Shkence

REALITETI / Informacioni është gjithçka

Screen Shot 2015-06-01 at 5.35.00 PM

Michael Brooks

Cfarëdo lloj realiteti që mendoni se po jetoni, ndoshta gaboheni. Universi është një kompjuter, dhe çdo gjë që ndodh në të, mund të shpjegohet me përpunimin e informacionit. Lidhja mes realitetit dhe shkencës kompjuterike mund të mos jetë menjëherë e dukshme, por hiqni disa shtresa dhe pikërisht këtë do të gjeni, sipas disa studiuesve. Ne e mendojmë botën si të përbërë nga thërrmija që bashkohen prej forcave, për shembull, por teoria kuantike na thotë se këto janë thjeshtë një rrëmujë fushash që mundemi t’i përshkruajmë vetëm përmes matematikës së fizikës kuantike.

Pikërisht këtu hyn në lojë kompjuteri, të paktën nëse mendon për të në terma konceptualë si dicka që përpunon informacion, dhe jo si një kuti mbi tavolinën tënde. “Fizika kuantike pothuajse përshkruhet në terma të përpunimit të informacionit”, thotë Vladko Vedral i Universitetit të Oksfordit. “Eshtë domethënëse që përpunimin e informacionit e gjen në rrënjë të gjithçkaje”.

Informacioni sigurisht që ka një vend të vecantë në teorinë kuantike. Parimi i famshëm i pasigurisë – që thotë se nuk mund të dish njëkohësisht shpejtësinë dhe pozicionin e një thërrmije – zbërthehet tek informacioni. Ashtu si edhe “kokolepsja”, ku objekte kuantikë ndajnë cilësi dhe shkëmbejnë informacion pavarësisht nga distanca fizike mes tyre.

Në fakt, çdo proces në univers mund të reduktohet në ndërveprimet mes thërrmijave që prodhojnë përgjigje binare: po ose jo, këtu ose atje, lartë ose poshtë. Kjo do të thotë që natyra në nivelin e saj më themelor, është thjeshtë vërtitja e shifrave binare, apo bit-eve, tamam si një kompjuter. Rezultati i morisë së bit-eve është i dukshëm në atë që e perceptojmë si një vendosje e vazhdueshme, rivendosje dhe ndërveprim i atomeve – me fjalë të tjera, realiteti.

Sipas Ed Fredkin i Institutit të Teknologjisë në Massachusetts, nëse do të mund të gërmonim në këtë proces do të gjenim se universi ndjek vetëm një ligj, një rregull të vetëm të përpunimit të informacionit që është gjithcka që të duhet për të ndërtuar një kozmos. Në këndvështrimin e Fredkin, kjo do të ishte një lloj procedure e tipit “nëse – atëherë”; ai lloj rregulli që përdoret në shkencën tradicionale të kompjuterëve për të manipuluar bit-et që mbahen nga tranzistorët në një chip, por këtë herë zbatuar në bit-et e universit.

Vedral dhe të tjerë mendojnë se është pak më e ndërlikuar se kaq. Për arsye se ne mund të reduktojmë gjithcka në univers në njësi që ndjekin ligjet e fizikës kuantike, universi duhet të jetë një kompjuter kuantik, në vend të tipit klasik që ne e njohim.

Një prej joshjeve të kësaj ideje është se mund të ofrojë përgjigje për pyetjen “përse është dicka, dhe jo asgjë?” Rastësia e qenësishme në fizikën kuantike do të thotë që informacioni mund të nisë të ekzistojë spontanisht, thotë Vedral.

Për të gjithë këto ide teorike, është e vështirë të provojnë që universi është një kompjuter kuantik. Edhe kështu, ka një vëzhgim që mbështet idenë se universi është në themel i përbërë nga informacioni. Në vitin 2008, detektori gravitacional GEO 600 në Hanover të Gjermanisë, kapi një sinjal jo normal që tregonte se hapësirë-koha është e përbërë nga pixel-a. Kjo është pikërisht ajo që do të pritej në një univers “holografik”, ku realiteti tredimensional është në fakt projektim i informacionit i koduar në një sipërfaqen dydimensionale të kufirit të universit.

Kjo ide e çuditshme u ngrit nga një debat mbi vrimat e zeza. Një prej ligjeve themelorë të fizikës është se informacioni nuk mund të shkatërrohet, por një vrimë e zezë duket se e shkel këtë duke gëlltitur gjëra që përmbajnë informacion dhe pastaj duke avulluar gradualisht. Cfarë ndodh me atë informacion ishte temë e një debati të gjatë mes Stephen Hauking dhe shumë prej nxënësve të tij. Në fund, Hauking e humbi debatin, duke pranuar se informacioni është i skalitur në horizontin që përcakton kufirin e vrimës së zezë dhe largohet teksa vrimat e zeza avullojnë. Kjo coi fizikanët Leonard Susskind dhe Gerard Hooft që të propozojnë se i gjithë universi mund të mbajë informacionin si kufi të tij – me pasojën që realiteti ynë mund të jetë projeksion i atij informacioni në hapësirën brenda kufirit. Nëse kjo lidhje është e vërtetë, atëherë realiteti është si imazhi i Princesësh Leia projektuar nga R2D2 tek “Luftërat e Yjeve”: një hologram. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button