Analiza

Rusia duhet të përgatitet për surpriza të pakëndshme nga SHBA

Nga Dmitry Trenin

Përshtypja kryesore nga takimi midis presidentit rus dhe atij amerikan në Helsinki, është se Vladimir Putin me sa duket ka vendosur të mbështesë Donald Trump në përballjen e tij me shumicën e strukturës politike amerikane.

Mediat perëndimore e etiketuan të turpshme sjelljen e Trump ndaj Putinit. Por në Helsinki, të dy udhëheqësit krijuan në fakt një front të bashkuar kundër demokratëve, hetimit special të Robert Mylerit për ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016, që solli Trumpin në pushtet.

Kjo është një dukuri e re, që në mënyrë të konsiderueshme e zgjeron konceptin e Luftës Hibride, që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë zhvilluar gjatë 4 viteve të fundit. Linja simbolike në pararojë, nuk shtrihet përgjatë kufijve shtetërorë dhe blloqeve të tyre përkatëse, siç ndodhte gjatë Luftës së Ftohtë, dhe as mes qeverisë dhe armëve të informacionit të secilit vend, siç ka bërë deri tani, por brenda vetë vendeve.

Lufta Hibride, po bëhet gjithnjë e më shumë hibride. Vetëm koha do të tregojë, se sa i justifikuar do të rezultojë të jetë basti publik i Kremlinit, me banorin aktual të Shtëpisë së Bardhë. Në prag të takimit në Helsinki, Trump dukej qartazi më i fortë dhe më i sigurt se një vit më parë, përpara takimit të tij me Putinin, në kuadër të samitit të G20 në Hamburg.

Baza e mbështetjes së tij elektorale nuk është rrudhur, ekonomia po tregon rezultate të mira, dhe një ekip po konfirmon ndihmësit presidencialë, të cilët po sillen në mënyrë më të qëndrueshme, dhe janë të përkushtuar besnikërisht ndaj shefit të tyre.

Për krahasim, demokratët janë të zbehtë në këtë aspekt. Duket se ata nuk kanë arritur ende të kuptojnë leksionet e humbjes së tyre në zgjedhjet e vitit 2016.  Nuk është hartuar ende një agjendë pozitive për vendin, dhe grupi i liderëve të shpallur, ka dështuar deri më tani të lërë ndonjë përshtypje tek opinioni publik.

Në këtë situatë, perspektiva e imitimit të Trump, duket shumë e vështirë. Nga ana tjetër, rigjedhja e tij në vitin 2020, që dukej krejtësisht e paimagjinueshme një vit më parë, nuk mund të përjashtohet më. Njëherazi, ia vlen të kujtohet se politika në Shtetet e Bashkuara është një karusel, në të cilin pozita e atyre që janë në krye – ose ata që përpiqen të arrijnë atje – mund të ndryshojnë me një shpejtësi marramendëse.

Fjalimi i Trump në konferencën e tij të përbashkët për shtyp me Putinin, kapi titujt kryesorë të mediave, për shkak të dyshimit publik që Trump bëri mbi kompetencën dhe ndershmërinë e shërbimeve amerikane të sigurisë.

Marrëdhënia midis agjencive të inteligjencës dhe presidentit të 45-të amerikan, ka qenë e vështirë që nga fillimi, por nëse përkeqësohet në një përplasje të hapur (ende të fshehtë), kjo luftë mund të jetë e rrezikshme jo vetëm për kreun e shtetit dhe vetë shtetin amerikan, por edhe për sigurinë ndërkombëtare.

Duke ndërhyrë publikisht në politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara, Rusia duhet të përgatitet për surpriza të pakëndshme. Trump tha në samit, se ai do të preferonte të ndërmerrte një rrezik politik në ndjekje të paqes, sesa të rrezikonte paqen në ndjekje të politikës. Kjo është një qasje shumë e lavdërueshme, por ne duhet të kemi parasysh mundësinë e dështimit, dhe pasojat e tij të mundshme.

