Analiza

Reformimi i demokracisë dhe e ardhmja e historisë

demoNayef Al-Rodhan

Për të përhapur demokracinë, kombet demokratikë duhet të shohin pikësëpari brenda vetes

Në vitin 1975, një raport i përgatitur nga Komisioni Tripalësh, me titull “Kriza e demokracisë” sinjalizonte pesimizmin dhe disfatizmin që mbizotëronte në demokracitë perëndimore në atë kohë, në lidhje me të ardhmen dhe qëndrueshmërinë e demokracisë. Raporti reflektonte një krizë të thellë ekonomike, si dhe trazira sociale e politike. Kriza e demokracisë ishte e lidhur ngushtë me shqetësimet për “kapitalizmin monopolistik”, materializmin e shfrenuar dhe korrupsionin. Katër dekada më vonë, demokracia është sërish në gjendje krize. Kjo shkakton një farë habie, duke patur parasysh që valët e njëpasnjëshme të demokratizimit kanë prekur çdo rajon të botës gjatë 40 viteve të fundit. Por, tani po bëhet e dukshme një tendencë e kundërt. Në fakt, demokracia ka vite që është në sprapsje, pasi shumë qeveri shtypëse u bënë edhe më shtypëse, liritë civile pësuan rënie dhe ushtria u fuqizua në shumë shtete.

Gjendja e demokracisë sot

Në fillim të viteve 1990, fundi i Luftës së Ftohtë kishte sjellë një rivlerësim të demokracisë, si forma më përafqësuese e qeverisjes. Megjithatë, ky entuziasëm u kundërpeshua prej kritikave ndaj dështimeve dhe mangësive të saj. Demokracitë garantojnë liri politike, sundim të ligjit, të drejta të njeriut si dhe një platformë që qytetarët të angazhohen në procesin politik. Megjithatë, në praktikë demokracitë kanë shumë të meta.

Pabarazia ekonomike, mungesa e shanseve, shkelja e lirive, diskriminimi etnik, social dhe kulturor, korrupsioni dhe sistemet e errët të favoreve janë të gjithë të pranishëm, dhe me sa duket jo antagonistë me demokracitë.

Edhe në nivel global, demokracitë kanë vepruar në mënyra të tilla që tregojnë për heqje dorë pikërisht prej atyre parimeve që zbatohen brenda kombeve demokratikë.

Sjellje e papërgjegjshme, përfshirë pushtime të paparalajmëruar, tolerim i brutalitetit, gjenocid, keqpërdorim i sistemit të vetos në OKB në dëm të harmonisë dhe paqes globale, si dhe makinacione gjeopolitike ose përzierje në punët e shteteve më të vegjël – janë të gjithë tipare që kanë karakterizuar sjelljen e demokracive të mëdha në momente të ndryshëm të kohës.

Pabarazia armiqëson

Demokracitë perëndimore si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca – që tradicionalisht janë konsideruar “demokraci të përparuara” – përjetojnë pabarazi akute, madje edhe raste varfërie ekstreme.

Në vitin 2009, një raport i qeverisë së SHBA fliste për një rritje dramatike të urisë dhe mosfurnizimit me ushqim. Rreth 50 milionë vetë ishin identifikuar se kishin vuajtur prej mosfurnizimit me ushqim në momente të ndryshëm gjatë vitit që kaloi. Një në pesë vetë në Mbretërinë e Bashkuar identifikohen gjithashtu se kanë rënë poshtë nivelit të varfërisë. Shpesh herë, rritja e pabarazisë forcohet edhe prej uljes së shanseve. Kjo gjë ushqen zhgënjimin dhe pjesëmarrje të ulët politike.

Siç ka thënë Joseph Stiglitz: “Të pasurit nuk kanë nevojë të mbështeten tek qeveria për parqe, arsim, kujdes shëndetësor apo siguri personale – ata mund t’i blejnë të gjithë këto gjëra. Dhe gjatë këtij procesi, bëhen më distantë prej njerëzve të zakonshëm, duke humbur çdo lloj simpatie apo dhimbsurie që mund të kenë patur dikur”.

Financimi prej korporatave i fushatave politike ka forcuar këtë gjë, duke marrë peng procesin demokratik. Ai armiqëson edhe më shumë votuesit që ndiejnë se janë të përjashtuar nga një proces, i cili është përtej kontrollit të tyre. Roli i parasë në politikë duhet veçuar si një problem madhor në qeverisjen demokratike. Efektet e tij janë vërtetë shqetësues, sidomos kur ka pak transparencë dhe mekanizma rregullues për të kufizuar rolin shtrembërues të parasë në politikë.

