Histori

Rregullat e vetëvrasjes së nderit dhe 13 kureshti të tjera për Samurajët

Kufizimet e besnikërisë, rituali i vetëvrasjes, stërvitja shumë e fortë dhe pasojat e saj të përgjakshme: jeta dhe vdekja e samurajëve, shërbyesve luftëtarë dhe zotërinjve të periudhës së artë të Japonisë

Të stërvitur për detyrën dhe besnikërinë absolute: shërbyes për definicion, dhe mbi të gjitha, edhe pjesëtarë të një elite me një mijë privilegje. Universi i ngrirë në kohë i samurajëve ka frymëzuar letërsinë dhe kinematografinë: po cilët ishin në të vërtetë samurajët? Ja historia e tyre, dhe kureshti të ndryshme mbi jetën dhe vdekjen e zotërinjve japonezë të luftës. (www.bota.al)

sa 1

ORIGJINA – Saburau do të thotë “të shërbesh”: prej këtu lind termi samuraj, emri i luftëtarëve shërbëtorë që, duke nisur nga shekulli XI-XII, u ndërfutën në strukturën sociale japoneze nën udhëheqjen e shogun, diktatori ushtarak që i mori pushtet prej perandorit (i cili u shndërrua në një figurë më shumë simbolike).

sa 2

TE PAMESHIRSHEM – Në shekullin 12, me ishujt japonezë të katandisur si mos më keq prej më shumë se një mijë viteve luftëra të brendshme, samurajët spikatën si shërbyes të devotshëm dhe besnikë të daimyo-ve, feudalëve lokalë që i përgjigjeshin shogunit. Ishin një lloj kalorësie e pamëshirshme, me rregulla të ndryshme nga ata që u zhvilluan në mesjetë në Perëndim. Në fotografi, Koboto Santaro, komandanti në krye të ushtrisë së shogun. Ishte viti 1683.

sa 3

HARKU, PASTAJ SHPATA – Dallimi i parë me kalorësit perëndimorë qëndron në armën e përzgjedhur të samurajëve: jo katana (shpata), si mund të mendohet, por harku, i cili injorohej prej kalorësisë europiane, pasi konsiderohej “jo shumë fisnik”. Ishte pikërisht shigetou, harku asimetrik japonez, i gjatë 2 metra dhe i bërë me dru laminat e të lyer me llak, arma ekskluzive e samurajëve. Lëshonte edhe shigjeta me zjarr në disa qindra metra distancë, dhe deri në shekullin XIII konsiderohej më i rëndësishëm se sa shpata. Armaturën e plotësonin katana e gjatë dhe uakizashi i shkurtër (shpatëza që përdorej edhe për t’u vetëvrarë), si dhe mjete të tjera lufte. Për kohë të ndryshme të historisë së Japonisë, samurajët ishin të vetmit që mbanin armë.

sa 4

GJITHMONE BESNIKE – EDHE NE VDEKJE – Luftëtari japonez jetonte dhe vdiste sipas një kodi të ngurtë sjelljeje, bushido (rruga e luftëtarit), që rregullonte marrëdhënien unike e të pandashme mes samurajit dhe daimyos së tij. Në themel të këtij kodi ishte besnikëria absolute, një përcaktim i ngurtë i nderit dhe sakrifikimit të të mirës së individit, në dobi të të mirës së përbashkët. Eshtë kjo etika në themel të veprimeve të kamikazeve japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore, shenja të të cilëve i gjen edhe në disa sipërmarrje japoneze. Nëse një shkelje apo një ndjenjë faji e kish prekur këtë marrëdhënie, kishte gjithmonë një rrugë për të shpëtuar nderin: sepuku ose harakiri, vetëvrasja rituale (veprimi që po kryen ky person i veshur me të bardha, në këtë fotografinë lart, që i përket afërsisht vitit 1880).

sa 5

VDEKJE “LIVE” – Edhe veprimi ekstrem i krenarisë dhe lirisë së një samuraji ndiqte rregulla rreptësisht të kodifikuara. Flijimi duhej të ndodhte përpara dëshmitarëve duke përdorur kamën (tanto) dhe shpatën e shkurtër (uakizashi) duke krijuar një formë “L”-je, që niste nga kërthiza dhe zgjatej nga e majta në të djathtë, dhe pastaj lart. Këmbët e vendosura me majat për poshtë garantonin që i vdekuri do të binte me fytyrë, duke mbuluar shenjën e gjakut dhe të brendshmeve; prania e dëshmitarëve dhe kaishakuninëve, ndihmësve të ngarkuar për t’i dhënë fund të plagosurit me një goditje të shpatës në fyt, siguronte që viktima nuk do të vuante më shumë. Stomaku konsiderohej vendi i shpirtit: hapja e tij me shpatë para dëshmitarëve ishte për të demonstruar pastërtinë e shpirtit.

sa 6

FEMIJERIA E HUMBUR – Stërvitja e pinjollëve të familjeve luftëtare për t’u bërë samurajë fillonte në moshën 3 vjeç. Deri në moshën 7 vjeç, me përfundimin e alfabetizimit, mësohej për të mso patur frikë nga vdekja, apo për t’iu bindur zotërisë dhe për të praktikuar ushtrime për kontrollin e mendjes dhe trupit (kata). Pastaj mësohej përdorimi i harkut dhe shigjetave, të shpatës së drunjtë dhe me metal të lehtë. Mësohej më pas kalërimi dhe luftimi ndaj armiqve imagjinarë, dhe pastaj u nënshtroheshin dusheve të ngrirë nën kaskada apo në dëborë, për të mësuar trupin me kushte ekstreme. Në moshën 12 vjeç dinin tashmë të përdornin harkun dhe shpatën: fillonin të luftonin në prapavija, si dhe të vrisnin.

