Kulture

Salman Rushdie: Shekspiri dhe Servantesi jemi ne

Servantes dhe Shekspiri thuajse me siguri nuk janë takuar kurrë mes tyre, por sa më me kujdes që të lexohen faqet që ata na kanë lënë, aq më shumë gjurmë të përbashkëta perceptohen. Ideja e parë e përbashkët (dhe sipas mendimit tim më e vlefshmja), është bindja se një vepër e letërsisë nuk duhet të jetë komike apo tragjike, romantike apo politiko-historike: nëse shkruhet mirë, mund të jetë shumë gjëra në të njëjtën kohë

Screen Shot 2016-04-29 at 22.04.21

Nga Salman Rushdie

Ndërsa shënohet 400-vjetori i vdekjes së Uilliam Shekspirit dhe Migel de Servantesit, mund të jetë me vlerë të vihet në dukje se të dy gjigantët e letërsisë vdiqën në të njëjtën datë, 23 prill, 1616, por jo në të njëjtën ditë. Në vitin 1616, Spanja kishte adaptuar kalendarin Gregorian, ndërsa Anglia përdorte ende kalendarin Julian, prandaj ishte 11 ditë prapa (ishullorët i mbetën besnik sistemit të vjetër kalendarik deri në vitin 1752, dhe kur më në fund u ndryshua pati protesta, ku thuhet se turma të mëdha njerëzish bëritisnin nëpër rrugë: “Na ktheni 11 ditët tona!”.

Rastësia e datave dhe diferencave e kalendarëve do të kishte kënaqur, dyshojmë ne, ndjeshmërinë gazmore dhe erudite të këtyre dy etërve të letërsisë moderne. Ne nuk e dimë nëse ata kishin informacion për njëri-tjetrin, por kishin ndërkohë shumë gjëra të përbashkëta, duke filluar nga ajo e “nuk e dimë”:sepse janë dy të personazhe misterioze, dhe në biografitë e tyre ka vite që mungojnë, dhe më domëthënëse akoma, mungojnë dokumente. Asnjë nga të dy nuk ka lënë shumë materiale personale. Pak apo asgjë për sa i përket letrave, ditareve të punës, projekteve të braktisura:vetëm veprat e mëdha të përfunduara. Pasoja është se të dy kanë rënë viktimë e llojit të teorive idiote, të cilat kërkojnë të vënë në dyshim atësinë e veprave të tyre. Për shembull, një kontroll i përciptë në internet “zbulon”, se jo vetëm kryeveprat e Shekspirit, por edhe Don Kishoti është shkruar në fakt nga Fransis Bejkën (me e preferuara në mesin e teorive të çmendura mbi Shekspirin, është se veprat e tij ata nuk janë shkruar nga ai vetë, por nga dikush tjetër me të njëjtin emër).

Dhe sigurisht ne e dimë se autorësia e veprave të Servantesit ishte kundërshtuar qëkur ai qe ende gjallë, kur dikush me një identitet të paqartë shkroi nën një pseudonim të qartë – Alonso Fernández de Avelaneda – një vepër të falsifikuar e Don Kishotit, çka e nxiti Servantesin të shkruante vëllimin e dytë, në të cilën personazhet e dinë mbi plagjiaturën e Avelanedës dhe e shohin atë me përbuzje.

Servantes dhe Shekspiri thuajse me siguri nuk janë takuar kurrë mes tyre, por sa më me kujdes që të lexohen faqet që ata na kanë lënë, aq më shumë gjurmë të përbashkëta perceptohen. Ideja e parë e përbashkët ( dhe sipas mendimit tim më e vlefshmja), është bindja se një vepër e letërsisë nuk duhet të jetë komike apo tragjike, romantike apo politiko-historike:nëse shkruhet mirë, mund të jetë shumë gjëra në të njëjtën kohë.

Shohim skenat fillestare tek Hamleti. Skena e parë e aktit të parë është një histori fantazmash:“A nuk është diçka më shumë se sa një fantazi?”- pyet Bernardo Horacin. Skena e dytë paraqet intrigën në oborrin e Elsinorit:princi erudit i tërbuar, nëna e tij, prej pak kohës e ve, e martuar me xhaxhanë e tij. Pastaj mbërrin skena e tretë, ku gjejmë Ofelinë që flet mbi babanë e saj mosbesues Polonin, në fillim të asaj që do të bëhet një histori e trishtë dashurie.

