Analiza

Pse Perëndimi është fajtor për dobësinë e vet

Nga Philip Stephens

“Financial Times”

Quajeni atë epokën e optimizmit. Njëzet e pesë vjet më parë, bota i përkiste liberalizmit. Komunizmi sovjetik ishte shembur, SHBA po përjetonte momentin e superfuqisë së vetme globale, ndërsa Kina iu bashkua ekonomisë së tregut.

Integrimi evropian, i kishte dëbuar “demonët” e nacionalizmit. Ju nuk keni pse të mendoni se rrotat e historisë kishin pushuar së rrotulluari,për të gjykuar se shekulli XXI do të ishte modeluar sipas imazhit të përparimit të demokracisë dhe një rendi ekonomik liberal.

Politikë-bërësit e sotëm po përballen me një botë të formuar nga një përplasje e pritshme midis SHBA-së dhe Kinës, nga një garë midis demokracisë dhe autoritarizmit, si dhe nga përplasja midis globalizimit dhe nacionalizmit.

Britania është sërish “e sëmura” e Evropës. Nëse kjo gjë nuk ju duket mjaftueshëm dramatike, atëherë mund të shtoni edhe kërcënimin ekzistencial të ngrohjes globale të krijuar nga vetë njeriu. Shpjegimi i thjeshtë i kësaj që po ndodh, është se Perëndimi ra pre e naivitetit gjatë viteve 1990.

Fitorja në Luftën e Ftohtë e trullosi. Standardet e jetesës ishin në rritje. Në atë kohë ishte ende e mundur të imagjinohej interneti (para Facebook-ut) si një komunitet global me synime të mira. Në çdo rast, është instinkti njerëzor ai që do të projektojë të tashmen në të ardhmen.

A nuk ecën historia në vijë të drejtë? Në këtë aspekt as Evropa nuk ishte e pafajshme. Internacionalistët liberalë të kontinentit, bënë si kauzë të përbashkët me neokonservatorët amerikanë promovimin e një misioni të madh demokratizues në botë.

Amerika kishte armë, ndërsa Bashkimit Evropian fuqinë e saj “normative”. Zona të mëdha të botës do të bëheshin pro evropiane. Por degradimi i shumë gjërave që atëherë ka bërë që rendi i pasluftës së ftohtë i udhëhequr nga SHBA-ja, t’i hapë rrugë rikthimit të rivalitetit midis fuqive të mëdha, populistëve të ekstremit të djathtë dhe atij të majtë, duke ngritur nacionalizmin kundër integrimit evropian, dhe duke pasur një përleshje merkantiliste për sovranitetin ekonomik kombëtar.

Në një epokë të “forcave” autoritare, të kryesuara nga Xi Jinping i Kinës dhe Vladimir Putin i Rusisë, demokracia është goxha e sfiduar. Dhe tani politikë-bërësit perëndimorë rrezikojnë të bëjnë një gabim tjetër të madh, duke e identifikuar Kinën si sfidën më urgjente ndaj rendit ndërkombëtar aktual.

Tani po na thuhet se SHBA dhe aleatët e saj, duhet t’i përqendrojnë energjitë e tyre në mbledhjen e burimeve të tyre, për të shmangur kërcënimin kinez. Dhe ajo që na nevojitet janë më shumë nëndetëse në Detin e Kinës Jugore.

Por duke pasur parasysh ndërhyrjen luftarake të Pekinit, ky argument është mashtrues. Po ashtu, ai shërben për të shmangur vëmendjen dhe si një justifikim për të mos pranuar atë që ka ndodhur vërtet që nga vitet 1990. Po është e vërtetë, Kina është rritur me një ritëm shumë më të shpejtë nga sa e imagjinonte pothuajse kushdo.

Por fakti është se faji kryesor për dobësimin e demokracive perëndimore është i vetë Perëndimit. Luftërat e Amerikës në Afganistan dhe Irak janë pjesë e historisë. Ato ishin menduar si një demonstrim force që do të shpëtonte fuqinë amerikane.

Por në fakt këto konflikte shumë të kushtueshme dhe jopopullore, shërbyen për të përcaktuar limitet e Pax Americana (rendit botëror të udhëhequr nga SHBA). Superfuqia e vetme premtoi që të rimarrë Lindjen e Mesme. Por në vend të kësaj, siç e pamë muajin e kaluar me rënien e Kabulit, Uashingtoni është detyruar të tërhiqet.

Pjesa tjetër e botës i vëre këto gjëra. Por dështimi në Lindjen e Mesme, mbetet në hije përkundrejt dëmit të shkaktuar nga kriza financiare globale e vitit 2008. Historianët do ta cilësojnë atë më shumë si një ngjarje me rëndësi gjeopolitike sesa ekonomike, kjo pasi demokracitë perëndimore pësuan një goditje potencialisht vdekjeprurëse.

Dështimi i ekonomisë liberale të laissez-faire (pa ndërhyrjen e madhe të shtetit në sektorin privat), ishte mëse i dukshëm edhe para falimentimit të bankës symadhe amerikane “Lehman Brothers”. Të ardhurat e shtresës së mesme kishin ngecur në vend prej kohësh, nën presionin e përparimit teknologjik dhe tregjeve të hapura.

Ndërkohë ishte gjithashtu e qartë se përfitimet e globalizimit po shkonin më shumë në xhepat e të pasurve dhe super të pasurve. Megjithatë, kriza nxori në pah atë që ishte shndërruar në fakt në një krizë të fshehtë që vlonte prej kohësh në heshtje.

Ata që kërkojnë një shpjegim për fitoren presidenciale të Donald Trump, për votimin pro Brexit në Britani, apo për rritjen e liderëve populistë në të gjithë Evropën, nuk kanë nevojë që të shkojnë shumë larg. Teprimet e industrisë së shërbimeve financiare dhe vendimi i qeverive për t’i vendosur kostot e krizës kryesisht tek shtresa e mesme dhe e ulët,e kanë goditur rëndë legjitimitetin demokratik.

Ajo që kuptoi Trump në SHBA dhe populistët e tjerë, është se respekti i votuesve për politikën e establishmentit i ka rrënjët tek një pakt. Besimi publik tek demokracia-pra në sundimin e ligjit dhe institucionet e shtetit – mbështetet mbi perceptimin se të paktën sistemi pretendon të vendosë drejtësi.

Që nga kriza financiare ka pasur reforma në këtë aspekt, por ka pak shenja se ato janë të mjaftueshme. Nuk kishte asgjë të gabuar me ambicien e optimistëve të pasluftës së ftohtë. Por është e vështirë të shihet se si mund të funksionojë bota pa demokracinë liberale dhe një sistem ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Ajo që nuk kuptuan asokohe optimistët, dhe që po e anashkalojnë sot vëzhguesit e Kinës, është dobësimi i besimit tek demokracia në SHBA. Sigurisht, Kina përbën një kërcënim të mundshëm. Por një mandat i dytë presidencial për Trump, do të ishte shumë më i rrezikshëm.

Back to top button