Analiza

REPORTAZHI / Frakturat franceze

Teoritë e komplotit lulëzojnë dhe paraja e kollajtë përhapet në disa lagje ku  mos aktiviteti me punë ushqen tek njerëzit nganjëherë hidhërim të pashmangshëm. Ky është shqetsimi i  një gazetareje amerikane

Dana Kennedy
The daily Beast

ndarja

Tre djem të rinj me tuta me kapuç vinin rrotull përpara një fast-food-i, pesëmbëdhjetë kilometra në verilindje të Parist, në Sevran, një nga periferitë  më të varfëra të Francës.
Mehdi Bular, 24 vjeç, është i martuar dhe baba i dy fëmijëve. As ai, as dhe dy miqtë e tij nuk morën pjesë në manifestimin e 11 janarit në Paris. “Ne jemi myslimanë. Ato do të na vrisnin, nëqoftëse do të kishim qenë aty”, shpjegon  Mehdi Bular.
Megjithatë u panë të valëviteshin flamujt e Algjerisë, Marokut dhe të Tunizisë  gjatë tubimit në sheshin e Republikës dhe myslimanët ishin mirë të përfaqësuar. Por asgjë nuk ndodhi. Medi Bular gjykon se atentatet e Parisit  janë rezultat i një komploti të kurdisur nga konspiratorë çifutë. “Ata e kanë orkestruar këtë operacion, për t’u dhënë një imazh të keq myslimanëve. Njerëzit preferojnë të qëndrojnë atje ku janë”.
Nuk ja vlen të diskutosh. Eshtë e kotë të kujtojmë se një nga terroristët vrau katër çifutë. Këtu ne jemi shumë larg unitetit të shpallur në Paris. Gazetat franceze raportuan se disa nxënës të këtyre lagjeve – si dhe të tjerave në zonat me popullsi të madhe myslimane, në periferi të qyteteve si Lila – refuzuan të mbanin një minutë heshtje për viktimat e atentateve.
Një mësuese tregon se 80 % e nxënësve të saj nuk kishin dashur të mbanin heshtjen, dhe disa prej tyre thonin se mbështesinin terroristët. Qyteti i Sevranit  ka një  famë të keqe. Ai është një nga periferitë e shumta të Parisit, ku banojnë kryesisht imigrantë të brezit të dytë dhe të tretë, gjyshërit dhe prindërit e të cilëve kanë ardhur në Francë nga  ish kolonitë franceze të Afrikës së Veriut dhe Lindjes.
Qyteti  është i mbushur me blloqe banesash sociale (HLM ) me beton dhe tulla,  të ndërtuara sidomos në vitet 1960 dhe 1970. Përqindja e papunësisë ka mbetur midis  35 dhe 40 %. Sevranin shpesh e fusin në të njëjtin thes me qytetin e Saint-Denis apo Clichy-sous-Bois, epiqendra e trazirave të vitit  2005.
Qetësi
Unaza e XIX e Parisit është bërë gjithashtu shqetësim i imigrantëve, kur ata mësuan se vëllezërit Kouachi kishin kaluar adoleshencën këtu. Ata u rekrutuan nga një rrjet xhihadistësh. Minoritetete franceze, sidomos ata me origjinë afrikano-veriore, janë të margjinalizuara në lagjet që i quajnë të ndjeshme.
Shpesh dëgjon të thuhet se fëmijët e imigrantëve afrikano-veriorë refuzohen  nga shumica e francezëve dhe se ata ndihen të frustruar që nuk mund të kenë akses në “ashensorin” social.
Por në sytë e një të huaji, një numër i mirë i periferive pariziane duken mjaft të qeta në raport me getot amerikane të mbushura plot me armë dhe nuk ngjasin në asgjë me një lagje të varfër (favela) të Rio de Janeiros apo me Scampian, lagjen e Napolit ku mbretëron mafia.
Një pjesë e mirë e unazës së XIX, ku Chérif Kouachi u përfshi në rrjetin terrorist të Buttes-Chaumont nuk është më e drobitur apo famëkeqe se Park Slope në Bruklin.
Në MacDonald-in e Sevranit, që mbahet si një nga një nga qytetet më të rrezikshme të Francës, dyshemeja është aq e pastër, sa që dhe mund të hash për tokë. Hamburgeri dhe patatet e fërguara u servirën në një kuti shumë të bukur. “Kuptohen shumë gjëra se çfarë ndodh këtu. Shpesh, kjo nuk është e vërtetë”, siguron Pathé Ndiay, 29 vjeç, i lindur në Francë me prindër senegalezë. Ai është polic roje në  Sevran dhe jeton në lagje. “Papunësia është shumë e rëndësishme, por të gjithë të rinjtë nuk kërkojnë një punë”.