Kontrolli vlen sa një mijë fjalë

Vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA në 2010, në çështjen “Citizens United”, ruajti haptaz të drejtën e shpenzimeve të pakufishme në fushata, duke u dhënë korporatave, shoqatave dhe donatorëve miliarderë lirinë për të influencuar rëndshëm dhe në mënyrë jodemokratike qeverinë. Ironia është se iu dha si një formë e lirisë së shprehjes.

“Super PAC”-et e kanë bërë të paqartë vijën ndarëse mes personales dhe politikes. Ata forcojnë dhe vënë në lëvizje rotacionin e politikëbërësve, në Kongresin e SHBA dhe në krahun ekzekutiv, shumë prej të cilëve janë tashmë pjesë e 1 përqindëshit të më të pasurve (dhe në çdo rast, mbahen në zyra prej parave të atyre që janë në 1 përqindëshin në majë).

Dhe çfarëdo kufizimesh që mund të kishte kjo praktikë, ata u hoqën në fillim të 2014-ës kur Gjykata e Lartë i hapi derën edhe më shumë parave në politikë, duke hequr fare limitet e kontributit agregat për fushatat. Në terma praktikë, ky vendim nënkupton që një donator i vetëm mund të kontribuojë me miliona dollarë për kandidatët politikë, dhe kështu ul shumë mundësinë e futjeve të personave, ideve apo sfidantëve të rinj në arenën politike.

Dhe së fundi, ndjenja e zhgënjimit me demokracinë në formën aktuale është forcuar prej nxjerrjes zbuluar të survejimeve masivë nga qeveria, si dhe shkeljeve të privatësisë dhe lirive civile.

Pretendimi për autoritet të plotë për të mbledhur të dhëna personale është i dëmshëm për liritë e qytetarëve. Mbikëqyrja e mbikëqyrësve mbetet një sfidë.

Reformimi i demokracisë

Sondazhet në shumë kontinente reflektojnë këtë pakënaqësi me demokracinë. Këto forma zhgënjimi tregojnë nevojën për të përqafuar një model që shkon përtej lirisë politike dhe adreson nevojën themelore njerëzore për dinjitet. Demokracia garanton liri dhe të drejta politike. Megjithatë, ajo nuk është e papajtueshme me margjinalizimin, përjashtimin, varfërinë, mungesën e respektit. Triumfi i rendit demokratik liberal si destinacion final i historisë dhe ideve historike, siç u parashikua dikur prej “fundit të historisë”, ka nevojë për një rishikim serioz.

Një theks më i madh mbi dinjitetin njerëzor dhe modelin e qeverisjes që vendos dinjitetin në qendër mnd të ndalë pakënaqësinë aktuale me demokracinë. Një model më i realizueshëm është një qasje që unë e quaj Historia e Qëndrueshme. Ai fokusohet tek dinjiteti, në vend të lirisë. Dhe lejon pajtimin e qeverisjes së përgjegjshme me kulturat e ndryshme politike.

Dinjiteti është shumë më tepër se sa mungesa e poshtërimit. Si bazë për qeverisjen, ai detyron institucionet dhe politikat që të pajtohen me nëntë nevojat e dinjitetit: arsyeja, siguria, të drejtat e njeriut, llogaridhënia, transparenca, drejtësia, shanset, inovacioni dhe gjithëpërfshirja.

Krijimi i institucioneve që mbështesin këto nevoja do të sillte një kundërvënie ndaj tre tipareve dhe motivuesve të natyrës njerëzore: emocionalitetit, amoralitetit dhe egoizmit.

Që kjo të funksionojë në praktikë, nevojiten amendime të sistemeve demokratikë aktualë. Për t’i bërë më të qëndrueshëm, nevojitet një fokusim më i madh si dhe zbatim i tetë kritereve të qeverisjes së mirë në nivel shtetesh:

Pjesëmarrje

Barazi dhe përfshirje

Sundim i ligjit

Ndarje e pushteteve

Media e lirë, e pavarur dhe e përgjegjshme

Legjitimitet i qeverisë

Llogaridhënie dhe transparencë

Kufizim i efektit shtrembërues të parave në politikë.

Duke qenë se historia nuk po i afrohet aspak fundit, qëndrueshmëria e demokracisë varet prej një reforme thelbësore të formës së saj aktuale. Kjo mund t’i ngjajë modelit të “Historisë së Qëndrueshme” që përmbush nevojën themelore njerëzore për dinjitet në kuptimin tërësor, dhe do të garantonte përgjegjshmëri, barazi, origjinalitet dhe qëndrueshmëri. /the globalist/

  • Nayef Al-Rodhan është Drejtor i Qendrës për Gjeopolitikën e Globalizimit dhe Sigurinë Transnacionale në Qendrën për Politika të Sigurisë në Gjenevë

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button