Bota

Pesëdhjetë hijet e urrejtjes

Europa, Rusia, Turqia, refugjatët: dialog me një shkrimtar francez, Emmanuel Carrère, mbi të ardhmen që na pret

Emmanuel Carrère, brenda vetëm dy vitesh, Europa është goditur nga një valë e paprecedentë atentatesh. Në fillim Franca “juaj” disa herë; më pas Gjermania; tani Berlini. Në librin tuaj “Unë jam gjallë, ju keni vdekur”, ju endeni mes vizioneve paranojake të Philip K. Dick. Jemi në një histori fantashkence? A ka një komplot kundër Europës?

Nuk e di. A nuk është mjaftueshëm e tmerrshme, nëse e konsiderojmë thjeshtë një cikël shumë të keq të historisë? Për mua është e mjaftueshme, nuk do të kisha nevojë as për një komplot. Dhe jo vetëm sepse jam një liberal, pra kundër vetë idesë së komploteve, por për një arsye bonsensi. E keni parasysh parimin e nikoqirllëkut maksimal në natyrë? Gjërat shpjegohen më thjeshtë, sipas idesë më të thjeshtë, më ekonomike. Por ndoshta këtë herë gabohem. Ndoshta nëse do të kishte një komplot, do të isha pikërisht unë ai që nuk do të besonte, sepse nuk dëshiroj ta shoh.

Ky duket vërtetë si një rrëfim i Philip K. Dick.

Ka një frazë shumë të bukur të Bertold Brechtit, që e përdor në atë libër: “Qeshte, sepse armiqtë e tij nuk arrinin ta godisnin; por nuk e dinte që ata po ushtroheshin që të gabonin shënjestër”. Ndoshta jam shumë naiv, dhe jemi vërtetë viktima të një komploti kundër Europës.

Rusia po bën përpara. Në Europë, ka nga ata që e konsiderojnë Putinin, të vetmin aleat kundër terrorizmit. Por a ka një ndikim real në jetët tona?

Rusia po ushtron qartësisht një presion të fortë politik dhe ushtarak ndaj shteteve europiane. Por për momentin, nuk shoh asnjë ndikim kulturor. As nuk e do: nuk duket e interesuar. Të rinjtë rusë shohin filma amerikanë; a ju duket se amerikanët apo europianët shohin kinematografinë bashkëkohore ruse? Jo, janë të tjerë objektivat e rusëve.

Ju jeni marrë me nevojën për të patur një formim të krishterë tek “Mbretëria”. Kriza e Europës, a ka të bëjë me mungesën e përfshirjes së rrënjëve judaiko-kristiane në projektin e Kushtetutës europiane, apo është një problem anësor?

Rrënjët judaiko-kristiane të Europës janë shumë të rëndësishme. Por atëherë, edhe rrënjët helenike: Athina dhe Jeruzalemi janë të dyja themelore për origjinën e Europës. Nuk besoj se është e nevojshme të përmenden gjithë këto në Kartë. Ose ndoshta, nëse duhej shtuar një paragraf mbi rrënjët, duhej bërë duke përfshirë edhe traditën greko-romake.

Ju keni qenë në ferrin e azilkërkuesve në Calais dhe keni shkruajtur një artikull, që më pas u bë libër.

Isha në Calais në një përpjekje për të folur jo për refugjatët, por për mënyrën se si banorët e atij qyteti të vogël, kaq të varfër dhe të lënë në vetminë e tij, reagonin ndaj pranisë së tyre. Pata një përshtypje: atë të një komuniteti tejet të ndarë, më dysh, mes atyre që i mirëprisnin dhe atyre që i refuzonin imigrantët; dhe se këto dy botë nuk flisnin mes tyre. Janë dy universe të largët. Kjo ndarje totale e shoqërisë është një problem në rritje i kohëve të sotme.

Kryebashkiaku i Venecias, Luigi Brugnaro, ka propozuar që të përqëndrohen mensat qytetare në një “qytezë të të varfërve”, duke i larguar nga qendra. Patriarku Francesco Moraglia është kundërvënë, thotë se është një mënyrë për të fshehur varfërinë. Ju çfarë mendoni?

E qartë që jam dakord me patriarkun e Venecias. Por ka një problem me të gjithë pozicionet e virtytshëm si ky. Eshtë e kollajtë të jesh dakord, të thuash “Po, kështu duhet bërë”, por pyetja e vërtetë që duhet ngritur është: çfarë mund të bëjmë, në përpjekje për të zgjidhur problemin?

Keni një zgjidhje?

Do bëj pak autokritikë: unë nuk bëj shumë për të varfërit. Po, dhuroj diçka tek ata që merren me bamirësi, dërgoj ushqime tek ndonjë organizatë që ka mensa për të varfërit. Por a do të isha gati të prisja një refugjat në shtëpinë time? Kam një dhomë për mysafirë, miqtë vinë e qëndrojnë aty: a do të prisja në shtëpi një refugjat? Nuk e besoj.

Keni vizituar Stambollin, duke shkruar për revistën Revue21. Artikulli do të dalë pas pak kohësh. Çfarë patë në Turqi?

Në një farë kuptimi, nuk ishte shumë ndryshe nga Calais. Eshtë një shoqëri krejt e ndarë më dysh. Dy planete të largët, që nuk flasin. Në fillim, kur bën atë lloj reportazhi, ndodh që takon pikësëpari njerëz që janë pak si ti, që e mendojnë njësoj si ti. Persona tek të cilët të dërgojnë miqtë e tu, apo miqtë e miqve, dhe që janë pjesë e shtresës tënde: borgjezë, intelektualë, gazetarë, shkrimtarë, avokatë, arkitektë, artistë e kështu me radhë. Dhe janë të gjithë të tmerruar nga ajo që po ndodh në vendin e tyre. Flasin gjithë kohës për Planin B.

Planin B?

Po, kështu e quajnë. E kam dëgjuar ta përmendin shumë njerëz në Turqi: të ikin. E vetmja pyetja që bëjnë është: kur? Cili është kufiri që do e bëjë të papërballueshme vazhdimësinë e jetesës këtu? Kur do të rifutet dënimi me vdekje? Kur do të shfuqizohen klasat e përziera në shkolla? Kur do të ndalohet aborti? Pastaj fola edhe me të tjerët. Turqia tjetër, ajo që ka votouar për AKP, dhe që admiron Erdoganin. Dhe ka shumë njerëz që besojnë vërtetë, që janë njerëz të mirë.

Ato të turqve laikë, janë frikëra të justifikuara?

Pyetja e vërtetë është: kur jeta e përditshme ndryshon vërtetë, në një regjim autoritar? Kam shumë miq amerikanë që janë kundër Donald Trumpit. Dhe vërej që të gjithë ndihen të prekur personalisht nga fitorja e tij: e konsiderojnë një gjë në gjendje të ndryshojë jetën e tyre. E njëjta gjë ndodh tani në Francë, për shkak të mundësisë së fitores së Marine Le Pen. A do të ndryshonte ekzistencën tonë? Po, sigurisht, edhe pse ndoshta nuk do ta vinte në rrezik në të njëjtën mënyrë, si ndodh në Turqinë e Erdoganit.

Jo?

Erdogani ka futur në burg shumë njerëz. A do e bënte Marine Le Pen? E vërteta është që nuk e dimë. Kush mund ta thotë? / panorama.itwww.bota.al

Leave a Reply

Back to top button