Magazine

Shtatë vjet për të kuptuar si funksionon bota. Rrëfimi i një cigani

Nga Valeriu Nicolae

Jam 17 vjeç dhe është fillimi i pranverës. Luaj basketboll prej një viti dhe filloj t’ia dal.  Nga futbolli hoqa dorë. Para së gjithash, për shkak të nënës sime, e cila vendosi të bëhesha intelektual dhe jo futbollist. Dhe pastaj më ndihmuan takat që “hëngra” nën gjunjë, dhe që më ndalën për disa muaj.

Zbuloj një shkollë, jo larg shtëpisë, ku luhet basketboll. Për disa net mbetem i palëvizshëm në fushë si idiot, pasi askush nuk dëshiron të ketë në ekip “një” kafshë një metër e 73, dhe 53 kg. Pastaj, një të shtunë, janë vetëm pesë djem, kështu që mund të hyj në fushë: luhet tre me tre. Ka një vajzë në çdo ekip. Dhe janë të dyja shumë të bukura, gjë që më jep një motivim të veçantë për të luajtur mirë.

Ajo e ekipit tim është e vogël, por lëviz shumë mirë dhe ka goditjen më të mirë të të gjithëve. Nuk ma pason kurrë topin, derisa në një moment arrij të ndërpres një pasim dhe të shënoj kosh. Ne fitojmë të gjitha ndeshjet, gjë që është padyshim pozitive. Në fushë jam ai me lëkurën më të errët, por jemi në epokën e Çausheskut, kështu që nuk ka komente të pakëndshme. Gjithkush padyshim ka mendimet e veta, por askush nuk flet.

Pluhurëzuar, në një tjetër planet

Rikthehem të luaj në atë fushë praktikisht çdo natë, dhe të bëhem miq me disa djem. Ngadalë imponohem si një nga lojtarët më të mirë dhe nganjëherë mund të dominoj në ndeshje. Në fushë ka gjithmonë pesë apo gjashtë vajza, dhe të gjitha janë shumë të mira për mua, përveç “akrepit”, një vajzë e vogël, me një prerje flokësh dhe sy blu-jeshil, që duket sikur vjen nga një planet tjetër.

Një herë në maj, më ftojnë në një festë dhe vendos të shkoj. Atje takoj përsëri “akrepin”. Bisedojmë gjithë natën. Në mëngjes kamë rënë në dashuri, siç kurrë nuk kisha imagjinuar se do të më ndodhte. Të bëj për vete “akrepin” bëhet prioriteti im absolut, dhe në muajin e fundit të shkollës, i neglizhoj plotësisht mësimet. Stërvitem si i çmendur në basketbolli dhe bëj përparime të shpejtë. Shkoj deri në pikën që prek unazën e koshit dhe filloj të bëj 1.500 përkulje në ditë. Kam një fat të pabesueshëm dhe përfundimisht mund të shkoj në koloni me të, në Kostineshti, në Detin e Zi. Jemi të dashuruar dhe na duket se jemi në një planet tjetër.

Ai është viti më i lumtur që kujtoj. “Akrepi” është më e bukura e mbretërisë dhe gjithçka është ekzaktësisht si në ëndrra. Arrij në një farë mënyre të bëj zhytje në kosh, dhe ëndërroj të bëhem mbret i basketbollit.

Është fillimi i viteve nëntëdhjetë, jemi së bashku dhe unë jam super i lumtur. Fitoj disa para duke bërë çdo lloj pune sezonale (duke përfshirë gërmime), dhe duke bërë ndonjë pazar me serbë e bullgarë. Kaloj pushime të mrekullueshme në Kostinesht, praktikisht pa asnjë kokëçarje. Nuk jam shumë i interesuar për inxhinierinë dhe universitetin, notat e mia janë pak mediokre, por mësoj vetëm çfarë më duhet për të kaluar në provime.

