Your Life

Shkenca “e dështimit”: Ja pse na bën mirë

deshtimi

Duket se me rendjen pas floririt në Silicon Valley, ne kemi marrë një model të ri për sukses: dështimin. Kemi dëgjuar për histori njerëzish që nga super të varfër janë bërë pasanikë, për sipërmarrës të cilët falimentuan (Walt Disney, Donald Trump), për ata të cilët u dëbuan nga kompanitë e tyre paraardhëse (Steve Jobs, Jack Dorsey), për ata që humbën të gjitha paratë e investitorëve (Henry Ford), ose që e hodhën në erë kompaninë e tyre të parë (Bill Gates, Paul Allen). Dhe më pas, sigurisht ata gjetën suksesin. Si rezultat, me të drejtë, dështimi është bërë një temë e ditës dhe sot janë të shumtë ata që e konsiderojnë dështimin si një simbol të nderit.
Mendoni për pjesën më të madhe të shkollimit tuaj zyrtar. Si keni mësuar të kryeni çdo detyrë? Ka shumë të ngjarë, një mësues t’ua ketë bërë të ditur konceptin, jua ka treguar juve sesi të veproni, dhe më pas jua ka lënë ta praktikoni. Është metoda e provuar dhe e vërtetë e mësimdhënies së çdo gjëje, nga lidhja e këpucëve, deri tek zgjidhja e ekuacioneve të algjebrës. Shumica prej nesh dimë se si të bëjmë pjesën më të madhe të gjërave, sepse dikush na ka ndihmuar. Por rezultati i një eksperimenti të botuar tani së fundmi në revistën “Cognitive Science” duhet të na bëjë të gjithëve ta rishikojmë atë model.
Manu Kapur, studiues në Insitutin Kombëtar të Arsimit në Singapor, drejtoi një eksperiment në të cilin grupe nxënësish ishin trainuar të zgjidhnin probleme të rinj të matematikës duke përdorur dy metoda të ndryshme. Grupi i parë ishte trainuar në mënyrën tradicionale: mësuesi bënte të njohur konceptin, u tregonte nxënësve sesi ta zgjidhnin problemin dhe pastaj i linte të praktikonin. Grupit të dytë iu dhanë të zgjidhnin vetë problemat fillimisht pa njohje ose demonstrim sesi t’i zgjidhnin.
Rezultatet ishin befasuese: Të dyja grupet e nxënësve përfundimisht mësuan të zgjidhnin problemat. Por grupi i dytë, të cilëve iu ishte dhënë rasti që ta provonin vetë njëherë së pari, treguan një “kuptim shumë më të madh konceptual” për temën dhe ishin në gjendje të transferonin atë se çfarë kishin mësuar e t’i zgjidhnin problemat më mirë sesa grupi i parë. Është e rëndësishme të vihet re se nxënësit pothuaj asnjëherë nuk e gjetën vetë zgjidhjen. Por vetë përpjekja dhe dështimi i bëri të kenë një kuptim më të mirë të temës.
Kjo nuk do t’i duket çudi ndokujt që e kupton se si funksionon truri. Truri ynë nuk funksionon në një mënyrë të rregullt lineare. Në vend të kësaj, ai vërtit me ngathtësi idetë, hamendëson, parashikon dhe dështon, më pas fshin krejtësisht dhe përsërit. Truri është një motorr parashikimi, një makinë që njeh modelet. Ne kemi eksperienca, ne i përdorim ato eksperienca për të bërë parashikime, dhe pastaj marrim me mend rrugën tonë nëpër botë. Me çdo parashikim kalimtar, ne bëhemi më të zgjuar. Truri është unik në aftësinë e tij për të mësuar përmes gabimeve.
Studimi i Kapurit për mësimnxënien i shkon përsosmërisht teorisë sesi truri punon. Eksperimenti i demonstruar ku dikush na tregon rrugën për të bërë diçka nuk është një mënyrë e mirë për të mësuar. Ne mund ta memorizojmë informacionin, por nuk do ta kuptojmë atë në thellësi. As nuk do të jetë dija jonë plotësisht e fiksuar thellës në mendjet tona, ashtu siç do të ndodhte nëse ne do të pengoheshim ose vriteshim disa herë fillimisht, teksa “ecim në errësirë”. Është kjo copë e fundit që lejon informacionin e mësuar të aplikohet më shumë konceptualisht ndaj situatave të reja. Nëse është e vërtetë për diçka aq të drejtpërdrejtë sa një problem matematike, atëherë sa më shumë e vërtetë duhet të jetë për dicka që nuk mësohet me lehtësi, si për shembull menaxhimi i një biznesi apo i një karriere?
Mesazhi është i qartë. Shkoni dhe provoni, shkoni dhe dështoni, por bëjeni në mënyrë të tillë që të mësoni, jo thjeshtë për hir të ndërmarrjes së risqeve. PIkërisht për këtë ka evoluar truri ynë dhe është e vetmja mënyrë për t’u bërë të jashtëzakonshëm në punën tuaj./business insider – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button