AnalizaSport

A do përsëritet drama e Brazilit?

There is nothing to show here!
Slider with alias marakanaco not found.

 

64 vite më parë…
Brazili si sot, ishte vendi ku luhej Kampionati Botëror dhe ekipi i tij përfaqëaues ishte favoriti i padiskutueshëm për fitoren e titullit …
Por ndeshja finale do të ofronte atë që njihet si një nga dramat më të mëdhaja në historinë e futbollit botëror.

16 Korrik 1950, pak momente para fillimit të ndeshjes, uruguaiani Alcides Ghiggia, ecte në fushën e Stadiumit Marakana të Rio de Zhaneiros, përballë 200.000 fansave brazilianë të ekzaltuar.

“Ishte një atmosferë fantastike. Tifozat brazilianë festonin dhe kërcenin nga gëzimi sikur tashmë ta kishin fituar trofeun e Kupës së Botës,” thotë ai.

Brazili ishte aq i sigurtë në fitmin e titullit saqë një bandë muzikore samba qëndronte në anë të fushës, gati për të ekzekutuar këngën e re të quajtur “Brazili – Fitimtarët”. Gazetat lokale kishin shtypur prej kohësh edicione speciale që shpallnin vendalinjtë “Kampionë të Botës”.

“Të gjithë pa përjashtim po thonin që ata do të na coptonin tre ose katër me zero. Unë bëra çmos te mos shikoja turrmën marramendëse por vetëm të fokusohesha te ndeshja,” kujton Ghiggia.

Për Brazilin, fitimi i titullit ishte një prioritet kombëtar absolut. Qeveria shpresonte që futbolli do të mund të bashkonte vendin e përçarë dhe të ndërtonte imazhin e një fuqie të re ndërkombëtare.

Në qendër të kësaj strategjie Brazili ndërtoi Markanën, një stadium gjigand i konceptuar për të qënë si më i madhi stadium në botë për të gjitha kohërat.

Rreth një të dhjetat e popullsisë të Rio de Zhaneiros mbipopulloi shkallët e stadiumit për ndeshjen finale, midis tyre edhe 11 vjeçari në atë kohë, Joao Luiz de Albuquerque.

Brazili kishte shënuar 13 gola në dy ndeshjet e fundit, kështu që si edhe çdo brazilian tjetër në atë stadium, Albuquerque besonte që të hiqje qafe Uruguain nuk ishte veçse një formalitet i thjeshtë.

“Asnjëri nuk kishte emocione apo të ishte ndopak nervoz. Të gjithë më thonin ne do fitojmë – familjarët e mi, miqtë, madje edhe shitësi i qumështit,” tregon ai.

Menjëherë pasi fusha u pastrua nga një “shi” karamelesh të hedhura në të nga tifozët e panumërt, Brazilianët imponuan lojën e tyre duke krijuar një mori rastesh në 45 minutat e para. Do të duheshin vetëm dy minuta nga pjesa e dytë, dhe ata kaluan në avantazh 1-0 dhe Albuquerque së bashku me prindërit e tij filluat festimet, të bindur tashmë që festimet filluan.

“Dyqindmijë njerëz në Marakana i thonin njëherazi njëri-tjetrit, ‘POOO, ja ku është… A s’të thashë?'” tregon ai.

Por, në mënyrë krejt paradoksale dhe të paimagjinueshme, ky gol i brazilianëve e ktheu ndeshjen në favor të “të dobtëve”.

“Kapiteni ynë tha, ‘Djema, ne patjetër që duhet ti shkojmë deri në fund,’ dhe kështu ne filluam të sulmojmë, e sulmojmë, e sulmojmë,” tregon Ghiggia.

Gradualisht, Ghiggia filloi t’ja dilte të sfidonte me sukses markuesin e tij brazilian, dhe kështu në minutën e 66, ai realizoi një kros i cili u kthye në gol nga Juan Alberto Schiaffino duke barazuar kështu rezultatin.

Dhe kur kishin ngelur edhe 11 minuta, ai sërish morri topin dhe u sul drejt portierit brazilian, Moacir Barbosa.

I pasigurtë mbi çka synonte Ghiggia, Barbosa hezitoi, duke lënë kështu një boshllëk midis vetes dhe shtyllës më të afërt.

