Histori

“Prohibicioni” – Eksperimenti “i dështuar” i Amerikës “analkoolike”

prohibitionAtë ditë, Benjamin DeCasseres donte të shkruante historinë – në një bar të Nju Jorkut. Ishte 5 dhjetori i vitit 1933 dhe mbarë Amerika po priste lajme nga Utah. Pikërisht shteti i mormonëve refuzues ishte dhe guri i rëndë në peshoren që maste këtë vendim historik: ratifikimi i amendamentit të 21-të në Kushtetutën Amerikane, domethënë heqja e “Prohibicionizmit”.
Nëse Utah do të votonte pro, atëherë arrihej shumica prej dy të tretash, mes shteteve të SHBA-së që merrnin pjesë në votim. DeCasseres, një njeri shumë i njohur i jetës publike në Nju Jork, shkrimtar e gazetar, në ditën që do të mbahej votimi, ishte ulur në sportelin e një bari në Manhatan, pranë një kablli, që të lidhte direkt me redaksinë e tij të lajmeve në “United Press” të Nju Jorkut. Nëse pra, vendimi do të merrej pro edhe në Utah, atëherë lajmi i mirë do ta arrinte atë pa vonesë.
Kur më në fund lajmi mbërriti, ai kurdisi orën e kronometruar, DeCasseres, porositi një “Highball” (koktej pijesh)– dhe e hodhi atë poshtë. Dy sekonda e gjysmë pas përfundimit të “Prohibicionit”, ai u bë – ndoshta – amerikani i parë që piu alkool në mënyrë legale.
“Në fakt, isha mësuar të isha i nëmur”
Me këtë gjest, DeCasseres bënte pjesë tek ata qindra mijë vetë, që po prisnin të organizonin një festë dehëse në Nju Jork, pasi pothuajse trembëdhjetë vitet e ndalimit shtetëror të alkoolit, tashmë ishin lënë pas krahëve. Për siguri, policia ishte vendosur në gjendje gatishmërie. Në fakt, në mbrëmjen e 5 dhjetorit, të paktën në qytetin e “mëkateve”, në Nju Jork, gjendja kishte qenë relativisht normale. Pikërisht “Whiskey” i preferuar kishte qenë një mall që mungonte. Kështu, njerëzit ndihmonin njëri-tjetrin me atë çka u gjendej: verë dhe birrë. Në Uashingtonin e largët, kundërshtari i “Prohibicionit”, Presidenti Franklin D. Roosevelt, kishte shijuar për herë të parë lirisht një koktej me bazë “Martini”.
Të tjerë tregonin se ishin cenuar rregullisht nga ndalimi me ligj i alkoolit. Një kulturë e tërë pijesh, u kishte ikur pa shijuar. “Unë nuk e dija më, se si pihet në mënyrë legale. Se si është, të vish nga rruga dhe të porositësh një pije, pa të zënë për krahu një polic”, thoshte kompozitori Alec Wilder. “Dhe në fakt, – shtonte ai, thuajse me një zë plot trishtim, – u mësova me mendimin për të qenë i nëmur”.
“I nëmur” ishte çdo amerikan që pinte alkool qysh nga 16 janari 1920. Në atë ditë, me Amendamentin 18 në Kushtetutë, kishte hyrë në fuqi një ndalim i përgjithshëm mbi alkoolin, në nivel kombëtar. Sigurisht se shtete të veçanta kishin sjellë në fuqi qysh më parë ligje të veçanta “Prohibicioni”, por tashmë i gjithë territori i SHBA-së, do të lihej “në thatësirë”. Amerika duhej të ishte e shëndoshë moralisht dhe fizikisht, këtë e kishin shkruar me të madhe kundërshtarët e “Mbretit Alkool” në flamujt e tyre. Në fakt, “Prohibicioni” ishte një paketë koniunkturale për krimin e organizuar.
Kriminelët si Al Capone, apo Meyer Lansky, i shërbenin plot zell e përfitime kërkesës ilegale për alkool – duke shënuar fitime kolosale brenda natës. Në të njëjtën kohë, ata i mbushën rrugët e qyteteve të mëdha amerikane me të vdekur, pas luftës për influencë që bënin.
Alkooli vrastar nën logon “Moonshine”
Para së gjithash, industria kanadeze e alkoolit po lulëzonte, për të përmbushur etjen e madhe të fqinjit të saj të madh në kufi. Mes viteve 1923 e 1929 u shtua eksporti – domethënë kontrabanda – në SHBA nga 110.000 në 1,4 milionë fuçi. Më shumë se pesë milionë litra. Nëpërmjet tuneleve, me ngarkesa, në lumenj, liqene dhe det, nuk kishte thuajse asnjë rrugë, në të cilën të mos transportohej edhe alkool, kur ata merrnin drejtimin për në SHBA. Netëve, në mot me mjegull e stuhi, alkooli transportohej kontrabandë përgjatë kufirit, ku prisnin ndërkohë kamionë që transportonin “mallin e çmuar” më tej nëpër lokale, bare e restorante. Bosët e gangsterëve i kishin ndarë më së miri territoret e veta.

