Magazine

Pse Jeruzalemi është kaq i rëndësishëm? Flet historiani Simon Sebag Montefiore

Ai është objekt adhurimi, frymëzimi hyjnor, por edhe subjekt i debateve të zjarrta. Por historia e Jeruzalemit, është sa e gjatë aq edhe komplekse. Ai konsiderohet të jetë një vend i shenjtë nga hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët. Qyteti është mijëra vite i vjetër, dhe i ka mbijetuar luftërave botërore dhe katastrofave natyrore.

Simon Sebag Montefiore, është një nga historianët me të mirënjohur dhe më të shitur në botë. Ai ka shkruar disa libra mbi një gamë të gjerë temash si Stalini, Romanovët, dhe fjalimet që ndryshuan botën.

Një nga librat e tij bestseller në mbarë botën titullohet “Jeruzalemi:Një biografi” e vitit 2014, që përfshin historinë e plotë të këtij qyteti magjepsës. Në një intervistë, Montefiore flet historinë e Jeruzalemit, dhe mënyrën se si ky qytet u bë “qendra e botës”.

Çfarë gjëje kishte të veçantë Jeruzalemi, që i nxiti njerëzit ta bëjnë qytetin e tyre të shenjtë?

Zhvillimi i Jeruzalemit si një qytet i shenjtë universal, është një nga dukuritë më të çuditshme të gjeopolitikës dhe zhvillimit të feve. Në fillim, ai nuk kishte ndonjë gjë të veçantë, përveç faktit se ajo ishte fortesë natyrore e vendosur mbi një kodër, dhe pranë tij kishte një burim uji.

Pra ishte një vend i natyrshëm, ku njerëzit mund të ndërtonin një vendbanim. Së dyti, ishte një vend i natyrshëm për të ndërtuar një vend të shenjtë, që shpesh lidheshin me fetë pagane, dhe me një vend të lartë si një mal.

Sigurisht, burimi e bëri atë një vend ideal. Por Jeruzalemi nuk ishte ndonjë rrugë kryesore tregtare. Për shkak se ishte i pozicionuar larg detit. Ishte thjeshte një mal buzë shkretëtirës së Judesë. Ne mendojmë se në ato kohë, kishte shumë më tepër kafshë të egra dhe pyje sesa sot.

Por gjithsesi nuk kishte shumë gjasa, të bëhej qyteti i shenjtë i botës perëndimore.

Sa sfiduese është të gjesh burime rreth Jeruzalemit, mbi të cilat mund të mbështetemi?

Në fakt ka shumë pak burime, dhe nuk mund të përdorësh vetëm Biblën. Interesante me këtë qytet është fiksimi me mbretin David. Kjo është një çështje e madhe, që i ka intriguar që të gjithë:A ekzistonte mbreti David, dhe a ka prova të ekzistencës së tij?

Kjo është një çështje me konotacione shumë politike. Pasi nëse nuk mund të gjejmë prova të ekzistencës së Mbretit David dhe të Tempullit të Parë, atëherë kjo ka shumë ndikime politike sot. Në fakt ka prova tek Tel Dan Stele, që përmend Shtëpinë e Davidit. Pra, ka dëshmi se Davidi ishte themeluesi i kësaj mbretërie, dhe ka shumë të ngjarë të ketë qenë kështu.

Sa i rëndësishëm, ishte rrethimi i Jeruzalemit në vitin 70 Pas Krishtit?

Shumë i rëndësishëm. Është një dramë e ngjashme me Betejën e Berlinit në vitin 1945, apo Rrethimet e Stalingradit dhe Leningradit. Ajo pati ndërkojë pasoja të mëdha fetare dhe politike. Ai rrethim shënoi fundin e pavarësisë së hebrenjve në Tokën e Shenjtë, dhe me një përjashtim të vogël, nuk ekzistoi më një mbretëri tjetër hebreje deri në vitin 1948.

Së dyti, për sa i përket Perandorisë Romake, kjo do të thoshte se që nga atëherë hebrenjve u ishte ndaluar të hynin në Jeruzalem. Dhe kjo u pa si një heqje e favorit hyjnor apo bekimit të popullit hebre. Kjo gjë pati pasoja të mëdha, pasi së pari çoi në ndryshimin e vetë fesë hebreje.

Para këtij momenti, feja hebraike ishte plotësisht e bazuar rreth tempullit në Jeruzalem, dhe rreth flijimeve të kafshëve jashtë Shenjtit të të Shenjtërve. Ky ishte Judaizmi i Tempullit. Dhe pas rrethimit, Judaizmi ndryshoi njëherë e përgjithmonë, dhe Testamenti i Vjetër, sidomos 5 librat e Moisiut (Tora), u bënë “Jeruzalemi i lëvizshëm” për popullin hebre.

Gjërat kanë mbetur kështu edhe sot e kësaj dite. Po ashtu, feja e krishterë adhurohej deri atëhere ende si një fraksion hebre brenda Tempullit. Kur panë që Tempulli u shkatërrua, ata u ndanë përgjithmonë nga feja mëmë, dhe nga ai moment lind Krishterimi modern.

Së treti, 600 vjet më vonë ishte ajo ngjarje, dhe më pas zhvillimi i Krishterimit pas tij, që e bindi Muhamedin se ai vetë ishte shpallja e tretë dhe e fundit e Zotit. Shpallja e parë iu dha hebrenjve, por ajo përfundoi në vitin 70 Pas Krishtit, kur u shkatërrua Tempulli në Jeruzalem.

E dyta ishte Krishterimi, dhe Muhamedi e konsideronte Jezu Krishtin një profet. Dhe e treta ishte vetë Muhamedi, teksa shpallja përfundimtare ishte ajo e fesë Islame. Pas vitit 70 të Erës Sonë, filloi ajo që njihet si feja moderne në botën perëndimore.

Cilat pjesë të Jeruzalemit të vjetër, mund të vizitojnë ende sot turistët?

Në atë qytet ka shumë gjëra për të parë. Lashtësia e një vendi të shenjtë, e shton shenjtërinë e tij. Kjo është arsyeja pse Jeruzalemi, është ruajtur shumë dhe në mënyra të ndryshme. Aty mund të shihen gjëra të mahnitshme.

Vendi im i preferuar është Porta e Artë në Murin Lindor, që është shumë e lashtë, dhe mund të jetë ndërtuar nga Herakliu ose Kalifi Umajad, këtë nuk e dimë me siguri. Është vendi më i bukur, dhe aty që të tria fetë besojnë se do të nisë Armagedoni ose Dita e Gjykimit.

Cili mendoni se është keqkuptimi më i madh mbi Jeruzalemin?

Keqkuptimi më i madh, është se secila nga 3 fetë kërkon që ta pronësojë qytetin për vete. Unë mendoj se një ndër arsyet pse e kam shkruar librin tim “Jeruzalemi”, dhe pse jam aq i kënaqur që është lexuar shumë, është se kam dashur që njerëzit të kuptojnë se në fakt ka një histori tjetër.

Ai është një qytet ndërkombëtar, universal.

Nuk ka asnjë qytet të ngjashëm me Jeruzalemin, dhe mënyra e vetme që të kemi paqe, është që hebrenjtë ta pranojnë se ekziston një narrativë islamike, dhe që muslimanët ta pranojnë se aty ka edhe një narrativë hebreje. Është e gabuar të mohohet historia e njërës palë. Pa i njohur që të dyja, është e pamundur që aty të ketë paqe. Paqja në Jeruzalem është e mundur, ashtu sikundër kudo tjetër. / LiveScience – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button