Analiza

Rrjeti i spiunëve të rinj

Të parët që ngritën shërbime të fshehtë ishin popujt e Mesopotamisë së lashtë dhe perandori Diokleziani e bëri institucion. Por tani nuk ka më as Mata Hari e as James Bond: informacionet kapen përmes exabyte-ve në internet

spiunazhi sotStrategu ushtarak kinez Sun Tsu e kishte kuptuar që në shekullin V p.e.s. kur shkruante: “Sovranët e iluminuar dhe gjeneralët e zotë që do të arrijnë të rekrutojnë agjentë mendjemprehtë si spiunë të tyre, janë të destinuar të kenë një sukses të madh”. Spiunazhi i ka rrënjët e lashta: u krijua fillimisht në Mesopotami dhe praktikohej në Egjiptin e lashtë. Cezari e përçmonte, por Diokleziani e bëri institucional, duke krijuar një departament të posaçëm në brendësi të administratës perandorake romake. Elisabeta I krijoi shërbimin e fshehtë britanik, dhe pikërisht në oborrin e saj u krijua figura e shërbyesit të shtetit, i specializuar në praktikën e spiunazhit, përkundër paragjykimeve moraliste që stigmatizonin figurën e spiunit. Sot jemi dëshmitarë të një tjetër hapi evolues, në të cilin veprimtaria e spiunazhit është duke u shkëputur prej elementit njerëzor. Nga kulti romantik i Mata Harit tek James Bondi, tek akseleratori bërthamor i internetit dhe profeti i tij Eduard Snouden, në të cilin interesat e politikës janë gjithnjë e më të stakuar prej atyre të ekonomisë dhe financës ndërkombëtare, dhe ku objektivi i vjetër i mbrojtjes së kufijve shkrihet përballë objektivit të dominimit global.
Momenti vendimtar
Momenti vendimtar mes dy dimensioneve të shërbimit të fshehtë është formuar në fillim të shekullit 20. Përpara asaj kohe, anglezët dërgonin hartografë dhe sociologë që të studionin terrenin dhe të negocionin aleancat: Mata Hari dhe Lorenci i Arabisë, dhe në hijen e tyre alter ego-t me të vërtetë operativë si Gertrude Bell, spiunia arkeologe që eksploroi Mesopotaminë dhe Sirinë e Madhe, Azinë e vogël dhe Arabinësi dhe favorizoi instalimin e dinastisë Hashemite në Jordani dhe në Irak; dhe Jack Philby, drejtori i zyrës indiane, i cili në fund e tradhëtoi vendin e tij, duke lehtësuar kontratat e naftës të kompanive amerikane në Lindjen e Mesme.
Në anën tjetër të shekullit është shërbimi i fshehtë, i kuptuar si një kontroll i komunikimit. Gjatë Luftës së Parë Botërore, anglezët arritën të kapin në fundin e detit kabllot mbi të cilët kalonin informacionet e gjermanëve, dhe këta u detyruan të përdorin ato amerikane, për mesazhet e tyre. Megjithatë, trafiku amerikan kalonte nga Londra, dhe këtu Shërbimi i Fshehtë britanik arriti të dekriptojë tekstin e një telegrami që ministri i Jashtëm gjerman, Zimmermann i dërgonte diplomatit të tij në qytetin e Meksikos, për të kërkuar aleancën e shtetit amerikano-jugor, në rast se SHBA do të hynin në luftë kundër Gjermanisë. Po të shohësh mirë zhvillimin e spiunazhit kibernetik, të cilin po e shohim të zhvillohet në këtë fillim të shekullit 21, ai varet nga telegrami i Zimmermannit: informacioni është sot në duart e atyre që kontrollojnë trafikun e komunikimeve.
BIG DATA
Në kulmin e Luftës së Ftohtë, më shumë se 500 spiunë punonin në SHBA dhe paguheshin nga KGB, shërbimi i fshehtë sovjetik, dhe po kaq ishin agjentët që nga Bashkimi Sovjetik dërgonin informacione në SHBA. Sot numri i tyre është reduktuar shumë, por në të njëjtën kohë, numri i punonjësve në NSA është rritur dhe ka arritur 40 mijë, sipas vlerësimeve të analistëve. Gjysma e këtyre spiunëve modernë punojnë në mega qendrën e Fort Uejn në Merilend, që ka një hapësirë prej katër hektarësh. Ka gjithmonë e më pak nevojë, të paktën në vendet e botës së parë, për agjentë të infiltruar në terren, dhe ka gjithmonë e më shumë teknikë që punojnë në pozicione ku nuk ngjallin dyshime, si për shembull vetë Snoudeni në Hauai. Në kulmin e veprimtarisë së saj të kontrollit të kundërshtarëve të mundshëm të regjimit, Ovra e Mussolinit kishte dosje për 152 mijë qytetarë italianë, më pak se 3 % e popullsisë. Sot NSA është në gjendje të këqyrë fluksin e 80% të komunikimeve mes amerikanëve dhe mbledh 950 exabyte të dhëna në vit. Për t’u orientuar mes këtyre shifrave, mjafton të mendosh se ish kreu i Google, Eric Schmidt, e gjithë dija njerëzore në 2003 ishte 6 exabyte.
Ka ende në qarkullim spiunë si ata që u ekstraduan në Berlin muajin që kaloi, por thelbi i spiunazhit është kibernetik, si në nivel shtetëror, edhe në nivel privat. Dhe për një Anna Chapman që buzëqesh ende dhe fton në shtrat prenë e saj, ka me mijëra tipa që me një goditje të mausit mund të të fusin një virus si Stuxnet, i cili katër vjet më parë arriti të ndalë për muaj të tërë veprimtarinë e reaktorëve bërthamorë të Natanzit në Iran. /messaggero/
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button