Analiza

PRAPASKENA / Beteja për Irakun, luftë e sauditëve kundër Iranit

Simon Henderson

prapaskena“Kujdes nga ajo që kërkon”, mund të kish qenë, dhe ndoshta duhej të kish qenë këshilla e Uashingtonit për Arabinë Saudite dhe shtetet e tjerë të Gjirit, të cilët kanë mbrojtur xhihadistët sunitë kundër Bashar al Assadit dhe regjimit të tij në Damask. Ky paralajmërim ka edhe më shumë kuptim sot, teksa luftëtarët e pamëshirshëm të Shtetit Islamik për Irakun dhe Levantin (Shiil) po marrin kontrollin e Irakut veriperëndimor, duke detyruar qindra mijëra sunitë që të largohen dhe duke krijuar panik në zemrën shiite të Irakut përreth Bagdadit, popullsia e të cilit me të drejtë ndien që ndaj tyre nuk do të ketë mëshirë, nëse autokolonat e Shiil nuk ndalen.

Një problem i tillë për Kryeministrin iraken, Nouri al Maliki ka qenë ëndrra e mbretit të Arabisë Saudite, prej vitesh. Ai e ka konsideruar al Malikin si një lolo të iranianëve, duke refuzuar të dërgojë një ambasador në Bagdad dhe duke inkurajuar liderët e Këshillit për Bashkëpunim në Gjirin Persik – Kuvajtit, Bahreinit, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit – që të marrin një qëndrim të ngjashëm. Ndonëse të goditura prej organizatave si al Kaeda, këta shtete kanë bërë shpesh herë një sy qorr ndaj faktit që nënshtetas të tyre kanë financuar grupe radikalë si Jabhat al-Nusra, një prej grupeve islamikë më aktivë, që i është kundërvënë Assadit në Siri.

Aktualisht me pushime në Marok, Mbreti Abdullah deri tani ka heshtur për këta zhvillime. Në moshën mbi 90-vjeçare, ai nuk ka shfaqur dëshirë t’i bashkohet brezit të Twitterit, por zhvillimet në terren mund ta detyrojnë të ndërpresë pushimet dhe të rikthehet në shtëpi. Nuk ka dyshim që ai e ka kuptuar se ngjarjet në Irak ofrojnë një shans të ri.

Ky këndvështrim mund të ngatërrojë shumë vëzhgues. Në javët e fundit, ka patur shumë lajme për një lloj afrimi mes Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe Iranit, nxitur prej vizitës (me sa duket në gjendje të dehur) të emirit të Kuvaitit në Teheran, si dhe vizitave të delegacioneve tregtarë dhe ministrave të tregtisë në një drejtim apo në tjetrin. Kjo, pavarësisht se provat mbështesin idenë e kundërt, përfshirë edhe shfaqjen në publik nga ana e Arabisë Saudite të raketave kineze në gjendje të godasin Teheranin, si dhe fillimit të rekrutimit ushtarak për të rinjtë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

E mira, nëse mund të përdoret një fjalë e tillë, e kasaphanës në Irak është se të paktën ajo ofron qartësi. Ka mbivendosje fisnore dhe identitete kombëtarë rivalë në lojë, por tensioni dominues është dallimi fetar mes shumicës sunite dhe pakicës shiite. Ky fenomen mbarërajonal çohet deri në ekstrem nga organizata si Shiil, që e sheh gjithashtu veprimin e saj në Irak, si kundërvënie ndaj mbështetjes së Malikit për Assadin.

Shiil është një makineri vrasëse e pamëshirshme, e cila e çon përçmimin e sunitëve për shiitët në ekstreme të përgjakshëm. Monarku saudit mund të jetë më i kujdesshëm për të shmangur fyerje të drejtpërdrejta fetare se sa shumë prej sivëllezërit e tij, por nuk ka asnjë dyshim që urrejtja për sunitët ishte në themel të komentit të tij të bërë publik prej WikiLeaks, “për t’ia prerë kokën gjarpërit”, domethënë regjimit klerik në Teheran.

Pavarësisht përpjekjeve të shumëkujt sidomos në Uashington për ta injoruar, Mbreti Abdullah mbetet i fortë, ndonëse herë pas here e ndihmojnë me oksigjen – si përshembull kur presidenti Obama e takoi në mars dhe nisën të shfaqen fotografi të tubave të futur në flegrat e hundës. Kur Sheiku Mohammed bin Zayed, princi i kurorës i Abu Dhabit e vizitoi mbretin Abdullah në 4 qershor, monarku saudit u pa të komunikojë me gjestikulacione me të dy duart. Tema e diskutimit nuk u zbulua, por përderisa Zayed po shkonte në Kairo, ndoshta kish të bënte me suksesin në zgjedhje të presidentit të ri të Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, i cili konsiderohet si forcë stabilizuese nga Riadi dhe Abu Dhabi. Sigurisht, Sisi fiton pikë shtesë për faktin që është kundër Vëllazërisë Myslimane, një grup, kredencialet islamikë të të cilit bien ndesh me privilegjet e trashëguar të monarkive arabe. Për momentin, Abdullahu, Zayedi dhe Sisi janë tre udhëheqësit kryesorë të botës arabe. Në të vërtetë, rruga drejt të ardhmes e shteteve arabë mund të varet nga këta tre burra (dhe cilido që do të pasojë Mbretin Abdullah).