Fitimet ishin aq të larta, saqë mbretërit e kontrabandës bënin gjithçka, që ta sillnin shëndoshë e mirë mallin e tyre në kufijtë shtetërorë. Anijet e kontrabandës përdornin edhe shtigje të rrezikshme, për t’i rrëshqitur Rojës Bregdetare në errësirë. Natyrisht se qarkullonte edhe shumë para nën dorë e ryshfet në xhepat e autoriteteve doganore e shtetërore të ruajtjes së ligjit, të cilët në momente kritike duhej të shinin në drejtime të tjera.
Një burim tjetër fitimi, ishte edhe e ashtuquajtura “Moonshine”. Kështu quhej ajo, pra uiski i distiluar nën “dritën e hënës”, i cili duhej tërhequr më mirë nga burime të besueshme: shpesh tipa të pandërgjegjshëm përzienin mallin e tyre për të përfituar më shumë. Pasojat pastaj ishin verbim, paralizim, dëmtime serioze të trurit – e madje shpesh edhe vdekje. Deri në vitin 1927, rreth 50.000 amerikanë ishin futur tashmë në varr si pasojë e konsumit të alkoolit të përzier.
Edhe vetë shoqëria e lartë në Uashington, pinte ilegalisht Amerikanët vazhdonin të pinin me gjithë këto rreziqe – edhe qytetarët “e ndershëm”. Kur një herë në Uashington D.C. një kontrabandist alkooli u padit, atëherë u vu re lista e tij e konsumatorëve nga shtresat e shoqërisë së zgjedhur. Para gjyqit, Al Capone tha një herë: “Unë shes vetëm birrë dhe uiski për qytetarë të ndershëm”. Duke menduar me këtë edhe gjykatësin, ai tha: “njerëz si Ju, janë klientët e mi më të mirë”.
“Klientët e ndershëm”, që nuk e pinin mallin në shtëpitë e tyre, e bënin këtë në lokalet që përfliteshin, të ashtuquajturit “Speakeasys”. Në dyert e tyre të pasme, trokisnin shpesh ata që i merrte etja, një derëz hapej, e ajo ishte “fjalëkalimi” dhe kështu mbrëmja mund të shkonte më pas fjollë. Natyrisht se duhej të veproje gjithmonë pa zhurmë, “të pëshpëritje”, siç thuhej, për të mos ngjallur kurrfarë kureshtje.
“Unë i doja ‘Speakeasys’. Nëse ti i njihje ‘të duhurit’, nuk kishe pse bëheshe merak fare, se do të gjeje vdekjen nga Uiski fals”, betohej në thëniet e tij Alec Wilder. Raste për të pirë në një “Speakeasy”, kishte sa të duash. 16.000 lokale e pijetore ekzistonin para fillimit të “Prohibicionit” në Nju Jork. Në vitin 1929, vetëm në këtë qytet kishte më shumë se 30.000 “Speakeasys”. Ndalimi i konsumit të alkoolit, me ç’duket, i bënte njerëzit më të etur për të pirë.
Me alkool kundër falimentimit të shtetit
Agjentët e mbrojtjes së “Prohibicionit” që kapnin një numër prej jo më shumë se 3000 vetash, e që kujdeseshin të ruanin vendin nga depërtimi i alkoolit nga shtetet e huaja, ishin të pafuqishëm kundër dëshirës së përgjithshme refuzuese të amerikanëve, për të ndenjur “me fytin thatë”. Puna e tyre paguhej shumë keq dhe para së gjithash, rekrutoheshin kandidatë që kishin dështuar në zanate të tjera. Në një test që ata kishin bërë në vitin 1927, nga rreth 