Analiza

SHBA në stilin Bush. Europa “frenon”

shba dhe europaEshtë sërish kohë e “koalicioneve të vullnetshëm”: krizat që vënë në rrezik sigurinë e botës, të paktën tonës, dhe që diplomacitë nuk arrijnë t’i zbusin, nxisin që të rivihet në zbatim, me skema të reja, formula e adoptuar prej Xhorxh Bushit, në kohën kur u përpaq t’i japë një dimension ndërkombëtar pushtimit të Irakut. Sekretari i Shtetit i SHBA, Xhon Kerri, ka bërë një thirrje për koalicion global që të ndalë “programin e gjenocidit” të xhihadistëve të ISIS. Në prag të samitit të NATO-s në Uells, Kerry ka shfrytëzuar kolonat e Nju Jork Tajmsit, për të bërë thirrje për një “përgjigje të bashkuar, të udhëhequr nga SHBA dhe një koalicion kombesh, sa më të gjerë të mundshëm”. Në fund të shtatorit, Obama do të shpallë para OKB-së një plan për të luftuar Kalifatin. “Do të shfrytëzojmë rastin – ka thënë Kerri – për të vazhduar të ndërtojmë një koalicion të gjerë dhe për t’iu kundërvënë rrezikut që paraqesin terroristët e huaj të bashkuar” me militantët xhihadistë. Dhe monarkitë e Gjirit janë ofruar menjëherë si vullnetare për t’iu bashkuar këtij koalicioni.
Financial Times ka zbuluar se një gjë e ngjashme po përgatitet për Ukrainën – një nismë shumë më e rrezikshme atje për paqen botërore: shtatë vende të NATO-s kanë ndërmend të krijojnë një forcë reagimi të shpejtë me 10 mijë ushtarë – një divizion – në kuadër të konsolidimit të mbrojtjes së Aleancës, pas ndërhyrjes ruse. Forcën do ta udhëheqë Mbretëria e Bashkuar. Në të do të marrin pjesë Norvegjia, Danimarka, Holanda, Lituania, Letonia, Estonia (dhe ndoshta Kanadaja). Kryeministri britanik, Cameron ndoshta do ta lajmërojë në samitin e NATO-s, i cili propozohet si një samit luftëdashësish. Në samitin e jashtëzakonshëm të BE, presidentja lituaneze deklaron se Rusia “është praktikisht në luftë me Europën” dhe fton partnerët të armatosin Kievin. Poroshenko ka pohuar se mijëra militantë dhe qindra mjete të blinduara kanë hyrë në territorin ukrainas. Shpesh herë, alarmet e Kievit në këto javë kanë qenë të ekzagjeruar, por këtë herë mbështeten nga shërbimet e fshehtë perëndimorë: një burim britanik, i cituar nga CNN, pohon se ushtarët rusë në perëndim të Ukrainës janë 4000 deri në 5000, shumë më tepër se një mijë që ishte thënë më herët.
Mendohet të jenë inkuadruar në formacione të ndryshëm dhe luftojnë në zonat e Luganskut dhe Donetskut. Po kështu, Rusia ka dërguar 20 mijë ushtarë përgjatë kufirit. Përgënjshtruar nga Moska, prania e ushtarakëve rusë në territorin ukrainas është konfirmuar nga Lady Ashton, “ministrja e jashtme” europiane: “Rusia të tërheqë trupat nga territori ukrainas”, ka thënë ajo në Milano, pas një takimi joformal të ministrave të jashtëm të 28-shes.
Kriza “nuk ka një zgjidhje ushtarake, por duhet një zgjidhje politike që të garantojë integritetin territorial të Ukrainës”. BE bëhet gati që të ashpërsojë sanksionet kundër Rusisë, duke i cuar “në nivelin e tretë”, deklaron POroshenko pas disa takimeve dypalësh. Presidenti ukrainas druhet se “jemi shumë pranë një pike pa kthim në një luftë në shkallë të gjerë”, por nuk përjashton një marrëveshje për një armëpushim në takimin e të hënës në Minsk, të grupit të kontaktit Kiev-Moskë-OSCE.
Por, ashpërsimi i sanksioneve do të sjellë kundërpërgjigje më të forta. Moska dëshiron një negociatë që të legjitimojë republikën e vetëshpallur në Ukrainën lindore dhe ta mbrojë nga ofensiva ushtarake ukrainase. Por thërret në ndihmë edhe nacionalizmin rus, duke e krahasuar rrethimin e Donetskut, me atë të Stalingradit.
Nga fronti, iniciativa të rralla. Një gjuajtës ukrains Su-25 u rrëzua nga raketa tokë-ajër ruse, sipas burimeve zyrtarë. Por rebelët thonë se kanë rrëzuar katër avionë.

PERGATITI: BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button