Your Life

Përse na volit që të jemi optimistë?

Screen Shot 2015-11-13 at 21.05.16

Kërkime dhe studime shkencore thonë që disa sjellje të thjeshta munden të na ndihmojnë të jemi më shumë optimistë. Mbi të gjitha, bën mirë për shëndetin

SA MË SHUMË BËN, AQ MË SHUMË JE OPTIMIST. Psikologu Rich Ualker, pasi ka analizuar 30.000 kujtime ngjarjesh dhe më shumë se 500 ditare me një kohëzgjatje të ndryshme, brenda 3 muajsh dhe 4 vitesh, është bindur që njerëzit që angazhohen në një shumëllojshmëri eksperiencash, kanë më të ngjarë t’i ruajnë emocionet pozitive dhe të minimizojnë ato negative.

Një tjetër psikologe, Barbara Fredrickson, ka publikuar një kërkim që thotë se, raporti optimal i emocioneve pozitive mbi ato negative tek njeriu duhet të jetë të paktën 3 me 1. Do të ishte kjo formula e një jete të qetë dhe optimiste. Ualker nga ana e tij, ka vëzhguar që, nëse raporti pozitiv/ negativ është 1 me 1, atëherë është më e lehtë të futesh në shqetësime të humorit, madje edhe serioze: dhurimi i gëzimeve të vogla të jetës së përditshme mund të ishte pjesë e kurës.

SA MË SHUMË RRËFEHESH, AQ MË PAK JE PESIMIST Gjithmonë psikologu Rich Ualker, në një eksperiment laboratori (të kontrolluar), do të zbulonte që t’u hapesh të tjerëve të bën më optimist. Motivi është i thjeshtë: njerëzit priren të theksojnë emocionet pozitive dhe të pakësojnë ato negative, kur tregojnë një histori, pasi kujtesa priret të ruajë të parat dhe të çlirohet nga kujtimet negative. Dhe rrëfimi i historisë shumë herë, ndaj personave të ndryshëm, do të përmirësonte këtë proces ndërtimi të kujtimeve pozitive.

SPORT KUNDËR STRESIT (DHE PESIMIZMIT) Kërkuesit e Universitetit të Bristolit kanë zbuluar që praktikimi i aktivitetit fizik, para se të shkohet në punë, ose në pushimin e drekës, do t’i bënte ata që punojnë më të fortë në përballimin e gjithë stresit të ditës. Por, edhe më prodhimtarë dhe të lumtur. Jo Coulson, kërkues i Asociuar pranë Departamentit të Ushqimit dhe Shkencave të Shëndetit të Universitetit të Bristolit shpjegon: “Në ditët e stërvitjes, humori i përgjithshëm i njerëzve përmirësohet dhe kanë edhe një ndjesi të madhe qetësie”. Por ka edhe një arsye fizike: Të bësh sport do të thotë të prodhosh më shumë feniletilamina, substancë e ngjashme me amfetaminën, përgjegjëse për mirëqënien pothuajse euforike, që ndjek sforcimet fizike intensive dhe të zgjatura.

NËSE JE ALTRUIST JETON MË MIRË (DHE MË I LUMTUR) Një studim i Universitetit të Kalifornisë (në Berkeley) sugjeron që harxhimi i parave për të tjerët na siguron ne lumturi më të madhe sesa shpenzimi për vete. Që bujaria kundrejt të afërmit shpërblen, e thotë edhe Sonja Lyubomirsky, psikologe eksperimentale pranë Kampusit të Universitetit të Riverside. T’ia mbash portën hapur dikujt, të tregohesh i disponueshëm me një person të moshuar, ose t’i bësh komplimenta një kolegu, me pak fjalë akte të vogla dhe të mëdha të mirësjelljes e bëjnë personin që i kryen, më të lumtur. Akoma më shumë nëse pasojnë njëra tjetrën në një distancë të shkurtër, sesa kur janë sporadike. Pjesërisht varet edhe nga shpërblimet shoqërore: njerëzit që i përgjigjen pozitivisht bujarisë tonë, na bëjnë të lumtur.

SI BËHESH OPTIMIST? Optimizmi është një aftësi e fituar dhe ka një shumëllojshmëri mënyrash për ta fituar, sipas psikologes Mary Ann Troiani, autore e librit Optimizëm Spontan. Troiani ka vënë theksin në tre “truke”, për të përmirësuar ndjesinë e optimizmit.

1. Mbajtjen drejt të trupit: duke mbajtur një pozicion të trupit të drejtë dhe duke ecur me hapa të mëdha dhe me shpejtësi, me shpatullat pas dhe kokën lart. “Njerëzit që ecin ngadalë me hapa të vogla dhe kokën poshtë priren të jenë më pesimistë”, thotë ajo.

2. Ndryshimi i tonit të zërit, në mënyrë që të jetë i gëzuar dhe energjik.

3. Përdorimi i fjalëve optimiste ose më shumë pozitive, si sfidë sesa si problem, ose të mendojë për shanse, më shumë sesa për humbje. “Mendime dhe sjellje pozitive kanë një ndikim pozitiv në biokiminë e trurit”, dhe sipas Troianit mjaftojnë 4/6 javë për të ndryshuar zakonet.

TRUKET E TJERA PËR T’U BËRË OPTIMISTE Por ka mundësi të tjera për t’u bërë optimistë: mjafton të çmontosh mendimet pesimiste. Faqja e internetit e Universitetit te Rochesterit paralajmëron që nuk është e lehtë, dhe ofron disa sugjerime:

1. Ndaloni së bëri ballafaqime dhe së garuari me tjetrin: secili ka talente unike dhe speciale.

2. Kërkoni të mirën në çdo situatë, edhe kur duket e vështirë.

3. Përballë një sfide përqëndrohuni mbi rezultatin, dhe mos ndaloni kur rrezikoni të dështoni.

4. Eksploroni bindjet e duhura mbi kuptimin e jetës (në terma filozofike ose fetare).

5. Sforcohuni të ruani shëndetin fizik përmes ushtrimeve fizike, higjenës, dietës së shëndetshme dhe zakoneve të mira.

6. Sfidoni mendjen tuaj çdo ditë për të mësuar diçka të re, duke përfshirë të mësuarin rreth nesh dhe historisë të familjes tonë.

OPTIMISTËT JANË MË TË SHËNDETSHËM Kërkuesit e Universitetit të Rochesterit kanë egzaminuar rezultatet e mbi 80 studimeve në temën e optimizmit, për të gjetur rezultate të ngjashme dhe kanë zbuluar që, siç ishte e parashikueshme, optimizmi ka një ndikim të shquar mbi shëndetin fizik. Studimi ka egzaminuar jetëgjatësinë e përgjithshme, mbijetesën ndaj një sëmundjeje, shëndetin e zemrës, sistemin imunitar, lindjen, tolerimin ndaj dhimbjes, dhe të tjera argumenta të shëndetit. Duket se ata që kishin një vizion më optimist, kishin rezultate më të mira në krahasim me pesimistët. Kërkuesit kanë vëzhguar edhe që optimizmi duket të ketë përfitime të bollshme për njerëzit, pavarësisht nga faktorë demografikë, të tillë si niveli i të ardhurave, ose shëndeti i përgjithshëm. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button