sa 7

SEKS DHE SHPATA – Lidhja me stërvitësit mund të bëhej shumë speciale. Në kohën feudale, praktikat seksuale mes burrave ishin të zakonshme për luftëtarët samurajë. Sipas traditës së shudos – nga uakashudo (“rruga e adoleshentëve”) – të rinjtë kalonin disa vite në kontakt me burra më të rritur, që përveçse u mësonin teknikat e luftimit, i fusnin dhe në botën e seksit: samurajët e mësuar bëheshin më pas të dashurit zyrtarë, në një raport që njihej dhe që kërkonte, natyrisht, besnikëri absolute.

sa 8

SEKSI DHE GRATE SAMURAJE – Në një shoqëri kaq të përshkuar prej idealeve mashkullore, nuk kishte vend për dashuri. Bashkëshortja e samurajit zgjidhej në tavolinë dhe duhej t’i përkiste një fisi luftëtarësh, ose të “adoptohej” nga një familje samurajësh para martese, që ia fisnikëronte origjinën. Bashkëshorteve të samurajëve u takonte “një privilegj”: me martesën fitonin dhe ato të drejtën e praktikimit të vetëvrasjes rituale, duke prerë fytin. Në Japoninë e mesjetës mund të ndeshje edhe gra samuraje: të stërvitura në vlera dhe arte marciale të kastës që në moshë të re, thirreshin të mbronin tokat e zotërisë së tyre kur burrat ishin në betejë, ose mbronin zotërimet e tyre.

sa 9

TE EGER DHE TROKE – Nëse është e vërtetë që samurajët i përkisnin klasës shoqërore më të ngritur (ilbuke, fisnikëria e armëve që përbënte afro 7% të popullsisë), nuk mund të thuhet që ata pasuroheshin. Punonin për lavdinë e daimyo-së, por paga e tyre kufizohej në thjeshtë simbolike. Për të ruajtur statusin social pa humbur fytyrën, samurajët që nuk ishin tashmë të pasur prej familjes rregulloheshin si të mundnin me punë dytësore, si prodhimi i çadrave apo kruajtëseve të dhëmbëve. Megjithatë, u kërkonin të tjerëve që t’i shisnin, për të mos u kompromentuar shumë.

sa 10

TE VETMIT ME NJE MBIEMER – Përballë një jete kthjelltësie, samurajët kishin megjithatë të drejtën për disa privilegje. Një prej këtyre ishte mundësia që të kishin një mbiemër, që njerëzit e zakonshëm në Japoni nuk e kishin (dhe që e fituan këtë të drejtë vetëm në fund të Tetëqindës, me fundin e Japonisë feudale).

sa 11

NE TEHUN E SHPATES – Një tjetër privilegj, më pak i njohur dhe me të cilin shpesh është abuzuar, ishte ai i kirisute gomen, ose “autorizimi për të prerë dhe braktisur”. Samuraji mund të kalonte në tehun e shpatës këdo që nuk i kish treguar respekt, nëse ishte i një rangu më të ulët.  I vetmi skrupul ishte që më pas të demonstronte fajin e të ndjerit.

sa 12

IKANAKE DHE MIZORE – Kur një daimyo (zotëria) binte nga pozicioni, samurajët në shërbim të tij nuk kishin më një padron. Dhe kështu bëheshin mina lëvizëse: thirreshin ronin, “njerëz-dallgë”, luftëtarë jashtë kaste dhe – mbi të gjitha në epokën Tokugava, koha me më shumë izolim dhe shkëlqim e Japonisë, mes 1603 dhe 1868 – bridhnin në fshatra duke sulmuar fshatarët dhe plaçkitur fshatrat, në kërkim të një zotërie të ri, të cilit t’i ofronin shërbimin. Këta luftëtarë përçmoheshin nga samurajët e vërtetë, dhe shpesh viheshin në shënjestër: askush nuk thirrej të përgjigjej për vrasjen e tyre.

sa 13

GJYSHERIT E MAFIAS JAPONEZE – Por roninët kishin dhe një tjetër rol. Ndodhte që bashkoheshin me tregtarët, fshatarët dhe artizanët për të mbrojtur fshatrat nga plackitjet e banditëve, duke mësuar luftën dhe artet marciale dhe duke krijuar një llojë truproje të vetëorganizuar. Mendonte se kjo lloj policie private mund të jetë në origjinë të jakuzës, mafia moderne japoneze, anëtarët e të cilës kanë të përbashkët me samurajët një sens të fortë përkatësie dhe një besnikëri absolute ndaj “bosit”.

sa 14

FUNDI – Në gjysmën e dytë të Tetëqindës, me hapjen e Japonisë ndaj botës perëndimore dhe krijimit të një ushtrie të rregullt, kasta e samurajëve u konsiderua anakronike dhe jashtë kohe. Dy ligje nën perandorin Meiji (1852-1912) shënuan fundin e samurajëve: njëri, Dampatsurei, detyronte luftëtarët shërbyes që të hiqnin dorë nga duhani i dredhur dhe të mbanin flokë sipas modelit perëndimor. Tjetri, më përcaktues, ishte Haitorei, që u hiqte të drajtën të mbanin armë në publik. Samurajëve pa katana nuk u mbetej vecse një pension i vogël shtetëror, si dhe një vend i sigurtë në folklor. /Fokus – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button