Ne vetëm mund të shpresojmë që Putini ta kuptojë këtë. Por ai gjithashtu ndoshta e kupton se pas Helsinkit, distanca e mëparshme formale e Rusisë nga punët e brendshme të SHBA-së është zhdukur. Për të ardhmen e parashikueshme, Rusia ka vendosur shumë shpresa tek Trump. Natyrisht, për ithtarët e teorisë së komplotit, se Trump dhe Rusia janë në një marrëveshje të fshehtë, kjo nuk është asgjë e re:ata nuk besuar kurrë ekzistencën e një shkëputje mes tyre.

Por, pas Helsinkit, ky komplot mitik po shndërrohet në një aleancë të vetme politike mes dy presidentëve.

Kritikët do të ngrihen dhe do të thonë, se kjo aleancë ka qenë lidhur prej kohësh plot zell nga vetë kundërshtarët e Trump në SHBA, dhe se Rusia nuk mund t’i trajtojë njëlloj kombet miqësore dhe ato që e urrejnë atë. Cinikët do të shtonin, se Putini nuk është në asnjë mënyrë i lidhur me Trumpin, dhe mund të distancojë veten nga ky i fundit në çdo moment, për hir të destabilitetit më të madh në Shtetet e Bashkuara, çka është edhe qëllimi i tij kryesor.

Por këto argumente, janë më pak të rëndësishme, sesa pranimi se Rusia duket se ka ndërhyrë në përplasjen politike civile në Amerikë. Kjo ka precedentë. Në shekullin XIX, Rusia mbështeti me forcë shtetet e Amerikës Veriore kundër Jugun që mbështeste rregjimin skllavopronar, dhe për pjesën më të madhe të shekullit XX, Moska e ruajti entitetin e vet politik përgjatë oqeanit:me Partinë Komuniste të SHBA-së.

Nga ana e saj, Amerika organizoi një ndërhyrje ushtarake në veriun e Rusisë dhe Lindjen e Largët gjatë Luftës Civile, që pasoi revolucionet e vitit 1917, dhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, u përfshi në transformimin post-komunist të Rusisë.

Situata aktuale, është e ndryshme në aspektin që fushëbeteja janë korridoret e pushtetit të fuqisë kryesore botërore. Rreziqet vështirë se mund të jenë më të larta se kaq. Ndoshta qasja më e sigurt për Rusinë në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, do të kishte qenë durimi strategjik, bazuar në bindjen se përfshirja në punët e brendshme të shteteve të tjera, veçanërisht ato të mëdha dhe të fuqishme si Shtetet e Bashkuara, është diçka e rrezikshme.

Rusia mund t’i kishte dhënë kohë amerikanëve – 5 ose 6 vjet – për të vënë rregull në punët e tyre të brendshme, për të harruar pjesërisht ose për të zbehur ankesat e tyre kundër Rusisë, për

të ndryshuar elitën e tyre, dhe pastaj për të normalizuar tërësisht marrëdhëniet, në mesin e rrethanave të ndryshuara ndërkombëtare.

Moska mund të kishte pritur. Në fund të fundit, nuk ka asgjë që kërkon me urgjencë një bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Por gjërat rezultuan ndryshe. Mbizotëroi qasja aktive. Pikërisht kur marrëdhëniet midis Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë po shihnin një kthesë drejt dialogut dhe bashkëpunimit të rastit, Lufta Hibride midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, ka arritur një nivel të ri.

Natyrisht kjo duket thjesht si një paradoks. Në fakt, të dyja zhvillimet janë të ndërthurura ngushtë. Ne duhet të punojmë mbi bazën e realitetit, dhe jo të menduarit e dëshiruar. Tani që Moska ka hyrë në këtë konflikt, ajo ka nevojë jo vetëm për njohuri dhe një kuptim më të mirë të realiteteve të brendshme politike amerikane, sesa ka pasur ndonjëherë më parë, por gjithashtu edhe për një kujdesi të pafundme. Krahasuar me atë që iu zbulua botës në Helsinki, akuzat për sulmet kibernetike dhe rrjedhjen e materialeve të vjedhura, duken si lojëra të padëmshme patriotësh.

 

Shënim: Dmitry Trenin, është drejtor i qendrës “Carnegie Moscow”.

“Moscow Times” – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button