Analiza

Shuplaka e Erdoganit për të gjithë turqit

shuplaka e erdoganitElif Sharak

Shkrimtare, autore e “Bastardi i Stambollit”

Në romanin e tij “Shuplaka”, Christot Tsiolkas i vendos ngjarjet në një barbeky në rrethinat e Melburnit. Por një version i kësaj historie dhune patriarkale është luajtur në rajonin turk të Somas, atje ku aksidenti minerar i javës që kaloi shkaktoi vdekjen e më shumë se 300 vetëve. Në vend gëlojnë zërat, sipas të cilëve Kryeministri Erdogan ndoqi nga pas një protestues në një supermarket dhe e qëlloi me shuplakë. E vërtetë apo jo, fakti që edhe mbrojtësit më të flaktë të Erdoganit nuk e quajnë të pamundur, tregon shumë. Ka një ndjesi që, duke patur parasysh personalitetin e tij të ndryshueshëm, një gjë e tillë mund të ketë ndodhur. Në një filmim të rregjistruar po atë ditë, Erdogani dëgjohet të thotë: “Nëse shani Kryeministrin e këtij vendi, merrni një shuplakë”.

Taner Kuruca, protestuesi nga Soma që mendohet të ketë qenë viktima, bëri një deklaratë të ndrojtur, ku dukej qartë që ishte i trembur. Ai shpjegoi se nuk ishte protestues, por thjeshtë dikush që po bënte pazar. “Kur truprojat e tij filluan të shtyjnë, kryeministri fatkeqësisht bëri diçka në mënyrë të pavullnetshme dhe më qëlloi me shuplakë, sepse ishte i zemëruar me turmën”.

Që atëherë, ai e ka ndryshuar dy herë rrëfimin e tij – në fillim deklaroi se ishte një truprojë dhe jo Erdogani, që e goditi. Tani thotë se ishte Erdogani, por se kishte shumë frikë të thoshte të vërtetën.

Nëse kjo do të kishte ndodhur në një tjetër vend, e gjithë qeveria do të ishte tronditur që nga themeli. Por jo në Turqi. Si komb, ne jemi mësuar të gjejmi justifikime për shuplakat që na jepen që në fëmijëri. Në familjen tipike patriarkale turke, dhuna verbale dhe fizike nuk është e pazakontë. Nëse fëmijët sillen keq, baballarët i godasin me shuplakë. Nëse bashkëshortet nuk sillen si duhet, edhe ato marrin të njëjtin ndëshkim.

Në po të njëjtën ditë me aksidentin në Soma, Yusuf Yerkel, një ndihmës i Kryeministrit u filmua teksa godiste me shkelma një protestues. Më vonë Yerkel nxorri një deklaratë ku thoshte se i vinte keq për atë që kishte ndodhur dhe që “nuk kishte ruajtur qetësinë, pavarësisht gjithë provokimeve, fyerjeve dhe sulmeve që mu bënë”. Thuhet se tani ka marrë leje nga puna për shkak të dëmtimeve në këmbën që përdori për të shkelmuar protestuesin.

Ndërkohë, në rrugët e Stambollit, Ankarasë dhe Izmirit policia ka përdorur gazin lotsjellës ndaj të rinjve që protestojnë për kushtet e punës që shkaktuan vdekjen e minatorëve, si dhe ndaj reagimit të qeverisë. Në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme, i famshëm për frymën majtiste, u përdorën plumba plastikë kundër mijëra studentëve që dëshironin të marshonin drejt ministrisë së energjetikës. Nëse del në rrugë, shteti të jep një shuplakë.

Media perëndimore u “pataks” nga fakti që Erdogani përmendi aksidentet në Anglinë e shekullit 19 gjatë, si provë të faktit që veprimtaria minerare ka gjithmonë risqe. Por për veshët e njerëzve të zakonshëm në Turqi, kjo ka kuptim: jeta është e padrejtë kudo, dhe në fund të fundit gjithçka është në duart e Allahut.

Megjithatë, në të njëjtën kohë në Turqi ka një vetëdijësim të fortë se kjo tragjedi mund të ishte shmangur nëse do të ishin marrë masat e nevojshme. Bëhen shpesh krahasime me rastin e minatorëve në Kili. Mediat sociale janë të mbushura me fotografi që bëjnë kontrastin e mënyrave se si operacioni i shpëtimit u krye në Kili dhe se si presidenti i vendit u mirëprit nga minatorët atje, me mënyrën se si Erdoganit “ia morën shpirtin” në Soma.

“Shuplaka” është pjesë e kulturës sonë, dhe ajo shfaqet menjëherë qoftë edhe pas provokimit më të vogël. Provokimi është fjala kyçe, justifikimi i artë. Bashkëshorti që rreh të shoqen në shtëpi ose i ngul thikën në rrugë para fëmijëve e bazon mbrojtjen e tij në gjykatë mbi të njëjtin argument: “I nderuar, ajo më provokoi duke u veshur në mënyrë epshndjellëse”. Burri i arrestuar për masakrën në një restorant përsërit të njëjtën gjë: “I nderuar zoti gjykatës, klienti tjetër më provokoi duke i hedhur vështrime të dashurës time”. Dhe tani, këshilltari i kryeministrit pretendon se u provokua nga një protestues që i goditi makinën dhe e shau.

Në Turqi, të gjithë pushtetin e ka shteti. Qytetarët nuk kanë pushtet. Ne si komb jemi mësuar të na godasin me shuplakë ata që kanë autoritet më të lartë apo pozitë më të lartë. Në familje, në shkollë, në ushtri, në rrugë, në supermarket… shuplaka është kudo. Dhe siç na kanë mësuar këto ditët e fundit, në Turqi mashkulli provokohet shumë kollaj. /the guardian/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button