Analiza

Shteti-horr&Satanai i madh. Aleanca e çuditshme kundër xhihadistëve

usa teheranDuke qenë se në histori ka gjithmonë një “horr” më horr se të tjerët, dhe një Satana më të madh se tjetri, Irani dhe SHBA bëjna prova të një aleance të pamendueshme në distancë, për të mos lejuar që Bagdadi dhe Iraku të bien në duart e fanatikëve xhihadistë sunitë.

Mirësevini në vallen e madhe të djajve dhe horrave. E vërteta e lashtë dhe e pandryshueshme, sipas të cilës armiku i armikut tim është miku im ka shtyrë ajatollahët, gjeneralët dhe ministrat iranianë që të hedhin hipotezën e një ndërhyrjeje në Irak, për të bërë atë që do të donte Obama – por që nuk mundet më: të dërgojnë mjete, armë, këshilltarë dhe njerëz për të ndalur përparimin e al Kaedës së re drejt kryeqytetit.

“Një veprim i bashkërenduar i Uashingtonit dhe Teheranit nuk mund të hidhet si hipotezë – është dashur të shpjegojë Departamenti i Shtetit – megjithatë rreziku terrorist në Irak perceptohet si një kërcënim i rënë për të dy kombet”.

Megjithatë, ja çelesi. Eshtë një tango pa u prekur, kjo që “Satanai i Madh” i anatemave khomeiniste dhe “Shteti horr” i retorikës bushiste janë duke vallëzuar, tani që katastrofa e operacionit Iraqi Freedom ka lënë pas rrënojat materiale dhe fatkeqësinë politike që krijoi pushtimi i marrë i vitit 2003. Një komb i madh i kontrolluar nga krahu më fanatik dhe integralist i sunitëve irakenë, tashmë një organizatë e pavarur dhe më mirë e armatosour se sa al Kaeda, do të ishte vula e fundit e luftës amerikane në Mesopotami dhe një rrezik i patolerueshëm për ajatollahët iranianë, që kishin ushqyer iluzionin se kishin në dorë shtetin iraken përmes kuislingut të tyre të urryer iraken, shiitin al Maliki.

33 vite urrejtje ideologjike dhe fetare, që shpërtheu me pushtimin e ambasadës së SHBA në Teheran dhe marrjen peng të 66 diplomatëve amerikanë për 444 ditë në vitin 1981, e humbasin shumë rëndësinë përballë mundësisë gjithnjë e më konkrete që të gjithë tmerret, marrëzitë, paaftësia dhe sulmet e luftës të prodhojnë një rezultat ekzaktësisht të kundërt me atë që Bushi, Cheney, Rumsfeldi dhe grupi i tyre i neokonservatorëve kërkonin të arrinin. Jo demokracia e gënjeshtërt dhe artificiale e eksportuar me çizme, por një shtet i pasur me naftë në duart e trashëgimtarëve idealë dhe triumfantë të Osama bin Ladenit.

Dhe nëse perspektiva e kësaj “aleance të paditur” SHBA-Iran përfshin edhe fajkonjtë e fundit si senatorin McCain, ai që në vitin 2008 këndonte “Bomb bomb bomb, bomb Iran”, nën tingujt e Beach Boys dhe që shqetëson izraelitët, të cilët druhen se në këtë tango të çuditshme do të harrohen projektet bërthamorë të Teheranit, dinamika e interesave dhe frikërave konvergon. Ndërkohë nuk do të ishte as e paprecedentë, dhe as historikisht skandaloze. Në fakt, në marshimin ushtarak nga malet e veriut në Kabul për të dëbuar talebanët brenda pak javësh, ishte i domosdoshëm aprovimi i heshtur dhe bashkëpunimi i iranianëve, në pritjen e refugjatëve dhe në ndikimin e tyre mbi shumicën etnike të Pashtunëve.

Të vendosësh tani nëse Iraku u humb prej Obamës me tërheqjen e trupave apo prej Bushit me dërgimin e trupave, është një gare ankesash ideologjike mes rrymave amerikane, mes të pandreqshmëve të “Marëzive të Bushit” dhe mbështetësve të asaj rruge të re Obamiane që prodhoi një Cmim Nobel për Paqen, por jo Paqen. Ai që ka rëndësi është lëmshi i frikshëm i kontradiktave dhe interesave, që aty konvergojnë, e aty bien ndesh, që u formua përreth dëbimit të detyruar të regjimit në agoni të Sadamit.

Irani i presidentit të ri Hassan Rouhani, i ashtuquajtur “i moderuar”, i cili ka shprehur disponueshmëri për negociatat bërthamore, është ai që mund të shpëtojë armiqtë e dashur dhe fqinjët irakenë nga humnera e një shteti terrorist, duke shpëtuar atë që mbetet nga marrëzitë bushiste, por nga ana tjetër është ai që mbështet regjimin e Assadit dhe mban në jetë organizatën e Hezbollahut. Pra do të ishte miku më i keq i mundshëm për një administratë amerikane që thjeshtë nuk ka asnjë opsion në Irak dhe as mund të hedhë hipotezën, gjë që në fakt Obama e ka përjashtuar, për një rikthim të ushtarëve të vet. Nuk do të ishte hera e parë që shtete dhe kombe që urrehen reciprokisht, në emër të nevojës lënë mënjanë dallimet e tyre të papajtueshëm, si në rastin e aleancës mes SHBA dhe BRSS në luftën kundër Gjermanisë naziste. Rreziku i neonazizmit në formën mistike, në pushtet në Bagdad bën të mendueshme atë që lufta dhe politike prodhojnë rregullisht, domethënë “shokët e krevatit” në dukje të pamundur, të bashkuar aq sa nevojitet për të ndalur armikun, e për t’iu rikthyer më pas armiqësive të dikurshme.

Sot, supozimi haluçinant dhe arroganca e interesave perëndimorë që nisën pushtimin e vitit 2003 po detyrojnë të futen në të njëjtin thes SHBA dhe Irani, ndërkohë që në Irak riprodhohet një prej skenarëve klasikë vietnamitë: një ushtri e rregullt dhe imagjinare, e stërvitur, paguar, armatosur nga amerikanët që po shkrihet dhe hedh armët përballë një armiku shumë më pak të fuqishëm, por shumë më të motivuar. Ndoshta edhe për të larguar fantazmat e një tjetër Saigoni 40 vjet më vonë, horrat ngjajnë më pak horra dhe djajtë më pak diabolikë. Vittorio Zucconi/La reppublica

Leave a Reply

Back to top button