Magazine

Sekretet biologjike të Sherpave të Everestit. Çfarë i bën “supernjerëz”?

Mali Everest është testi final, për aventurierët që përpiqen të provojnë kufijtë e tyre, por kur bëhet fjalë për ngjitje në këtë monument natyror, një grup njerëzish shkëlqejnë mbi të gjithë – Sherpat.

Sherpat janë një grup etnik nga Nepali, të cilët kanë jetuar në lartësitë e mëdha të Himalajeve për breza të tërë. Ata kanë shërbyer për një kohë të gjatë si udhërrëfyes, dhe ekspertizae tyre ka patur rëndësi jetike, për të huajt që përpiqen të ngjiten në zonë.

Por, ndërsa admirohen për lehtësinë me të cilën përballojnë me sfidat fizike të ngjitjes së disa prej majave më të mëdha në botë, arsyet biologjike për aftësinë e tyre në ngjitjen e maleve kanë mbetur të panjohura – deri më sot.

Denny Levett është një anëtar-themeluese e “Xtreme Everest”, si dhe konsulente në kujdesin klinik, në Spitalin Universitar të Southamptonit, në Angli. Në vitin 2013 ajo mori pjesë në “Xtreme Everest 2” – një ekspeditë shkencore në majën e Everest – që eksploroi biologjinë pas forcës njerëzore në lartësi të mëdha.

Ajo ende kujton jashtëzakonshmërinë e një Sherpa, që ishte pjesë e ekspeditës.

“Ai zbriti 2.000 metra [nga maja] në vetëm dy orë, kur ekipit tonë iu desh pjesa më e madhe e ditës”, tha Levett. “Ai madje u ndal për një filxhan çaji tekza zbriste”.

Sfidat në lartësi të mëdha

Mbijetuar nga një udhëtim në Everest reduktohet në kapërcimin e një problemi kryesor – atmosferën në lartësi të madhe. Nivelet e oksigjenit janë sa një e treta e atyre që gjenden në nivelin e detit dhe sipas Levett, më pak se 6% e njerëzve janë të aftë që të bëjnë ngjitje, pa oksigjen shtesë.

Sëmundja e lartësisë mund të godasë që në lartësi jo të mëdha, dhe trupi i njeriut duhet të përshtatet, teksa arrin lartësi më të mëdha.

“Nëse shkoni direkt në 3.500 metra, mëngjesin tjetër do të ndiheni sikur ju ka zënë gripi, apo si pas një nate me teprime alkooli”, thotë Levett.

E njëjta gjë nuk është e vërtetë për Sherpat.

Pas kanë jetuar për shekuj të tërë në lartësi të mëdha, popullsia Sherpa e Himalajeve ka evoluar për të zotëruar aftësinë e të mbijetuarit në këtë atmosferë. “Do të shihni që ata janë plotësisht të pandikuar”, thotë Levett.

Në vitin 2013, Levett dhe kolegët u nisën me 180 vullnetarë – 116 nga vende fushore dhe 64 Sherpa – deri në kampin bazë në Everest. Para dhe gjatë ngjitjes 5.300 metra, vullnetarët iu ekspozuan një sërë testesh fizike dhe biologjike, për të identifikuar ndryshimet në fiziologjinë e tyre.

Përdorimi i oksigjenit

Duke paraqitur rezultatet e saj në Ekspozitën Botërore të Mjekësisë Ekstreme në Londër, muajin e kaluar, Levett identifikoi ndryshimet në pjesët e qelizave njerëzore, që marrin frymë për të gjeneruar energji – njohur si Mitokondria. Mitokondria e Sherpave ishin shumë më efikase në përdorimin e oksigjenit.

“Ata janë si një makinë eficiente për nga karburanti”, thotë Levett. “Marrin më shumë energji me më pak oksigjen”.

Përveç kësaj, ekipi ka studiuar enët e gjakut nën gjuhë dhe vende të tjera të trupit, për të monitoruar qarkullimin e gjakut në organe – i njohur si mikroqarkullimi. Kjo formë e qarkullimit të gjakut ndodh në enët më të vogla të gjakut dhe përcakton se sa mirë oksigjeni arrin tek muskujt, indet dhe organet – domethënë sa mirë funksionon vërtetë trupi juaj.

Në lartësi të madhe, rrjedhja e gjakut brenda këtyre enëve të vogla të gjakut ngadalësohej tek vullnetarët jo-Sherpa, por mbetej normale tek Sherpat.

“Kjo shpejtësi e lartë me të cilën gjaku mund të rrjedhë, lejon që indet të furnizohen me më shumë oksigjen, dhe më shpejt”, shpjegon Chris Imray, profesor i kirurgjisë vaskulare dhe transplantit të veshkave në Spitalin Universitar Coventry dhe Uaruickshire, Britani e Madhe, i cili ka shoqëruar Levett në një ekspeditë në Everest, në vitin 2007.

Levett tha se kjo është hera e parë që janë identifikuar dallimet fiziologjike, për të shpjeguar aftësitë e dukshme “mbinjerëzore” të Sherpave në lartësi të mëdha.

Studime të tjera kanë shqyrtuar dallimet gjenetike, dhe këtu do të përqëndrohet ekipi i Levett në të ardhmen.

Nga malet në anë të shtratit të spitalit

Qëllimi i studimit ishte që të zbulonte mënyra të reja për të ndihmuar njerëzit të mbijetojnë në situata ku oksigjeni është i kufizuar – në çdo mjedis, duke përfshirë spitalet. Rënia e nivelit të oksigjenit në lartësi të mëdha është e ngjashme me rënien e niveleve të përjetuara nga pacientët me sëmundje kritike. “Ky studim mund të përdoret për të ndihmuar pacientët”, thotë Levett.

Duke identifikuar dallimet gjenetike dhe fiziologjike që përmirësojnë mbijetesën, studiuesit shpresojnë të zhvillojnë trajtime apo terapi të reja, për pacientët e sëmurë rëndë.

Ndoshta fiziologjia e spikatur e Sherpave mbart dobi të madhe për njerëzimin, edhe shumë larg prej shpateve të Everestit. / CNN – Përgatiti: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button