EkonomiMAIN

Pse ka ardhur koha të futet në zbatim, sistemi i të ardhurave themelore për të gjithë

Nga Evelyn L. Forget

Një e ardhur financiare bazë, një pagesë e rregullt, e pakushtëzuar dhe e shpërndarë nga qeveria, është një ide e vjetër. Tomas Mor shkroi për këtë që gjatë periudhës së Rilindjes tek “Utopia” ndërsa Tomas Pejn predikoi meritat e këtij sistemi, kur Shtetet e Bashkuara sapo ishin krijuar si shtet.

Por kjo ide, nuk fitoi kurrë një mbështetje të gjerë nga politika. Edhe pse sociologët kishin testuar prej kohësh efektet e të ardhurave bazë përmes projekteve pilot në të gjithë botën, ishte e lehtë të imagjinohej që qeveritë t’i lejonin këto eksperimente, me shpresën se entuziazmi i publikut të mund të shuhej deri në kohën e daljes së rezultateve.

Pas krizës financiare të vitit 2008, Organizata Ndërkombëtare e Punës, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Organizata Botërore e Shëndetit dhe sidomos Banka Botërore tregoi një interes për të ardhurat bazë. Gjithsesi, asnjëherë ideja nuk e bëri hapin e nevojshëm nga letrat e bardha si projekt në botën reale.

Në Shtetet e Bashkuara, mbrojtësi më i shquar i të ardhurave bazë ishte kandidati presidencial demokrat i zgjedhjeve të 2020-ës, Edrju Jang. Si një zgjidhje për papunësinë strukturore të shkaktuar nga automatizimi, Jang propozoi që çdo amerikan i rritur të marrë një çek mujor prej 1.000 dollarësh.

Ai e quajti atë “dividenti i lirisë”, dhe përbënte një pjesë kryesore të platformës së tij. Por më 11 shkurt, pasi kishte marrë vetëm 2.8 për qind të votave në zgjedhjet paraprake të Nju Hempshajër, Jang e braktisi garën. Mungesa e interesit për idenë e tij nuk dukej e habitshme.

Në shumicën e vendeve me të ardhura të larta, ishte e drejtë të thuhej se të ardhurat themelore ishin si një kult i errët, i njohur vetëm nga njerëzit që lexonin trillime spekulative dhe që vishnin bluza me dizenjo të maskuara si ekuacione matematikore. Interesi që ngjallnin ishte i njëjtë.

Pastaj erdhi pandemia. Në muajt mars dhe prill, pasi Covid-19 detyroi qeveritë të mbyllnin ekonomi të tëra, udhëheqësit në mbarë botën e kuptuan se programet ekzistuese të përfitimeve sociale nuk ishin në lartësinë e detyrës, për t’i ndihmuar njerëzit të plotësonin nevojat e tyre themelore në kohën që nuk punonin.

Në Shtetet e Bashkuara, edhe konservatorët u rreshtuan për të mbështetur grante të pakushtëzuara në para. Senatori Mit Romi, republikani i Utah, propozoi dhënien çdo amerikani të rritur të një pagese të vetme prej 1.000 dollarësh.

Kongresi miratoi me shpejtësi një paketë të madhe stimuluese, e cila shpërndau pagesa deri në 1.200 dollarë për njerëzit që ishin nën një prag të caktuar të ardhurash, e zgjeroi klasën e njerëzve të kualifikuar për sigurimin e papunësisë, dhe shtoi 600 dollarë në çdo kontroll të papunësisë javore.

Në më pak se një muaj, një ide që gati të gjithë politikanët e kishin konsideruar heretike ishte bërë – qoftë edhe përkohësisht – një politikë aktuale. Natyrisht, ajo që ndryshoi ishte politika. Në kohëra normale, të papunët vështirë se përbëjnë një bllok të rëndësishëm votuesish, por pandemia e shtoi në mënyrë dramatike numrin e njerëzve të pa punë, dhe politikanët menduan se si të reagonin.

Kur nisën bllokimet dhe bizneset po mbylleshin, njerëzit që nuk kishin pritur kurrë të kishin nevojë për ndihmën e qeverisë, nisën të zhyten në panik kur ndaluan së marri pagat e tyre. Shumë prej tyre u regjistruan në programe të përcaktuara sociale, duke zbuluar se nuk kualifikoheshin për to, pasi punonin me kohë të pjesshme apo për veten e tyre.

Edhe ata që u kualifikuan, zbuluan se niveli i përfitimeve nuk i afrohej përballimit të shpenzimeve të tyre më jetike. Përballë miliona aplikantëve që nuk kishin pasur kurrë më parë nevojë për mbështetje, sistemet e mirëqenies sociale u futën në kaos.

Pandemia zbuloi shkallën në të cilën sigurimi i papunësisë dhe programet e tjera sociale, nuk kishin arritur të ecnin në një hap me evolucionin e tregut të punës. Në gjithë botën, nëpunësit civilë kishin për detyrë të hartonin programe të papunësisë që u paraqitën për miratim brenda disa javësh, disa më me sukses se të tjerat.

Shumë vende me të ardhura të larta, i bënë shpërndarjet e parave të gatshme si pjesë kryesore të reagimit të tyre. Në qershor, Spanja zbatoi një program që ofron pagesa mujore prej rreth 1.100 dollarësh për familjet e varfra. Në gusht, Gjermania nisi zbatimin e një projekti pilot në të cilin 120 gjermanë do të merrnin 1.400 dollarë në muaj për 3 vjet.