Për ata që janë konfuzë në lidhje me ndarjet në botën arabe dhe që mendojnë se teza “armiku i armikut tim është miku im” gjen zbatim të kufizuar, është e rëndësishme të vëresh se ndarja mes sunitëve dhe shiitëve koinçidon, të paktën deri në një farë mase, me ndarjen ndërmjet botëve arabe dhe perse. Në terma gjeopolitikë, Iraku është në hallkën mes këtyre dy botëve – në shumicë shiit, por etnikisht arab. Ka edhe një dimension tjetër që shpesh herë është ngatërrues, ndonëse ka qenë historikisht qendror për politikën saudite: Një gatishmëri për të mbështetur sunitët radikalë jashtë, ndërkohë që frenohen veprimtaritë e tyre brenda vendit. Prej këtu buron edhe mbështetja për së largu për bin Ladenin kur ai udhëhiqte xhihadistët në Afganistanin e kontrolluar prej sovjetikëve, si dhe toleranca për xhihadistët në Ceçeni, Bosnje dhe Siri.

Kur revolta kundër Assadit pësoi rritje në 2011 – ashtu sikurse dhe shqetësimi i Riadit për programin bërthamor të Iranit – shërbimi i fshehtë saudit nisi të mbështesë opozitën sunite, sidomos elementët e saj më radikalë, një strategji kjo e drejtuar prej shefit të shërbimit të fshehtë, ish ambasadorit në Uashington, Princit Bandar bin Sultan. Lidershipi i operacionit ndryshoi në prill, kur Bandari dha dorëheqjen i zemëruar me sa duket prej qasjes së matur të administratës Obama, por mbështetja saudite për luftëtarët xhihadistë duket se vazhdon (Operacioni i Shiil në Irak duket si ajo lloj taktike që Bandari do ta kishte ëndërruar, por nuk ka prova).

Në betejën që po shpaloset me shpejtësi në veri të Irakut, ka shumë variabla. Për Uashingtonin, opsioni i mosveprimit duhet të ekuilibrohet prej fatit të pothuajse 20 mijë civilëve amerikanë që ndodhen ende në atë vend (edhe pse ushtria e SHBA ka ikur prej kohësh). Katari, oportunisti i rajonit, me shumë gjasa është duke balancuar opsionet e tij për të irrituar rivalin rajonal, Arabinë Saudite ndërkohë që përpiqet të mos ngacmojë ariun iranian. Nuk ka “gjumë gishtërinjsh” të dukshme të Katarit dhe Sheikut al-Thani, i cili po feston vitin e parë në pushtet pas abdikimit të babait të tij në 2013. Veç kësaj, Doha po bën kujdes të mos zgjojë zemërimin e Iranit përmes një aventure në Irak. Pasi u ka dhënë pesë liderëve talebanë strehim si pjesë e shkëmbimit të Bergdahlit, Katari ka shprehur qartë se ku qëndron në ndarjen sunitë-shiitë.

Ka një precedent të rëndësishëm historik për dilemën aktuale të Arabisë Saudite, e cila edhe dëshiron të mbështesë Shiil-in, por edhe nuk do që kjo të përparojë deri sa të kërcënojë mbretërinë. Në vitet 1920, luftëtarët fanatikë Ikhvan që po ndihmonin Ibn Saudin që të pushtonte Arabinë, po kërcënonin edhe protektoratët britanikë të Irakut dhe Transjordanit. Ibn Saudi, babai i mbretit aktual saudit, u dha dritën jeshile britanikëve që të masakrojnë Ikvhanët me avionë me mitrolozë, duke udhëhequr personalisht forcat e tij të përfundonin këtë punë, kur Ikhvanët e kërcënuan në betejën e Sabillës në vitin 1929.

Eshtë e vështirë të imagjinosh një fund të tillë në kaosin që po shpaloset në luginën e lumit Eufrat. Në këtë fazë, një konfrontim direkt mes forcave saudite dhe iraniane duket i pamundur, ndonëse ashtu si në Siri, përfshirja direkte e Gardës Revolucionare Iraniane nuk mund të përjashtohet. Ajo që është e qartë, është se luftës civile siriane tashmë do i bashkohet edhe një luftë civile irakene. Shiil e ka tashmë një emër për territorin e vet, kalifati al-Sham. Uashingtoni ndoshta duhet të gjejë emrin e tij për këtë zonë të re, ashtu si dhe një politikë për të ndjekur./foreign policy/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button