12.000 pjesëmarrës në test, thuajse 60 për qind e tyre kishte dështuar ta kalonte provimin – e duhet marrë parasysh se bëhej fjalë për një test fare të thjeshtë, të nivelit të shkollës fillore. Edhe pas këtyre procedurave të rekrutimit që bazoheshin pra në nivele të ulëta arsimore, sigurisht se asgjë nuk ishte e sigurt se kjo punë iu ishte lënë në dorë profesionistëve të besueshëm. Edhe në vitin 1929, u bë i njohur rasti i një agjenti, që ishte një analfabet i mirëfilltë.
Para së gjithash, agjentët e “Prohibicionit” ishin bërë tashmë shumë të padëshiruar në radhët e popullsisë. Konflikti u përshkallëzua shumë në vitin 1929, kur agjentët hynë natën në një shtëpi në Aurora, shteti i Illinoit, për të kërkuar për posedim malli të ndaluar. Kur zonja e shtëpisë, e frikësuar, donte të lajmëronte policinë, u dëgjuan krisma – e zonja në fjalë mbeti e vdekur.
Skandale si ky, rritja e kriminalitetit dhe e pasigurisë se konsumi i alkoolit nuk ishte zgjidhja e problemeve, e bëri frontin e mbështetësve të “Prohibicionit” të pësonte lëkundje serioze. Para së gjithash, Presidenti i ardhshëm në atë kohë, i SHBA-së, Franklin D. Roosevelt, i ardhur nga radhët e demokratëve, e refuzoi lënien në fuqi të “Prohibicionit” dhe bëri fushatë pro heqjes së tij. “Një solidaritet i përgjithshëm dhe motivim që të shtynte kundër zbatimit të atij ligji” ishte tashmë pasoja që po vihej re. Edhe heqja e “Prohibicionit” ishte gjithashtu njëra nga pasojat që e bënë atë të fitonte zgjedhjet e nëntorit 1932, me një triumf për t’u admiruar që e solli në Shtëpinë e Bardhë.
Por edhe një arsye tjetër bëri që shumë politikanë të merrnin distancë nga “Prohibicioni”: Amerika nuk mund ta lejonte më ndalimin e alkoolit. Pas së “enjtes së zezë” në vitin 1929, vendi tashmë kishte rrëshqitur në Depresionin e Madh. Taksa e alkoolit ishte përshtatur më së miri, të paktën për të mbyllur disa vrima financiare. Drejtori i “General Motors”, Pierre S. du Pont, bëri të ditur në radio, sipas vlerësimeve të vetë atij, se si do të ishte Amerika pa konsumuar përvojën disavjeçare të “Prohibicionit”: “Në vend të një kase shtetërore të boshatisur, ne sot nuk do të kishim borxhe dhe një deficit prej pesë apo dhjetë miliardë dollarësh”. Nëse numrat në fjalë do të ishin realistë, thuhej në atë deklaratë. E qartë ishte gjithsesi se: konsumi i alkoolit do ta ndihmonte ringritjen e buxhetit të SHBA.
Kështu, më 16 shkurt 1933, në fillim Senati e pastaj më 20 shkurt edhe Dhoma e Përfaqësuesve, votuan me shumicë për heqjen e “Prohibicionit”, edhe pse disa shtete të veçanta vijuan me ndalimin e alkoolit. Më 5 dhjetor, më në fund, edhe shteti i Utah e miratoi Amendamentin 21 të Kushtetutës – dhe Benjamin DeCasseres mundi që më në fund të porosiste koktejin e tij të preferuar. A.P.

Leave a Reply

Back to top button