Pa ndonjë qëllim konkret, qeveritë e panë veten duke eksperimentuar me forma të ndryshme të skemës së të ardhurave themelore. Konservatorët e financave kishin argumentuar prej kohësh se programet më bujare sociale ishin thjesht shumë të shtrenjta për t’u financuar, dhe shumë të komplikuara për tu menaxhuar.

Por kjo u zbulua se ishte e pavërtetë. Kanadaja zbatoi një sistem shumë bujar social vetëm dy javë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandemi Covid-19. Programi përfshiu jo vetëm njerëzit që humbën vendet e tyre të punës, apo punuan më orë të reduktuara për shkak të krizë, por edhe ata që nuk mund të punonin dot pasi ishin në karantinë ose po kujdeseshin për fëmijët.

Edhe të vetë-punësuarit ishin të pranueshëm në skemë. Njerëzit mund të aplikojnë në internet ose përmes telefonit për disa minuta, dhe pagesat e ndihmës depozitohej brenda disa ditësh direkt në llogaritë bankare të marrësve.

As programi kanadez dhe as homologët e tij në vendet e tjera, nuk janë të ardhura të vërteta themelore. Të gjithë ishin krijuar për të qenë të përkohshëm, dhe praktikisht të gjithë ata kërkuan që marrësit të nisnin punë në 12 muajt e ardhshëm, një rregull që përjashtonte të papunët afatgjatë dhe personat me aftësi të kufizuara.

Por me madhësinë e tyre të konsiderueshme, lirshmërinë e pranimit të shumë kategorive sociale, këto programe evokuan disa nga shenjat dalluese të të ardhurave bazë. Një e ardhur reale bazë, nuk është një përfitim emergjent afatshkurtër, por një program i përhershëm që ofron një pagesë të parashikueshme.

Ekzistojnë dy forma kryesore. E para është një e ardhur bazë universale, e cila i paguan të gjithëve të njëjtën shumë rregullisht, dhe mbështetet mbi një sistem progresiv taksash, për të garantuar një pjesë të pagesave nga ata që fitojnë më shumë.

E dyta është një e ardhur minimale e garantuar, që u jep më pak përfituesve kryesorë të skemës, dhe asgjë atyre që janë më të pasur. Por të dyja llojet e skemës, janë krijuar për të siguruar që të gjithë në shoqëri të kenë mjaftueshëm para për të pasur një jetë modeste, por dinjitoze.

Dhe që të dyja nuk kërkojnë që njerëzit të vërtetojnë se dikur kanë punuar dhe kanë derdhur sigurime, të provojnë se janë në kërkim të një pune, apo të marrin pjesë në programe trajnimi për punë.

Një e ardhur bazë nuk është një zëvendësim për shërbimet publike. Personat me aftësi të kufizuara ose varësi, kërkojnë ende mbështetje të veçantë, dhe të gjithë kanë nevojë për kujdes shëndetësor dhe arsimim. Një e ardhur bazë është vetëm para, por kjo është përparësia e saj mbi programet e tjera të mbështetjes së të ardhurave.

Me të ardhura themelore, ajo çka duhet të bëjnë të gjitha qeveritë është të transferojnë para te njerëzit. Kjo është një metodë shumë më efikase e mbështetjes, sesa shumë prej sistemeve komplekse, burokratike aktualisht në fuqi. Një e ardhur bazë ka një epërsi tjetër mbi programet ekzistuese:nuk supozon të dijë se çfarë i duhet dikujt.

Mendoni pak për Programin e Ndihmës Suplementare të Ushqimit të qeverisë amerikane, që jep para që mund të shpenzohen vetëm për ushqime. Supozimi themelor është se njerëzit do të marrin vendime të këqija nëse paratë u lihen në duar atyre.

Përkundrazi, premisa e të ardhurave themelore, është se shkaku i afërt i varfërisë është mungesa e parave, ndaj qeveria duhet ta zgjidhë këtë problem dhe t’i lerë njerëzit të vendosin vetë se si t’i shpenzojnë ato.

Nga ky sistem njerëzit bëhen më të shëndetshëm. Nga rishikimi i Eksperimentit Vjetor Manitoba, ose Mincome, që ofronte një të ardhur bazë në vitet 1975-1978, unë zbulova se njerëzit që merrnin të ardhura bazë i përdornin 8.5 për qind më pak spitalet se ata që nuk merrnin.

Të ardhurat themelore mund të zvogëlojnë krimin. Gjatë eksperimentit të Mincome, krimi ra me 15 për qind në një qytezë të vogël, që shërbeu si një projekt pilot ku kishin të drejtë të merrnin pjesë të gjitha familjet. Komuniteti regjistroi jo vetëm më pak krime të pronës, por edhe më pak dhunë.

Një nga argumentet më të mëdha kundër sistemit të të ardhurave bazike, është se kjo do të dekurajojë punën. Por nuk ka asnjë provë për ta mbështetur atë pretendim, dhe këtë e vërtetoi eksperimenti Mincome.

Për një kohë të gjatë, politikë-bërësit kanë hezituar të përqafojnë të ardhurat bazë. Atyre u duket një sistem shumë i paimagjinueshëm, shumë i pazakontë. Por krizat kanë një mënyrë për ta ndryshuar politikën brenda ditës. Pandemia u ka rikujtuar politikanëve një të vërtetë, që shumë njerëz e kanë ditur për një kohë të gjatë:rrjeti ekzistues i sigurimeve shoqërore ka shumë të meta, ndaj dhe është koha për diçka e re. / “Foreign Affairs” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button