AnalizaMAIN

Pse dështojnë kombet?

Nga Lee Jong-Wha

Në orët e vona të 30 gushtit, trupat e fundit amerikane dolën jashtë aeroportit të Kabulit, duke përfunduar tërheqjen e ushtrisë amerikane, dhe duke e lënë Afganistanin në një kaos të madh në duart e talebanëve të pamëshirshëm.

Regjimi fundamentalist islamik ka rimarrë kontrollin e vendit 20 vjet pasi një pushtim i udhëhequr nga SHBA e rrëzoi atë për shkak se strehonte Al-Kaedën dhe udhëheqësin e saj Osama bin Laden, përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Rikthimi i rregullave të ashpra fondamentaliste islamike, e ka vënë seriozisht në rrezik jetën e grave dhe qytetarëve të zakonshëm. Skenat kaotike të Kabulit u pasqyruan në filmin e fundit korean “Escape from Mogadishu”, një film dramatik i bazuar në ngjarjet e vërteta të dhjetorit 1990, dhe që përshkruan një përpjekje të rrezikshme arratisjeje nga punonjësit në ambasadat e dy Koreve të bllokuar në mesin e luftës civile në Mogadishu.

Somalia ka qenë nën sundimin e grupimeve opozitare që nga janari i vitit 1991, por konflikti midis fraksioneve të ndryshme të armatosura dhe sulmet terroriste nuk kanë të sosur. Vetëm muajin e shkuar, një kamikaz shpërtheu një restorant në Mogadishu.

Misioni ushtarak amerikan ka luftuar kundër grupimit ekstremist Al-Shabab, por somalezët duhet të vazhdojnë të jetojnë ende me terrorin. 40 milionë njerëz në Afganistan dhe 16 milionë në Somali kanë vuajtur për dekada të tëra nga uria dhe varfëria për shkak të luftërave dhe terrorizmit.

Të ardhurat për frymë në Somali janë vetëm 310 dollarë, ndërsa ato në Afganistan500 dollarë, të ngjashme me nivelet e Koresë së Jugut në fillim të viteve 1970. Gjatë gjysmë shekullit të fundit, Koreja e Jugut i është bashkuar listës së vendeve të zhvilluara, ndërsa të dyja këto vende janë ende të zhytura në varfëri.

Që të dyja ato cilësohen si shtete të dështuara, për shkak se nuk mund të përmbushin rolin bazë kombëtar të mbrojtjes së jetës së njerëzve dhe zgjidhjes së problemit të varfërisë ekstreme. Pavarësisht ndihmës nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara, që të dyja nuk janë bërë ende vende të sigurta, të lira dhe të zhvilluara.

Fermerët në Afganistan, detyrohen që ta sigurojnë jetesën duke kontrabanduar opium, ndërsa peshkatarët në Somali i drejtohen piraterisë. Po pse kanë dështuar këto 2 shtete? Së pari, atyre u ka munguar sistemi i duhur.

Sipas librit “Pse dështojnë kombet”, me bashkautorë ekonomistët e njohur Daron Acemoglu dhe James Robinson, historia tregon se kombet e begata krijojnë zakonisht “sisteme politike gjithëpërfshirëse”,ku shteti siguron pronësinë private dhe konkurrencën e ndershme.

Ekonomia e një vendi nuk mund të përparojë pa një rend efektiv dhe të drejtë në sistemet ekonomike, politike dhe juridike. Afganistanit dhe Somalisë, u mungon një strukturë administrative, zbatimi i masave të sigurisë dhe institucionet gjyqësore.

Klasa sunduese është e korruptuar, ndërsa njerëzit e lodhur nga sistemi shfrytëzues, i drejtohen grupeve të rezistencës ose atyre ekstremiste fetare. Koreja e Jugut ka krijuar një sistem të mirëfilltë kapitalist. Ekonomia e saj ka përparuar duke garantuar të drejtat pronësore dhe tregtinë e lirë, si dhe duke ruajtur rendin dhe ligjin.

Së dyti, shtetet që nuk arrijnë të nxisin të talentuarit dështojnë. Në fazën e themelimit, vendet kanë pashmangshmërisht nevojë për ndihmë nga jashtë. Por ata duhet të nxisin të talentuarit në shtëpi. Fëmijët që jetojnë nën terror, detyrohen së pari të mësojnë të mbrohen dhe të qëllojnë me armë dhe jo të lexojnë dhe shkruajnë.

Ata nuk mund të rriten për të qenë të ditur dhe të aftë. Në filmin “Arratisje nga Mogadishu”, ka një skenë tragjike në të cilën fëmijëve u jepen armë teksa janë duke përtypur gjethet e një bime me një efekt të fuqishëm halucinogjen. Një shtet i dështuar, nuk siguron dot arsimimin bazë për qytetarët e tij.

Të dhënat e fundit tregojnë se që nga viti 2007 vetëm 23 për qind e njerëzve kanë arritur të ndjekin shkollën fillore. Ndërkohë në Afganistan kjo përqindje ka qenë20 për qind nën sundimin e talebanëve, dhe u rrit në mbi 90 për qind kur regjimi u përmbys në vitin 2001. Tani që talebanët janë rikthyer në pushtet, do të zhduket mundësia e arsimimit të vajzave të reja. Koreja e Jugut e ka bërë gjithmonë të detyrueshëm shkollimin fillor. Më pas shkollimi i detyrueshëm është zgjeruar deri në shkollën e mesme, duke e bërë vendin një nga më të arsimuarit në botë.

Së treti, që të ketë sukses një shtet ka nevojë të ketë udhëheqësit e duhur. Historia tregon se një komb në kulmin e tij, ka pasur gjithmonë një udhëheqës të shquar. Një udhëheqës i aftë dhe i përkushtuar, mund t’i bashkojë njerëzit në luftën kundër agresioneve për ta mbrojtur vendin dhe për ta bërë atë të zhvilluar.

Afganistani është fraksionuar prej kohësh. Edhe Somalia ka vuajtur shumë nga konfliktet ushtarake. Të dyja kombeve u ka munguar lidershipi i fortë. Koreja e Jugut ka kaluar trazira gjatë gjysmë shekullit të fundit, por njerëzit u bënë bashkë. Roli i udhëheqësve politikë, të biznesit dhe shoqërisë ka qenë shumë i madh.

Paqja dhe prosperiteti nuk mund të arrihen pa përpjekje. Afganistani dhe Somalia u mbështetën shumë tek ndihma nga jashtë dhe nuk e ndërtuan qëndrueshmërinë e tyre. Koreja e Jugut është një histori suksesi në kohët moderne, duke arritur një zhvillim të madh ekonomik dhe demokratik.

Por meqenëse rritja ekonomike është ngadalësuar, konflikti është thelluar. Udhëheqësit politikë janë të përfshirë në garën se kush do ta ketë popullin në anën e vet. Përpara janë shumë sfida për t’u përballur. Njerëzit kudo që ndodhet duhet të bashkohen për të rindërtuar kombet e tyre.

Shënim: Lee Jong-Wha, ish-ekonomisti kryesor në Bankën Aziatike të Zhvillimit, dhe ish-këshilltar i presidentit koreano-jugor për çështjet ekonomike ndërkombëtare. Aktualisht jep mësim në Universitetin e Koresë. / “Korea Joongang Daily”

Back to top button