Bota

Populistët e mëdhenj

Screen Shot 2016-02-09 at 10.46.41

Jacek Rostowski*

Sfida e parë ndaj hegjemonisë perëndimore, që pasoi rënien e komunizmit në Europë, ishte shfaqja e të ashtuquajturve vendet BRICS – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – në vitet 2000. Rritja e shpejtë dhe fakti që këta shtete mbanin brenda tyre gjysmën e popullsisë së botës, bëri që forcimi i BRICS të dukej se po anonte ekuilibrin e fuqive, larg prej SHBA dhe Europës Perëndimore.

Sot, BRICS nuk ngjajnë si një rrezik gjeopolitik për Perëndimin. Rusia, Brazili dhe Afrika e Jugut janë në situata të vështira ekonomike, dhe Kina po lëkundet. Vetëm India e ka ruajtur shkëlqimin. Dhe megjithatë, Perëndimi po vjen sërish nën trysni, madje edhe në oborrin e vet. Këtë herë, sfida është politike, jo ekonomike: ngjitja e politikanëve që preferojnë konfliktin, dhe që përçmojnë  ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe normat demokratike.

Udhëheqës të tillë unë i quaj “PEKOs”, duke bashkuar inicialet e presidentit rus, Vladimir Putin, residentit turk, Rexhep Erdogan, politikanit polak Jaroslav Kaczynski dhe Kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

PEKO-t nuk e shohin politikën si menaxhimin e emocioneve kolektive, me qëllim që të arrijnë objektiva të mëdha politike: rritje më të shpejtë ekonomikë, një shpërndarje më të barabartë të të ardhurave, apo siguri, fuqi dhe prestigj më të madh për kombin. Ata e shohin politikën si një seri të pafundme intrigash dhe spastrimesh, që synojnë të ruajnë pushtetin dhe privilegjet personale.

PEKO-t ndajnë besimin e revolucionarit rus, Vladimir Putin, se “politika duhet të ketë përparësi ndaj ekonomisë”. Në fakt, ata e vlerësojnë mbi çdo lloj rishikimi politikash. Politika nuk është mjet për të arritur qëllimin, por është ajri që ata thithin, dhe politikat janë thjeshtë instrumenta në luftën e tyre të pafundme për të mbetur gjallë.

Megjithatë, do të ishte gabim të mendonim se PEKO-t, si ekuivalentin e sotëm të “Diktatorëve të Mëdhenj” të viteve ’30. PEKO-t mund të jenë nacionalistë, por mendimet e trye nuk do të ishin jashtë vendi në sallat e mëdha të Europës, para Luftës së Parë (e njëjta gjë nuk mund të thuhet për nazistët apo falangat spanjolle).

Edhe qasja e tyre ekonomike, nuk është domosdoshmërisht statiste. Putini sigurisht ka prirje të forta autoritariste, por nëse Orbani dhe Kaczynski e meriton këtë etiketim, atëherë të njëjtën gjë mund ta themi për ish presidentin e Francës, Charles de Gaulle. Dhe Erdogani në të vërtetë e ka çmontuar statizmin Kemalist në Turqi, dhe ka futur politikat e tregut të lirë.

Dallimi më i madh mes Diktatorëve të Mëdhenj dhe PEKO-ve është se këtyre të fundit u duhet të përballen shpesh me elektoratin e tyre. Në fakt, politika e tyre e konfrontimit shtë element qendror i strategjisë së tyre të mbijetesës. Secili prej tyre e ka fituar (apo mbajtur) pushtetin duke polarizuar shoqëritë e tyre dhe mobilizuar bazën e zgjedhësve.

Stili politik i PEKO-ve është mundësuar prej mediave moderne, që në kërkim të audiencës, i thjeshtëzojnë dhe i sensacionalizojnë çështjet. Deklaratat dhe pozicionet e forta antagoniste fitojnë më shumë ekspozim në media. Kjo gjë u jep politikanëve që preferojnë konfrontimin një avantazh, dhe prodhon polarizimin elektoral që kanë ushqyer PEKO-t.

Kjo strategji politike është padyshim efikase. Në Rusi, për shembull, pagat reale ranë me më shumë se 9% në vitin 2015, dhe përqindja e familjeve ruse që nuk përballojnë dot veshje apo ushqime të mjaftueshme është rritur nga 22% në 39%. E megjithatë, përqindja e mbështetjes popullore për Putinin mbetet 80%.

Ndryshe nga shfaqja e BRICS, e cila në fund rezultoi një ndihmë për ekonominë botërore, ngjitja e PEKO-ve paraqet një rrezik real – sidomos teksa ata nisin ta zbatojnë qasjen e tyre konfrontuese në çështjet e jashtme, dhe qeverisjen ekonomike globale. Kompanitë ndërkombëtare duhet të jenë veçanërisht të shqetësuara. Pasi shpërndanë operacionet e tyre në të gjithë botën gjatë çerekshekullit që pasoi rënien e komunizmit, ato janë bërë tashmë të varura prej stabilitetit të bazuar në rregulla dhe integrimit ekonomik. Fati i trye do të varet gjithnjë e më shumë nga zhvillimi i strategjive për të shmangur rreziqet e reja që paraqesin PEKO-t.

Si për t’i përkeqësuar gjërat, fenomeni i PEKO-ve duket se është në gjendje të përhapet edhe në zemër të Perëndimit. Shembujt përfshijnë nacionalistët skocezë dhe katalanas, si dhe politikanët britanikë që bëjnë fushatë për të larguar Britaninë e Madhe nga BE. Ata që mbështesin këto kauza janë treguar tejet injorues ndaj dëmeve të mëdha ekonomike, që propozimet e tyre do t’u shkaktonin shoqërive.

Po kështu, në të paktën dy demokraci perëndimore, kandidatë seriozë për pozicione të larta drejtuese po veprojnë njësoj si PEKO-t: Kandidati për president në SHBA, Donald Trump dhe udhëheqësja e Frontit Nacional në Francë, Marine Le Pen, e cila do të synojë presidencën e vendit në vitin 2017. Nëse përpjekjet e tyre për të marrë pushtetin kanë sukses, rreziqet ndaj stabilitetit global do të rriten disafish.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Great Populists   Bota.al

Leave a Reply

Back to top button