Analiza

Po vijnë “barbarët”!

po vijne barbaretErmal Gjinaj

bota.al

Të dielën qytetarët e 28 shteteve anëtarë të Bashkimit Europian do të shkojnë të votojnë për Parlamentin e ri të BE-së. Shumë prej tyre, për të mbërritur deri tek vendimi se kujt do ia japin votën, u është dashur të peshojnë disa ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme, që e kanë “shkundur” Europën gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit, duke filluar që nga kriza financiare e vitit 2008. Kjo e fundit, megjithë disa shenjave pozitive të rimëkëmbjes kohët e fundit, duket se nuk po e liron mbërthimin e saj mbi Europën.

Ndonëse kriza financiare ka qenë faktori numër një që ka shkaktuar ftohjen dhe ka thelluar hendekun që ka ndarë qytetarët europianë me institucionet e Brukselit, asaj i kanë shërbyer si “garniturë” edhe disa ngjarje të tjera, të cilat i kanë shtyrë votuesit të rendin drejt premtimeve të partive populiste të ekstremit të djathtë dhe të ekstremit të majtë.

Politikanë si Nigel Farage në Britaninë e Madhe, Marine Le Pen në Francë, apo Beppe Grillo ne Itali janë shndërruar këto kohë, përvecse në superstarë politikë në vendet e tyre, edhe në makthin e politikanëve të partive kryesore të qendrës në Europë, të cilët po shpresojnë shumë që vota populiste pro tyre (ekstremistëve) në zgjedhjet e të dielës, të mos i pengojë për ndarje e “llokmave” në institucionet e lartë të Brukselit.

Ekstremistët e djathtë apo të majtë, në Francë, Britani Gjermani dhe gjetkë nuk është se kanë lindur bashkë me krizën financiare që në vitin 2008 pllakosi të gjithë kontinentin, por vala e tyre erdhi e u fry pikërisht prej saj, duke arritur gjatë pesë viteve të fundit përmasa që paraardhësit e tyre antieuropianë as nuk do i kishin ëndërruar ndonjëherë. Ata kanë ditur të shfrytëzojnë në mënyrë mjeshtërore pakënaqësitë e miliona europianëve, të cilët, me retorikën e tyre ekstreme janë përpjekur t’i bindin se burimi i të gjithë të këqiave, “kucedra” që u ka marrë peng burimin e begatisë dhe të mirëqenies ndodhet në Bruksel. Deri diku me të drejtë.

Sepse perceptimi negativ që shumica e qytetarëve eruopianë kanë për makinerinë burokratike të Brukselit nuk ka lindur nga hici. Pak ditë më parë, e përjavshmja gjermane Der Spiegel i kishte kushtuar një speciale pikërisht këtij fenomeni, dhe nëpërmjet një reportazhi të gjatë ishte munduar që të zbriste “në tokë” ushtrinë e nëpunësve civilë të Brukselit, në një përpjekje për të “zbardhur” imazhin negativ që është ngulitur tashmë në mendjet e miliona europianëve. Një përpjekje që, një javë para zgjedhjeve, tingëllon pakëz e vonuar.

Një tjetër temë që e ka dominuar fushatën elektorale të këtyre zgjedhjeve për Parlamentin Europian ka qenë alarmizmi i politikanëve të rrymave kryesore politike, partive të qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë si dhe disa prej analistëve më me emër në kontinent, që i mbështesin ata. E diela do ta tregojë nëse thirrja e tyre për të bërë kujdes e për të mos rënë në prehërin e politikanëve ekstremistë si Le Pen në Francë, apo Farage në Britani ka shërbyer për “të sjellë në vete” miliona votuesit, apo ka qenë në të vërtetë një autogol pasi duke shprehur hapur frikën prej suksesit të tyre, i kanë sjellë më tepër nga sa meritojnë në qendër të vëmendjes së skenës politike të kontinentit.

Me gjithë ngjarjet e kohëve të fundit – krizën financiare, masat shtrënguese që veriorët e pasur të kontinentit u imponuan jugorëve “xhepshpuar”, ngjarjet në Ukrainë dhe valën e pafund të imigrantëve që synojnë brigjet e Europës, duke mbërritur aty herë të gjallë e herë të vdekur – partitë që bëjnë fushatë kundër Bashkimit Europian i kishin të mëdha shanset për të maksimizuar numrin e deutetëve në parlamentin europian. Por, a mos u dehën nga numrat që tregonin sondazhet, dhe në mënyrë absurde zgjodhën të shkojnë edhe përtej ekstremit të cilit i përkasin? Sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe strategjia e tyre për të mbështetur hapur Putinizmin, bashkë me cdo lloj veprimi që Vladimir Putini bëri fillimisht në Krime dhe më pas në lindje të Ukrainës. Sërish, e diela do ta tregojë nëse ishte një autogol i antieuropianëve që deri pak ditë më parë dukej se asgjë nuk do të mund t’i ndalte. “The Washington Post” i kishte kushtuar një speciale dy ditë më parë pikërisht kësaj tendence të politikanëve antieuropeistë në Francë, Britani, Austri, Belgjikë, Bullgari dhe gjetkë. Eshtë e vërtetë që Europa e ka shpallur (ndonëse me gjysmë zëri) Vladimir Putinin “armikun” e saj dhe Le Pen me shokë e kanë shpallur Europën “armiken” e tyre. Por kjo nuk do të thotë që ata bëhen automatikisht miqtë e Putinit (Armiku i armikut tim…). Kjo mund t’u kushtojë. Sepse, ata qytetarë europianë që do të shkojnë të votojnë në zgjedhjet e 25 majit, me siguri janë të vetëdijshëm që përvec mirëqenies dhe begatisë, po kaq e rëndësishme është edhe siguria, të cilën agresionet e fundit të Rusisë së Putinit në kufijtë e Europës janë duke e rrezikuar jo pak. Në një rast të tillë do të “ngjisin” edhe më shumë këmbanat e alarmit të politikanëve europianë, që kur flasin për ekstremistët e djathtë dhe të majtë që synojnë Brukselin, duket sikur po u thonë të gjithëve: “Kujdes, po vijnë barbarët!”

Leave a Reply

Back to top button