Analiza

“Shumë dekrete dhe abuzim me pushtetin”. Kongresi kundër Obamës

us congressAbuzim me pushtetin: kjo është akuza e hedhur prej kohësh nga republikanët kundër presidentit Obama, që sipas mendimit të tyre, e ka përdorur shpesh herë instrumentin e dekretit, duke anashkaluar Kongresin. Dhe tani, kongresmenët kanë miratuar një rezolutë, e cila praktikisht mund t’i hapë rrugë një aksioni ligjor ndaj Shtëpisë së Bardhë. Drejtuesi i Kongresit, John Boehner mund të vendosë të “bëjë kauzë” kundër presidentit, për përdorim të tepruar të kompetencave të tij ekzekutive. Nuk ka fare të bëjë me impeachment-in, që megjithatë krahu më konservator i republikanëve e kërkon me zë të lartë. Por, në këtë mënyrë i hapet rruga mundësisë së acarimit të tepruar të klimës politike, në Uashington dhe në të gjithë vendin, në muajt që mbeten deri në zgjedhjet e mesit të mandatit.
Janë zgjedhjet ku qytetarët amerikanë do të thirren të rinovojnë një të tretën e Senatit dhe të gjithë Dhomën e përfaqësuesve. Nëse Boehneri do të vendosë të ecë përpara, është e qartë se shanset për një marrëveshje cfarëdo mes republikanëve dhe demokratëve në kongres do të ishin pothuajse zero.
Me reformat shumë të rëndësishme, si ajo e imigrimit të destinuara të mbeten në sirtarët e ëndrrave edhe për shumë kohë. “Nisma synon të mbrojë të drejtat dhe prerogativat e Kongresit mbi bazën e asaj që thotë Kushtetuta”, ka deklaruar Boehner, duke nënvizuar se si “detyra e presidentit duhet të jetë ajo e ndjekjes me besnikëri të ligjeve, dhe jo të ndryshimit të tyre me anë të dekreteve, duke injoruar përfaqësuesit e popullit amerikan”.
Viti 2014 u karakterizua praktikisht nga një lloj aktivizmi i presidentit të SHBA, sa i përket përdorimit të dekreteve ekzekutivë. Një sfidë që i lëshohej Kongresit, që Obama e akuzon se ka bllokuar të gjithë reformat madhore: edhe atë të kontrollit të armëve të zjarrit, apo masat për mbështetjen e ekonomisë, punësimin, familjet, të drejtat civile. Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Dan Pfeiffer, që disa ditë më parë u kish bërë thirrje demokratëve që të bënin kujdes nga mundësia e një aksioni të tillë prej republikanëve: “Shumëkush në Uashington që tallet duhet të bëjë mirë ta besojë”, kish thënë Pfeiffer një javë më parë. “Mendoj – shtonte ai – se Boehneri, duke ndjekur një kauzë ligjore, në fakt ka hapur derën që republikanët të jenë në gjendje të mendojnë impeachment-in në të ardhmen”.
Përballja e numrave
Por, sipas statistikave, Obama nuk ka bërë më shumë se të tjerët: që kur ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë – shkruan NYT – ka nxjerrë 183 dekrete, pjesa më e madhe gjatë mandatit të parë. Paraardhësi i tij, Bush, firmosi në total 291, Bill Clintoni 364, Ronald Reagani 381. Pra, sipas vëzhguesve të të dy krahëve politikë, kjo nismë rrezikon të kthehet në një bumerang për republikanët.
Sfidë
Vetëm pak orë pas votimit në Kongres, Obama firmosi një tjetër dekret, pothuajse si një formë sfide: atë të garantimit të një page më të barabartë dhe kushteve më të sigurta të punës për të gjithë punonjësit e kompanive që punojnë për qeverinë federale. Me shumë sanksione për punëdhënësit që shkelin normat. /messaggero/
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button