Kalojmë pastaj në skenën e katërt, dhe kemi sërish një histori fantazmash, dhe ka diçka të kalbur në Danimarkë. Gradualisht, vepra vazhdon të transformohet, duke u bërë hera-herës një histori vetëvrasjeje, një histori vrasjeje, një komplot politik dhe tragjedi hakmarrjeje. Mbart momente komike dhe është një komedi brenda komedisë. Ajo përmban edhe disa nga pjesët më të mira të poezisë të shkruara ndonjëherë në gjuhën angleze, dhe përfundon në një sërë banjash melodramatike gjaku.

Kjo është ajo që Bardi na ka lënë trashëgim ne të tjerëve që erdhëm më vonë, vetëdijen se një vepër mund të jetë e gjitha bashkëkohore. Tradita franceze e ndan tragjedinë (Rasini) nga komedia (Molieri); Shekspiri përzien gjithçka bashkë, dhe të njëjtën gjë, falë tij, mund të bëjmë edhe ne. Në një ese të famshme, Milan Kundera, shprehet mes të tjerash se romani ka dy prindër, “Klarisa” nga Samuel Riçardson dhe “Tristram Shendio” nga Lorenc Stern: por të dyja këto tregime voluminoze dhe enciklopedike tregojnë ndikimin e Servantesit.
Xhaxha Tobi dhe kaporali Trim i Sternit janë modeluar hapur sipas Don Kishotit dhe Sanço Pançës, dhe realizmi i Riçardsonit është fuqimisht borxhli ndaj stilit të aplikuar nga Servantesi në traditën letrare mesjetare. Në kryeveprën e tij, ashtu si në veprën e Shekspirit, dhimbjet bashkë-ekzistojnë me fisnikërinë, patosi dhe emocioni me imoralitetin dhe kuptimin e dyfishtë, duke kulmuar në një moment, pafundësisht prekës, në të cilën mbizotëron bota e vërtetë dhe Kalorësi Fytyrëvrarë e pranon se është një plak i çmendur dhe qesharak.

Si Shekspiri dhe Servantesi janë shkrimtarë të vetëdijshëm, modern në një mënyrë që shumica e mjeshtrave moderne do ta vinte re:ajo që krijon vepra teatrale është fuqishmisht e vetëdijshme për teatralitetin dhe natyrën e tyre fantaziose. Dhe të dy janë vëzhgues besnikë, dhe njohës të thellë, si tek jeta jeta e mjerueshme po aq edhe ajo e idealeve të larta. Është ky prozaizëm që zbulon natyrën e tyre prej realisti, edhe kur sillen si shkrimtarë të fantastikes: edhe këtu, ne që erdhëm më vonë mund të mësojmë prej tyre, që magjia ka kuptim vetëm kur vendoset në shërbim të realizmit (ka pasur ndonjëherë një magjistar më realist se Prospero?) dhe realizmi ka gjithçka për të fituar nga doza të mëdha fantazie.
Në fund, të dy refuzojnë të bëjnë moral, dhe pikërisht në këtë aspekt janë shumë më moderne nga ata që erdhën pas tyre. Nga të dy, Servantesi ishte një njeri i veprimit, që luftoi në betejë, mbeti i plagosur rëndë, humbi përdorimin e dorës së majtë, u bë skllav për 5 vjet nga piratët algjerianë, deri sa familja e tij arriti të mbledhë paratë e mjaftueshme për shpërblimin.

Shekspiri nuk pati asnjë dramë të tillë në përvojën e tij personale, e megjithatë nga ata të dy, duket me i interesuar të shkruajë në lidhje me luftërat dhe ushtarët: Otello, Makbeth janë historitë e njerëzve në luftë. Çuditërisht, ishte luftëtari spanjoll ai që shkroi për kotësinë komike të luftës, duke krijuar figurën dhe portretin e luftëtarit qesharak. Në dallimet mes tyre, Servantesi dhe Shekspiri mishërojnë dy të kundërta shumë bashkëkohore, ashtu si tek ngjashmëritë e tyre, përputhen shumë gjëra që sot janë të dobishme për trashëgimtarët e tyre.

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button