Ndiay pohon se shumë preferojnë paranë e kollajtë që mund të fitohet duke shitur drogë, se sa një punë në Paris. “Ata nuk dëshirojnë të vrasin mendjen të gjejnë një punë. Disa mund të fitojnë nga 1 000 deri në 2 000 euro në ditë duke shitur drogë. Ata duan të jenë rrepista. Ata nuk duan të futen në një punë të mërzitshme  dhe të ngjiten në shoqëri”, vazhdon bisedën Pate Ndiay.
Kur pyet Mehdi Bular dhe miqtë të tij në se ata kërkojnë punë, të përgjigjen vetëm po. “Çdo ditë e provojmë”, përgjigjet njëri prej tyre, i cili ruan anonimatin para se të shpërthejë së qeshuri dhe të shkaktojë hilaritet. Mehdi Bular tregon se ai ka dalë kohët e fundit nga burgu, pasi ka bërë dy vjet i dënuar si bashkëfajtor për vjedhjen e një veture. Ai tregon se është rrahur rregullisht nga gardianët, sepse ishte arab. Ai gjykon se miqtë e tij dhe ai janë “bllokuar” për të përparuar në shoqërinë franceze sepse  janë arabë. Cila është ëndrra e tij e vetme? “Të shkojë në Miami, dhe të bëhet një rrepist dhe të drejtojë një jet-ski.” Të rinjtë që unë kam intervistuar në shumë periferi, në Sevran dhe Saint-Denis, si dhe në unazën e XIX të Parist – të cilët formojnë një kampion përfaqësues – më kanë thënë se janë myslimanë të zjarrtë. Asnjëri nuk më ka thënë se mbështesnin vëllezërit Kouachi apo Amedy Coulibalynë, i cili vrau katër pengje në “Hyper Cacher” e Porte de Vincennes, edhe në se për sytë e tyre  karikaturistët e Charlie Hebdo nuk kishin të drejtën të karikaturonin profetin Muhamed.
Një djalë tjetër i ri me origjinë franko-algjeriane të cilin e takova përpara një stacion furnizimi benzine të lagjes Saint-Denis, reagoi me zemërim në prani të një gazetari dhe kërkoi të dijë besimin tim fetar. “Nuk ka gjë më të keqe se sa të jesh ateist”, sipas tij. Burri i quajtur Muhamed, paraqitet si një mysliman besimtar, para se të ndryshonte qëndrim dhe të shtonte me një buzëqeshje se edhe ai ishte “keqbërës” dhe trafikant droge. Ai më propozoi ta ndiqja brenda stacionit të furnizimit me benzinë, një vend shumë i pastër, për të më treguar qese me hashash, në shitje në mes të ditës, të vendosura në një repart pranë distributorit automatik të lekëv. Ai gjithashtu i cilëson atentatet pariziane  “komplot” çifut.
Mouhanad Khorchide, profesor i pedagogjisë islamike në Universitetin e  Münster (Gjermani), deklaroi në gazetën New York Times që edhe pse ai shikonte shumë myslimanë të cilët përqafonin gjithnjë e më tepër besimin e tyre fetar, për atë bëhet fjalë për një “besim fetar pa interes”. “Ata do t’ju thonë : ‘Islami është me të vërtetë i rëndësishëm për mua’, por ata shesin drogë shprehet me indinjatë Khorchide.
Ata kanë një Kur’an në çantën e tyre të shpinës dhe thonë: “Me Kuranin unë jam i fortë”. Por nëqoftëse ju i pyesni në se e kanë lexuar atë, apo në se dinë se çfarë përmban, do ju përgjigjen vetëm jo”.
Një  franko-algjerian me emër Bentaha Tahar, 30 vjeç, dhe miku i tij i cili jep vetëm emrin e tij Aluan, 31 vjeç, qëndrojnë jashtë restorantit Danny Hills, në unazën e XIX, tamam përballë parkut të Buttes-Chaumont, ku Chérif Kouachi mori mësimet e para për xhihadin.
Nëna që shëtisin fëmijët e tyre në karroca të shtrenjta dhe vrapues të të gjitha moshave shëtisin në këtë park të madh, shumë i bukur dhe me gjelbërim. “Vëllezërit Kouachi e fyen Islamin”, gjykon Tahar. “Ata nuk kishin të drejtë të bënin atë që bënë. Kjo është kundër besimit tonë. Njerëzit duhet ta kuptojnë këtë gjë”, ngul këmbë ai.
Megjithatë, të dy burrat përmendin armiqësinë e shumë francezëve me origjinë  algjeriane kundrejt Shteteve të Bashkuara “dhe fuqive që qëndrojnë mbrapa”. “Amerikanët  janë shumë naivë, shprehet Aluani. Ata janë kapur në kurth në një histori si kjo, por ata nuk e shohin me të vërtetë se çfarë bën qeveria e tyre çdo ditë, çdo javë, gjithë vitin. Me çfarë të drejte ata duan të shpërthejnë luftëra? Gjithshka që ato duan është që të vjedhin para dhe të bëhen akoma më të fuqishëm…”.
s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button