“Unë pata vetëm një fraksion sekonde për të vendosur se ç’duhej të bëja. Godita topin, dhe ai shkoi ngjitur me shtyllën… Ishte goli më i bukur që unë kisha shënuar ndojëherë,” tregon Ghiggia.

Por, në të njëjtën kohë që po festonte, Ghiggia vuri re që stadiumin gjigand pllakosi një heshtje varri.

“Vetëm tre njerëz kanë mundur të heshtin Markanën – Frank Sinatra, Papa dhe  unë,” thotë ai.

Albuquerque ishte midis Brazilianëve të shokuar. “Ishte njësoj sikur të shkoje në shtëpinë e një miku të cilit i kishte vdekur nëna. Ai ishte momenti që ne të gjithë duhej të mbështesnim ekipin tonë, por në fakt që të gjithë ne ndenjtëm të heshtur,” kujton ai.

Atmosfera funerale që u krijua zhduku si me magji vullnetin e braizilianëve, të cilët dështuan të vinin Uruguain nën presion në minutat e mbetura të ndeshjes.

Me dëgjimin e fërshëllimës finale, shumë brazilianë filluan të qanin të dëshpëruar, ndërkohë qe Albuquerque ishte shtangur komplet. “Unë mbaj mend që ne nuk lëvizëm për 10 – 15 minuta. As nuk e mbaj mend fare kur në fushë doli trofeu i kupës, madje asnjë gjë. Unë veçse mendoja që fatkeqësia më e madhe në botë, sapo më kishte ndodhur,” thotë ai.

Edhe në fushë ndërkohe kishte lotë. Ndërkohë që lojtarët brazilianë qanin me dëshpërim, ata uruguaianë përjetonin emocione të përziera gëzimi dhe mosbesimi ndërkohë që bënin xhiron e nderit rreth e rrotull stadiumit.

“Ne u çmendëm nga gëzimi. Mbaj mend që ndjenim vërtetë njëfarë keqardhje kur shikonim nga shkallët e stadiumit, por unë jam një uruguaian dhe të fitosh Kupën e Botës ishte kulmi i karrierës time, ,” tregon Ghiggia.

Pas humbjes, shumica e bareve dhe restoranteve në Rio de Janeiro u mbyllën pavarësisht karnavaleve që koinçidonin në të njëjtën periudhë. Gazetat ndryshuan menjëhere titujt kryesore për të treguar atë që gazeta kryesore O Mundo Sportivo e titulloi si “Dramë, Tragjedi dhe Farsë”.

Kjo ndeshje tashmë njihet me emrin Maracanazo, që mund të përkthehet si “Goditja e rëndë” e Marakanas, dhe që do t’ju fanitet brazilianëve për dekada të tëra. Legjenda braziliane e futbollit Pele, i cili e ndoqi këtë ndeshje në shtëpi nga radioja, gjithnjë kujton që ishte hera e parë që shihte të atin të qante.

“Futbolli supozohej të ishte shprehja e brazilianizmit të vërtetë,” thotë Alex Bellos, autor i Futebol: Mënyra e Jetës Braziliane. “Humbja përforcoi idenë qe brazilianët janë të dënuar për të dështuar në sytë e botës.”

Tashmë, Brazili e ka fituar pesë herë Kupën e Botës, por Ghiggia thotë që sa herë që ai viziton vendin e tyre, brazilianët i kujtojnë që ata edhe sot ndjejnë dhimbjet e Maracanazo-s.

“Ishte një goditje e tmerrshme për ata. Brazilianët e kishin marrë për të mirëqënë që ata do ishin kampionë bote, dhe gjithçka shkoi komplet keq për ta,” tregon ai.

Ghiggia u ftua në shortin e finaleve të këtij botërori – hera e parë që Brazili pret një kampionat botëror që nga viti 1950. Ai tregon që ju rezervua një pritje miqësore, por zyrtarët Brazilianë i bënë të ditur që nëse ka një gjë që ata nuk e dëshërojnë sot në 2014, është një tjetër finale kundër  Uruguait në Marakana…

Marrë nga BBC

Mund të ndiqni edhe këtë video interesante për këtë argument:

Bota.al qershor 2014

Leave a Reply

Back to top button