tashmë në një pozicion shumë të dobët për të mbrojtur vlerat e tij, e pranojnë apo jo pjesëmarrësit në Konferencën e Mynihut.
Lufta në Ukrainë dhe ngjitja e Shtetit Islamik kanë ekspozuar jo vetëm këto dobësi. Në fakt, këta kërcënime kanë nxjerrë zbuluar edhe limitet e realpolitikës dhe interesave, sic e di shumë mirë kancelarja gjermane, Angela Merkel. Prej shumë muajsh, ajo ka qenë në pararojë të përpjekjeve për të bindur Putinin që të ndalë mbështetjen për separatistët prorusë. Këmbëngulja e saj e admirueshme si dhe vëmendja ndaj detajeve nuk kanë mjaftuar për t’i dhënë fund një konflikti i cili po i radikalizon të dy palët.
Edhe nëse diplomacia ka dështuar deri tani, Merkeli, e palëkundur, ka udhëtuar në Kiev dhe Moskë për të paraqitur propozime të rinj për paqen. Por ajo nuk do të ndjekë opsionin e forcës në Ukrainë. Kjo jo vetëm sepse publiku gjerman do ta kundërshtonte, por edhe sepse Merkeli nuk beson në zgjidhjen ushtarake.
Në vitet 1990, MiIloshevici dhe forcat e tij serbe fituan terren dhe kohë sepse europianët nuk ishin të gatshëm të përdornin forcën deri kur ishte shumë vonë. Tani, Putini dhe separatistët e tij mund të ecin mbi të njëjtin supozim. Ata mund të bëjnë fakte të kryer në terren dhe të supozojnë se Perëndimi nuk do të ndërhyjë, apo nuk do të armatosë Ukrainën.
Publiku gjerman nuk ka patur shqetësim kur armatoseshin luftëtarët kurdë që luftojnë kundër Shtetit Islamik në Irakun e veriut, apo trainimin e luftëtarëve kurdë peshmerga. “Ne kemi shansin të ndihmojmë për të shpëtuar jetë dhe të parandalojmë vrasjet në masë”, tha Merkeli në një deklaratë para Bundestagut gjerman në shtator 2014. “Duhet të shfrytëzojmë këtë shans”.
Brutaliteti i Shtetit Islamik ka tronditur publikun në Europë, në SHBA dhe në Lindjen e Mesme, gjë që shpjegon përse Merkeli ishte në gjendje të fitonte mbështetjen e publikut për armatimin dhe trainimin e Peshmergave. Në atë rast, Berlini ia doli të kombinonte vlerat (mbrojtje e të pambrojturve) me interesat (furnizo me armë, por mos u fut në luftime).
Por më pranë shtëpisë, ka një luftë në lindje të Europës e cila po bëhet gjithmonë e më brutale. Do të duhet një mjedis sigurie shumë i ndryshëm mes Rusisë dhe Perëndimit për t’i dhënë fund asaj lufte si dhe për të rikthyer stabilitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Cdo gjë më pak se kaq do i bënte një dëm të pallogaritshëm Perëndimit. /Carnegie Endowment Europe/
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button