Lexoj shumë, vazhdoj të “çaj kokën” me kompjutera dhe të luaj basketboll me këmbëngulje. Bëjmë shëtitje të gjata dhe pijmë Pepsi në trotuare. “Akrepi” është vajza më e bukur që njoh: jam i dashuruar çmendurisht me të. Sidoqoftë, në një moment mendoj se gjërat nuk janë aq të thjeshta sa duken. Familja e saj është e bardhë dhe – papritmas – nëna ime bëhet problem. Fakti është se unë jam cigan. Më thuhet qartë dhe prerë, se nuk duhet të takohemi.

Nuk mund ta kuptoj. Bashkë jemi shumë të lumtur, dhe papritmas vjen ky absurditet. Akrepi është gjithnjë nën presion. Kolegët e saj në universitet, ku studion juridik, në rastin më të mirë më shohin nga lartë poshtë, atëherë kur nuk shfaqin neveri të hapur. E gjitha më duket qesharake: Unë jam patjetër më i mirë se secili prej tyre në të gjitha këndvështrimet, me përjashtim të ngjyrës së lëkurës. Mendoj se çështja do të zgjidhet dhe unë do të vazhdoj të bëj gjithçka që mundem, për të qenë bashkë me të. Është e qartë që veproj me mendjen e një fëmije, jo një të rrituri.

Midis kudhrës të detit dhe çekiçit

Gradualisht gjërat bëhen më keq. Zana ime kthehet në një akrep të vërtetë, duke iu drejtuar nënës sime, por ajo ka dekada të tëra përvojë: kur i thotë se më ka rritur keq, ajo hyn në listën e zezë të nënës sime. Ndihem mes kudhrës dhe çekiçit dhe vazhdoj të sillem si një fëmijë i pamend, i bindur se universi në kokën time përputhet me botën reale.

Fillojnë debatet e para serioze dhe, në një moment, ajo më thotë se nuk do të qëndrojë më me mua. Kurrë nuk do të martohet me mua. Në fakt, unë asnjëherë nuk kam menduar për martesën, por brenda meje prishet diçka. Papritmas e kuptoj se jam cigan. Se unë do të jem gjithmonë një cigan. Kuptoj se është kështu edhe me miqtë që më rrethojnë. Njerëz të mirë, që i urrejnë për vdekje ciganët: Jemi në vitin 1993 dhe kohët e fundit ka ndodhur dhuna në Hădărenei, ku disa rumunë dhe hungarezë vranë tre ciganë. Urrejtja e romëve është në modë.

Rreth meje shumë njerëz përpiqen të harrojnë faktin se jam një cigan, por nuk e kanë problem të fyejnë romët e tjerë.

Nëna ime punon shërbëtore tek një grua gjermane. Babai im është i alkoolizuar, ai na urren dhe na kërcënon periodikisht se do të na vrasë. Rumania është në kontroll të agjentëve të vjetër të Securitates, dhe trafikantëve të parave. Unë mendoj seriozisht për vetëvrasje dhe një ditë e gjej veten duke ecur përgjatë shinave të trenit.

Është fillimi i vitit 1994 dhe jam i rrethuar nga një realitet i tmerrshëm. Jam i varfër, në universitet studioj një temë që nuk më pëlqen dhe që më përgatit për papunësi, dhe jam në marrëdhënie me një vajzë, e cila më konsideron problem për të ardhmen e saj. Të gjitha këto, në një vend që po shembet.

Vendos të mbijetoj dhe të filloj ndërtimin e mureve rreth meje. Ngadalë bëhem një dhelparak që përpiqet vetëm t’ia hedhë, dhe filloj të injoroj njerëzit e mirë që më rrijnë pranë, duke i thënë vetes se duhet t’ia dal me çdo kusht. Herë pas here, u jap një dorë fëmijëve në nevojë, gjë e cila më bën të ndihem mirë, por do të më duhen shtatë vite për të kuptuar që, pranimi i realitetit nuk do të thotë të bëj atë që më thonë ata që kam rreth meje.

Ky artikull u botua për herë të parë në të përjavshmen rumune “Dilema Veche”. Sjellë në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button