Nunc est Bibendum

Presidenca franceze dhe vera

Sipas Ralph Emerson, publicist filozof e predikues i shekullit tw XIX, “Një burrë do të jetë elokuent, nëse atij i jepet verë e mirë”. A duhet një president, patjetër, të jetë elokuent? Sigurisht shumë e rëndësishme është të jetë, në prag apo përgjatë një fushate. Gjithësesi tashmë me lojra të përfunduara, disa rreshta me të vërtetë interesantë nga një revistë sektoriale, na sjellin në vëmendje marrëdhënien e presidentëve të fundit francezë me pijen e verës. Macron duket një president me një pasion të vërtetë për verën. A do të jetë, shkruan Revista Decanter, Emmanuel Macron fundi i llojit të presidentëve francezë, me ndjeshmëri të diskutueshme ndaj verës?

Gjatë fushatës presidenciale, si Macron edhe rivalja e tij nga Fronti Nacional, Marine Le Pen, u përpoqën të fitonin votat e bashkëatdhetarëve të tyre verëtarë. Por, Macron ka treguar se zotëron njohuri më të gjera mbi trashëgiminë kulturore të verës së Francës. Në prag të zgjedhjeve, revista franceze Terre de Vins filmoi një seri videosh spontane me presidentin e sapozgjedhur francez, Emmanuel Macron, në të cilat vihen në dukje aftësitë e tij gjatë testimit të verës me sy mbyllur, apo në terr, njohur ndryshe edhe si blind test dhe deklaron se ‘vera është ambasadore’ për vendin e tij.

Gjatë blind test-it, Macron identifikoi saktë një Bordeaux të bardhë dhe një rose’ Coteaux d’Aix en Provence. Ai u ngatërrua pak në shijimin e një Château Pape-Clément të vitit 2005, të cilën gabimisht e cilësoi si një Pauillac, jo Pessac-Léognan.

Në një tjetër xhirim, Macron ka deklaruar: “Unë jam rritur nga gjyshërit e mi, që kishin këtë formulë: Vera e kuqe është një antioksidant”.

Por, presidentit Macron do t’i duhet të punojnë fort në qoftë se ai do të bëjë për vete verëbërësit që kanë votuar për Le Pen, dhe për të gjetur mbështetje mes mbështetësve dhe abstenuesve, në një industri që shpesh është ankuar vitet e fundit, se është lënë disi pas dore. Mendohet se zgjedhjet parlamentare të qershorit do të jenë një test i parë e interesant mbi besimin që do t’i akordohet.

Po le ti hedhim një sy qasjes së presidentëve të tjerë në lidhje me pijen dionisiake.

Ndjenjat e François Hollande në lidhje me verën nuk kanë qenë të përcaktuara mirë, edhe pse ai ka thënë se e ka shijuar gjithnjë verën në jetën e tij personale. Sipas shefes së qilarit në Pallatin Elysees Virginie Routis, ku preheshin 14.000 shishe për konsum presidencial, asaj i ishte dhënë ‘carte blanche “për të zgjedhur cilatdo verëra që ajo do të pëlqente për darkat e dhe funksionet e ndryshme”. Një moment që ngjall dyshime ka qenë edhe vizita e Hollandë dhe dollia e tij e rreme me Barack Obaman, gjatë vizitës në SHBA në vitin 2014. Hollande thuhet të ketë afruar gotën e tij, por pa lënë verën të kalonte përtej buzëve, para se ta rivendoste atë në tabakanë pranë ish presidentit Obama. Pasi ky i fundit e pyeti nëse vera ishte e mirë, Hollande i shtrëngon krahun duke e siguruar me një “oui”, para se të kthehej nga ana tjetër.

Por, Hollande ngriti edhe qendrën e verës në qytetin e Bordeaux-së, të quajtur Bordeaux Cité du Vin.

Nicholas Sarkozy ka qenë presidenti që u ka shkaktuar më shumë pakënaqësi prodhuesve të verës, ndoshta me tepër se çdokush tjetër në dy dekadat e fundit. Ai njihej si ‘’njeriu vetëm-çaj’’ gjatë presidencës së tij dhe të shumtë kanë qenë ata që i kanë kritkuar si jo-patriotike përpjekjet e tij për një ‘’jetë të pastër’’ .”Të paktën të kishte inteligjencën ta vinte në gojë dhe le t’a pështynte më pas”, tha për Reuters në vitin 2007, një verëbërës që mesa duket nuk e kishte ‘’gëlltitur’’ këtë mospërfillje nga ana e ish-presidentit.

Presidenti Chirac mund edhe të mbahet mend se ngriti një qilar të hijshëm plot me verëra të mira gjatë kohës kur ishte kryetar i Bashkisë së Parisit, por gjithnjë ka qenë përfolur të ketë preferuar birrën ndaj verës, duke mos fshehur në shumë raste simpatine e tij për birra teutonike apo latine.

François Mitterrand, president i Francës, nga viti 1981 deri në vitin 1995, mbahet mend të ketë qenë një tifoz i verës bordoleze Château Haut-Marbuzet. Politikat e tij ekonomike e bënë atë popullor gjithashtu edhe mes prodhuesish të tjerë. Një verëtar nga krahina franceze e Languedoc-Roussillon ka arritur deri aty sa t’i referohet pishinës së shtëpisë si “pishina e Mitterrand-it”, duke shpjeguar se si ndihma financiare e qeverisë së këtij të fundit kishte ndihmuar për ndërtimin e pishinës.

Po të nisemi nga filmimet e sipërcituara, njohuritë bazë lidhur me pijen fisnike Macron duket të gjindet ca vende më lart se sa presidentet e tjerë parardhës. E le të shpresojmë se do të aplikojë me sukses formulën e gjyshërve dhe do t’i ofrojë antioksidantët e duhur Francës dhe Europës. /Përgatiti: Andi Qinami / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button