Magazine

Pse është e pamundur të mos i paragjykojmë njerëzit?

screen-shot-2016-11-23-at-08-49-10

Truri prodhon padashjen tonë paragjykime rreth racës dhe gjinisë së njerëzve

Disa faktorë ndikojnë mendimet dhe sjelljet tona, dhe shumë prej tyre janë jashtë vetëdijes dhe kontrollit tonë. Ju mund të mendoni mbi trurin si një proçesor të dyfishtë, i përbërë nga një sistem logjik i ndërgjegjshëm dhe një  tjetër jo i ndërgjegjshëm refleksiv. Truri logjik është i qëllimshëm, vullnetar, dhe brenda vetëdijes tonë. Kjo na bën të ndjehemi nën kontroll, por kjo kërkon kohë dhe përpjekje.

Nga ana tjetër, truri refleksiv është i pavullnetshëm, jashtë vetëdijes sonë, i paarsyeshëm dhe reaktiv. Për të keqen tonë, truri refleksiv bën padashur llogaritje mendore të tilla si gjykimet mbi racën, gjininë dhe përkatësinë fetare të njerëzve. Shumica prej nesh e kanë mësuar këtë parim me rregullat e mirësjelljes shoqërore:mos gjyko njerëzit. Ne të gjithë e njohim klishenë “Mos e gjykoni një libër nga kopertina”.

Shkolla, puna dhe shumë familje i nxisin anëtarët e tyre të jenë të përzemërt me të gjithë. Por, a është e mundur të mos bëjmë asnjë gjykim? Imagjoni të shihni një fjali të shkruar diku dhe të mos e lexoni atë. Është diçka e pamundur edhe nëse përpiqeni shumë. Ngjashëm, është e pamundur të takosh dikë, dhe të kesh zero gjykime të brendshme rreth tij.

Gjykimet janë pritshmëritë në bazë të mendësisë së para-programuar, dhe kur vjen puna tek raca ne i quajmë ato stereotipe. Natyrisht, shumë gjykime janë të mira, por të tjerat mund të jene negative. Shumica prej nesh mund të plotësojnë pyetësorë me qëndrimet ndaj të tjerëve, dhe të klasifikohen si jo-racistë apo jo-seksistë. Por, a e dini kush i plotëson ato? Truri juaj logjik! Megjithatë, është truri juaj refleksiv ai që gjendet më shpesh në kontrollin e sjelljeve tuaja, veçanërisht nëse iu duhet të merrni vendime të shpejta, ose në rast se nuk doni të ushtroni shumë përpjekje njohëse.

Nuk jeni të bindur? Atëherë merrni në konsideratë rezultatet e disa studimeve të mëposhtme të bazuara mbi neuroimazhet funksionale. Neuroimazhi u lejon studiuesve të depërtojnë në mendjen refleksive, që është në masë të madhe jashtë vetëdijes tonë. Studimi i parë i tyre u bë për të shqyrtuar aktivizimin e trurit lidhur me çështjen e racës. Studiuesit paraqitën fytyrat e njerëzve zezake dhe të bardhë pjesëmarrësve të vetë-identifikuar si zezakë dhe të bardhë.

Ata zbuluan një reagim të ndryshëm në amigdala ndaj fytyrave me ngjyrë dhe atyre të bardha. Amigdala është një strukturë e trurit që përfshihet në përpunimin e frikës. Kur pjesëmarrësit që e vetë-identifikonin veten si të bardhë, shihnin fytyrat e njerëzve me ngjyrë, amigdala e tyre ishte më e aktivizuar se sa kur shihnin njerëz të ngjashëm me veten.

Një interpretim i mundshëm i këtyre rezultateve, është se pjesëmarrësit i shihnin fytyrat me ngjyrë dhe jo ato të bardha si kërcënuese. Po në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet aktivizimit të amigdalës dhe masave të qarta të paragjykimit (trurit logjik), si pyetësorët, a janë ato të lidhura? Me fjalë të tjera, kur rezultati i dikujt mbi një vlerësim të hapur të paragjykimit, nuk tregon asnjë gjurmë të qëndrimeve negative, a do të tregojë amigdala e tyre një profil aktivizimi që përputhet? Felps në vitin 2000, ekzaminoi lidhjen midis vlerësimeve të bendshme dhe të hapura të paragjykimeve racore dhe aktivizimin e amigdalës.

Në skanerin e fMRI-së, pjesëmarrësit e bardhë u ekspozuan ndaj fytyrave me ngjyrë, dhe iu kërkua të përfundojnë një detyrë që nuk kishte lidhje me çështjen. Pas sesionit të skanimit fMRI, atyre iu kërkua t’u përgjigjen pyetjeve të hapura dhe të mbyllura ndaj qëndrimeve racore. Interesante ishte që aktivizimi i amigdalës, qe i lidhur me vlerësimin e nënkuptuar, por jo të hapur të qëndrimeve racore.

Në fakt, amigdala është potencialisht një pjesë e sistemit jo të ndërgjegjshëm refleksiv, ndaj dhe është e lidhur vetëm me masën e nënkuptuar të paragjykimeve raciale. Edhe kur njerëzit të përgjigjen në mënyrë të favorshme ndaj pyetjeve të hapura të qëndrimeve racore, ata ende mund të kenë qëndrime negative pa dijeninë e tyre. Shumë prej këtyre qëndrimeve negative janë refleksive në natyrën e tyre, dhe kësisoj mund të kontribuojnë në fenomene të tilla si profilizimi racor, diskriminimi në punë, dhe kufizimet e përgjithshme të mundësive.

Prandaj për të reduktuar qëndrimet negative ndaj të tjerëve ne duhet të riprogramojmë mendjen tonë refleksive. Ajo aktualisht është e programuar nga zakonet që ne zgjedhin të përhapim, përvojat ku integrojnë veten, dhe informacioni me të cili e rrethojmë veten. / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button