Histori

Pikëpyetja Nr. 4: Përse kinezët qëndruan “në shtëpi”?

Screen Shot 2015-05-28 at 17.56.55

Përse Kina, kur ishte vendi më i fuqishëm i botës, nuk u zgjerua? Përse Europianët, në një tjetër migrim të madh, populluan tre kontinente, ndërkohë që kinezët kryesisht nuk denjuan që të udhëtojnë? Një linjë kyçe diskutimi në këtë temë lidhet me teknologjinë në terma krahasues, dhe do t’i kthehemi tek tema e mëposhtme, ku pyesim përse Europa dominoi botën në shekujt 18-20? Megjithatë, është një diskutim që ka nevojë të shihet si i lidhur me polemikat mbi interpretimin e historisë së Kinës – polemika që fokusohen tek dinastia Song, kur Kina ishte në kulmin e fuqisë së saj, sa i përket kulturës dhe administratës.

Dinastitë e mëvonshme të Kinës ishin më të fuqishme ushtarakisht (Ming dhe Qing) por ishte pikërisht dinastia Song, siç pretendojnë sot shumë historianë, që e bëri Kinën të zgjedhë finesën brenda vendit në vend të pushtimeve të pakufishme.

Në të gjithë historinë e gjatë të Kinës, ka diçka të veçantë për dinastinë Song, e cila sundoi, në një formë apo një tjetër, nga viti 960 deri në 1279. Ajo erdhi në pushtet pas një serie të gjatë luftërash shkatërrimtare. Qëllimi kryesor i udhëheqësve të saj ishte të kërkonin dhe ndërtonin një grup gjithëpërfshirës idesh, përreth të cilave duhej të zhvillohej shoqëria. Reformatorët e dinastisë Song donin një ekonomi të gjallëruar, një qeveri të integruar dhe ligje të përcaktuar qartë, të bazuar mbi detyrimet dhe përgjegjësitë. Më e rëndësishmja, ata arritën të vënë në praktikë shumë prej ideve të tyre. Një gjë që spikat kur hedh vështrimin në atë epokë është inovacioni teknologjik i Song – baruti dhe shumë shpikje të tjera i përkasin asaj kohe. Unike për botën paramoderne, rritja ekonomike në Kinë për një kohë të gjatë i kishte kaluar edhe prirjet demografike. Një ndryshim që e bëri të mundur këtë gjë ishte padyshim zbulimi dhe përdorja e një varieteti të orizit që mundësonte dy të korra në vit. Por Kina prodhonte gjithashtu po aq hekur, sa e gjithë Europa gjashtë shekuj më vonë. Edhe në prodhimin e tekstilit pati zhvillime dramatikë, dhe është e mundur të flitet për “industrializimin” e epokës Song, si një fenomen të pranuar.

Por Kina e periudhës së dinastisë Song nuk kishte një zell misionar për ta çuar drejt militarizimit dhe pushtimit të botës. Fokusi i saj ishte tek rritja ekonomike në vend – pikësëpari – dhe në zhvillimin e ideve Konfuciane për mënyrën se si shoqëria duhej të organizohej dhe se si njerëzit e civilizuar duhej të jetonin jetët e tyre.

Ajo preferonte marrëveshjet e paqes ndaj pushtimeve. Historianët ende debatojnë se sa të rëndësishëm ishin këta ideale për atë që bënte faktikisht dinastia Song në Kinë. A erdhi mungesa e pushtimeve për shkak të theksit konfucian mbi moderimin dhe përmbajtjen, dhe si pasojë a ishte e qëllimshme? Apo ishte nënprodukt i një adhurimi për luksin dhe i një përtacie, e si pasojë, ajo ishte aksidentale?

Ndoshta nuk ishte aksidentale që perandoria Song u rrëzua prej fqinjëve të saj veriorë, që ishin më agresivë. Në fakt, ajo u rrëzua dy herë, për arsye se pjesa veriore u pushtua nga Jin në vitin 1127 dhe ajo jugore nga mongolët 150 vjet më vonë. Por dinastia u la trashëgimi pasardhëseve të saj një ideologji konfuciane, e cila do të mbetej kryesisht e paprekur deri në kolapsin e dinastisë Qing në shekullin XX. Eshtë e mundur që kultura dhe idealet që krijoi dinastia Song nuk lejuan ekspansionin e Kinës edhe në kohërat e dinastive të mëvonshme, kur mundësitë ishin edhe më të mëdha, nga pikëpamja ushtarake? /Bota.al

Mund të lexoni edhe:

Pikepyetja Nr. 1: Përse Homo sapiens-ët kanë rezultuar kaq shumë të suksesshëm?

Pikepyetja Nr. 2: Përse këmbyem gjuetinë me ferma dhe fshatra?

Pikëpyetja Nr. 3: Çfarë i nxiti migrimet e mëdhenj të mijëvjeçarit të parë?

Pikepyetja Nr. 4: Përse kinezët qëndruan “në shtëpi”?

Pikëpyetja Nr. 5: Përse Europa dominoi botën në shekujt XVIII-XX?

Leave a Reply

Back to top button