Histori

Shoah, dëshmia dokumentare që tronditi botën

Nga Gustavo Noriega

Vdiq javën e kaluar në moshën 92 vjeçare regjisori i kinemasë franceze, Claude Lanzmann. Këto ditë u kujtua vepra e tij monumentale “Shoah”. U xhirua në vitet 80 për disa vite, me intervista të gjata me më shumë se 9 orë, me pjesëmarrës të Holokaustit të tillë si: të mbijetuar, por edhe viktima, dëshmitarë, madje edhe personazhe dytësore si makinisti i njërit prej trenave që deportonte në Aushtvic. Jo vetëm informacion dhe të dhëna, por edhe trishtim të zi të derivuar nga rrëfimtaria e Holokaustit. Lanzmann-i vendosi kufizimin se “Shoah” të mos kishte asnjë fotogramë me imazhet e arkivuara. Nuk bëhej fjalë për një vendim formal, një zgjedhje estetike mes shumë të tjerave. Lanzmann, një intelektual pasardhës i Sartrit në drejtimin e revistës “Les temps modernes”, rezistente ndaj nazizmit dhe mbështetës i Shtetit të Izraelit në versionin e tij më luftarak, refuzoi të gjitha format e përfaqësimit vizual të Holokaustit. Pozicioni i tij shkonte përtej refuzimit të ëmbëlsimit klasik hollivudian përfaqësuar, sipas mendimit tim, padrejtësisht nga Spilbergu. Me fjalë të thjeshta mund të themi se për të, shkrimi i genocidit të vuajtur nga hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore në kuptimin klasik ishte ta banalizoje, ta shndrroje një mes shumë të tjerëve, ta mbyllje. Ai mendonte se një plagë e hapur e humanizmit si ajo e shfarosjes së hebrenjve të Europës ishte një plagë që nuk duhej mbyllur. Të kuptosh, të racionalizosh ishin fjalët e Lanzmann-it. Duke iu referuar regjistrit fotografik tha njëherë: “Nuk ekziston një imazh i Shoahs, dhe nëse do të ekzistonte unë do të digjja.” Fiksimi i tij jo vetëm që shprehej gjatë realizimit të veprës, por edhe në formën e shfaqjes. E intervistova Lanzmann-in në vitin 2000, isha i përgatitur, kisha studiuar temën dhe e dija se cilat ishin gjërat që e ngacmonin, ndërsa po prisja rradhën time dëgjoja sesi i keqtrajtonte intervistuesit e mëparshëm. Për Lanzmann-in nuk ekzistonte gjë më e keqe se një muze; një vend ku njeriu ecën 45 minuta dhe kujton se kupton shumë temën e ekspozitës.

Në një farë mënyre na e bëri të ditur. Kur më erdhi rradha, kritikoi ata të mëparshmit, bëri një pauzë, më ngërtheu me ata sy të kaltër e të ftohtë e më tha: “Ju a e keni parë Shoahn?” – Po – iu përgjigja. – Ku? – Tek Hebraica, – gënjeva. Në ato kohë para se të universalizohej shkarkimi kishte tri forma ku mund ta shihje “Shoahn” në Argjentinë. Një mënyrë ishte shoqëria hebraike argjentinase e nxjerrë në tri pjesë. Forma tjetër ishte tregtia e lirë edhe kjo në tri volume dhe e treta një emision i bërë nga Kanali 7 me disa pjesë. Unë e kisha parë videon duke e ditur që ishte një nga blasfemitë më të këqija të mundshme. Botuesi për të kursyer material e kishte regjistruar në mënyrë të tillë që nga 4 kaseta origjinale të ishin 3, pa prerë skena, por kishte ndryshuar rradhën e tyre. –Mirë, – më tha Lanzmann, – është e vetmja formë e të parit “Shoah” në Argjentinë duke iu referuar projektimit në tri ditë në ShA. – Ajo e Kanalit 7 ishte kriminale. E dinte mjaft mirë sesi ishte shfaqur filmi i tij në Argjentinë dhe nuk të jepte përshtypjen se bëhej fjalë për një rastësi, dukej se e njëjta gjë mund të ndodhte në Kili ose në Australi apo edhe në çdo vend që do të vizitonte. Mungesa e fleksibilitetit dhe ashpërsia e tij reflektoheshin tek filmi. Një skenë e famshme tregon një të mbijetuar, Abraham Bomba, puna e të cilit në Aushtvic ishte t’i priste flokët atyre që do të hynin në dhomat e gazit, duke rrëfyer përjetimet e tij, ndërsa po i pret flokët një klienti në një berberhanë në Jeruzalem. Historia e Bombës është e tmerrshme dhe në një pikë të dramacitetit të rrëfyer preket dhe i kërkon Lanzmann-it që ta ndërpresë intervistën, por Lanzmann është i pathyeshëm: “Duhet ta bëjmë, Abe, ti e di!” Agonia e berberit është e regjistruar në sekuenca pa e prerë duke treguar vetëm një plan atë që do të rrëfejë dhe paradoksalisht e ka të vështirë t’i kthejë në fjalë. Në një farë mënyrë, kjo skenë përmbledh idenë e Lanzmann-it rreth të pathënave, e vetmja dhe e papërsëritshmja që mbërthen Holokausti, risia radikale që reziston dhe tejkalon kapacitetet e fjalëve. Lanzmann-i ishte më i interesuar në prezantimin e tmerrit, sesa të kërkonte shpjegime ose shkaqe. Skena e berberit është metoda e tij e kondesuar vetëm me një goditje. Sipas kritikut spanjoll Vicente Sánchez-Biosca shumë pak autorë e kanë dyshuar metodën e tij; heqja dorë nga përpjekja për të kuptuar që në fund të fundit është detyra e rrëfimtarit dhe e intelektualit në të njëjtën kohë. Ndoshtja kjo sjellje e ka afruar “Shoahn” me reflektimin e psikoanalistëve sidomos ata të shkollës lacaniana. Lanzmann-i duket se rreshtohet me ata që mbrojnë karakterin e pakrahasueshëm, të vetmin, ahistorikun e shfarosjes naziste, por duke proceduar me një koherencë diabolike, duke e shndrruar në poetin e filmit të tij.

Metodat e tij të përdorura tek “Shoah” janë padyshim të diskutueshme: presioni i tij ndaj dëshmitarëve edhe pse ata ishin të mbijetuarit që vuajnë kur kujtojnë martirizimin e tyre ose kamera që fsheh një oficer nazist. Përkujtimi i “Shoahs” ishte më i rëndësishëm se sa ajo e individëve që e përjetuan dhe këtë e ka shprehur në mënyrë të qartë filozofi bullgar Tzevan Todorov: “Mësimi që Lanzmann u trasmeton spektatorëve përmes skenave është se ju nuk duhet të merrni parasysh vullnetin e individit, nëse ai ju pengon të arrini objektivin.” Një Lanzmann më i kujdesshëm, më i respektueshëm ndaj vullnetit të të intervistuarve, më tolerant ndaj mendimeve të të tjerëve nuk do ta kishte bërë të paharrueshëm filmin, ashtu si “Shoah” është. Për të rrëfyer tmerrin e shek. XX autori hoqi dorë nga disa anë humaniste që vetë nazizmi i kishte zhdukur ose me fjalët e Niçes: “kur e sheh për një kohë të gjatë humnerën edhe humnera sheh brenda teje”.

Shoah, 1985, 9 orë e 26 minuta, regjisor Claude Lanzmann. / Në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button