Thenie

“Shtatë mëkatet e mëdha të kësaj bote”, sipas Mahatma Gandit

Screen Shot 2016-05-30 at 21.50.05

1.Pasuria pa punë

I referohet përgjithësisht praktikës së nxjerrjes së diçkaje nga asgjëja – manipulimi i tregjeve dhe aseteve, në mënyrë që të mos kesh nevojë të punosh apo prodhosh vlerë të shtuar, por vetëm të manipulosh njerëzit dhe gjërat. Sot ka profesione të ndërtuar përreth idesë së fitimit pa punuar, nxjerrjes së parave pa paguar taksa, përfitimit prej programeve qeveritare falas, pa mbajtur një pjesë të barrës financiare, dhe gëzimit të favoreve, pa marrë aspak riskun e përgjegjësisë.

2.Kënaqësia pa ndërgjegje

Pyetja parësore e të papjekurve, të babëziturve, egoistëve ka qenë gjithmonë: “Po për mua, çfarë del? A do të më kënaqë? A do të më lehtësojë?” Shumë njerëz duket se i duan këto kënaqësi pa ndërgjegje apo sens përgjegjësie, qoftë edhe duke braktisur familjen, në emër të realizimit të gjërave që duan. Por pavarësia nuk është gjendja më e pjekur e qenies – është thjeshtë një pozicion i ndërmjetëm në rrugën drejt ndërvarësisë, e cila është gjendja më e maturuar dhe e përparuar. Të mësosh të marrësh dhe japësh, të jetosh pa egoizëm, të jesh i ndjeshëm, kjo është sfida jote. Përndryshe, nuk ka sens të përgjegjshmërisë sociale apo llogaridhënies në kënaqësitë tona. Kostot finale të kënaqësive pa ndërgjegje janë të larta, nëse i mat me kohë dhe para, nëse i mat me reputacionin që humb dhe zemrat që lëndon. Eshtë e rrezikshme t’i largohesh ligjeve natyrore pa ndërgjegje. Ndërgjegja është në thelb vendqëndrimi i të vërtetave dhe parimeve të pakoha – monitori i brendshëm i ligjeve natyrore.

3.Dija pa karakter

Sado e rrezikshme të jetë dija e paktë, është edhe më e rrezikshme të kesh shumë dije, por pa një karakter të fortë e me parime. Zhvillimi vetëm intelektual pa një zhvillim të barazvlefshëm të karakterit ka po aq kuptim, sa të vendosësh një makinë sportive super të shpejtë, në duart e një adoleshenti të droguar. Megjithatë, shumë shpesh në botën akademike, pikërisht këtë bëjmë, duke mos u fokusuar në zhvillimin e karakterit të të rinjve.

4.Tregtia pa moral

Në librin e tij “Ndjenjat morale” që i parapriu “Pasurisë së Kombeve”, Adam Smithi shpjegonte se si themeltar për suksesin e sistemeve tona është baza morale: si e trajtojmë njëri-tjetrin, fryma e dashamirësisë, shërbimi, kontributi. Nëse ne injorojmë bazën morale dhe lejojmë sistemet ekonomike të operojnë pa një bazë morale dhe pa edukim të vazhdueshëm, shumë shpejt do të krijojmë një shoqëri dhe një biznes amoral, në mos imoral. Sistemet ekonomikë dhe politikë janë të ngritur në fund të fundit mbi baza morale. Për Adam Smithin, çdo transaksion biznesi është një sfidë morale për të parë që të dy palët të jenë të drejta. Drejtësia dhe dashamirësia në biznes janë kolonat e një sistemi të lirë të sipërmarrjes, që quhet kapitalizëm.

5.Shkenca pa humanizëm

Nëse shkenca bëhet vetë teknikë dhe tekbologji, ajo shumë shpejt degjeneron në njeriun kundër humanizmit. Teknologjitë vijnë prej paradigmave të shkencës. Dhe nëse ka shumë pak kuptim të qëllimeve më të larta njerëzore të cilave teknologjia u shërben, atëherë ne bëhemi viktima të teknokracisë sonë. Ne shohim njerëz përndryshe shumë të arsimuar që ngjiten në shkallën shkencore të suksesit, ndonëse shpesh herë ajo është vendosur në murin e gabuar, atje ku humanizmi mungon.

6.Adhurimi pa sakrificë

Pa sakrificë, ne mund të bëhemi aktivë në një kishë, por mbetemi joaktivë në ungjillin. Me fjalë të tjera, ne kërkojmë fasadën sociale të fesë dhe devocionin e praktikave fetare.

7.Politika pa parime

Nëse nuk ka parime, nuk ka të vërtetë. Shohim politikanë që shpenzojnë miliona dollarë për të krijuar një imazh, megjithëse është sipërfaqësor, që i mungon thelbi, vetëm e vetëm të fitojnë vota për të marrë postin. Dhe kur funksionon, shpie në një sistem politik që vepron i pavarur nga ligjet natyrore që duhet të sundojnë. – Mahatma Gandi

Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button