Analiza

Si e humbën rusët luftën

Nga Mikhail Shishkin

Pyetja kryesore mbi Rusinë sot është: Në qoftë se atdheu është një përbindësh, duhet të duhet apo urrehet? Këtu çdo gjë ka ecur së bashku, në mënyrë të pandashme. Kohë më parë, një poet rus shkroi: “Një zemër e lodhur nga urrejtja s’mund të mësojë të dashurojë”

Screen Shot 2015-05-10 at 19.32.52

Babai im shkoi në luftë si vullnetar në moshën 18-vjeçare. Ai ishte një marinar nëndetëseje në Detin Balltik. Kur isha i vogël, jetonim në një bodrum në Arbat, në qendër të Moskës. Varur në mur mbi shtratin tim, ishte një fotografi e nëndetëses së tij “Shchuka”. Unë kam qenë tmerrësisht krenar që babai im kishte një nëndetëse, dhe përherë e kopjoja atë fotografi në fletoren time të shkollës.

Çdo vit më 9 maj, Dita e Fitores në Rusi – që shënon përvjetorin e ditës kur kapitulloi Gjermania naziste në vitin 1945 – babai im do të shkonte tek dollapi për të marrë uniformën e tij të marinarit, e cila kërkonte mjaft kujdes për ta rregulluar, në atë trup tashmë me një bark të harkuar, dhe vendoste në të medaljet që kishte marrë. Ishte tepër e rëndësishme për mua, të isha krenar për tim atë: Kishte patur një luftë, dhe babai im e kishte fituar atë!

Kur u rrita, e kuptova se në vitet 1944- 1945, babai im kishte fundosur anijet që po evakuonin civilët gjermanë dhe trupat nga Riga e Letonisë dhe Talini i Estonisë. Qindra, në mos mijëra, njerëz gjetën vdekjen në ujërat e Balltikut – akte për të cilat, babai im ishte dekoruar me medalje. Ka kaluar një kohë e gjatë qëkurse kam qenë krenar për të, por unë nuk e gjykoj. Ishte kohë lufte.

Im atë luftoi të keqen e fashizmit, por u shfrytëzua nga një e keqe tjetër. Ai dhe miliona ushtarë sovjetikë, marinarë dhe aviatorë, skllevër virtualë, nuk i sollën botës çlirimin, por një tjetër skllavëri. Populli sakrifikoi gjithçka për fitoren, por frytet e këtij triumfi ishin më pak liri e më shumë varfëri.

Babai im ishte 6-vjeç kur u arrestua gjyshi. Një djalë dëshiron të jetë krenar për babain e tij, por i ati i tij quhej armik i popullit. Gjyshi im u zhduk në Gulag. Kur filloi lufta, popullsia e përndjekur dëgjonte nga altoparlantët thirrjen: “Vëllezër dhe motra!”. Themeli i sunduesve të Rusisë, qëndron tek mënyra sesi ata përfitojnë nga emocioni i shquar i njeriut: dashuria për atdheun dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për të.

Kështu, babai im shkoi në luftë për të mbrojtur atdheun e tij. Ai ishte ende një adoleshent kur shkoi në det, nën terrorin e vazhdueshëm se mos mbytej në atë arkivol çeliku. Ai pra, përfundoi duke mbrojtur regjimin që i vrau babanë. Fitorja nuk u dha skllevërve asgjë, përveç një ndjenje madhështie të perandorisë së zotërisë së tij.

Fitorja e madhe, vetëm sa e përforcoi skllavërinë e tyre të madhe.
Pas luftës, babai filloi të pinte. Të gjithë shokët e tij marinarë, vepruan kështu. E çfarë mund të bënin tjetër? Gjatë epokës së Gorbaçovit, ne kaluam ditë të vështira, ndërsa babai, si një veteran, merrte një racion që përfshinte artikuj nga Gjermania. Për të, kjo ishte një fyerje personale. Ai dehej dhe ulëriste: “Por ne fituam!” Pastaj shtrihej dhe fillonte të qante.

“Më thuaj” – vazhdonte të pyeste ai, ndërsa unë nuk shihja askënd të cilit t’i drejtohej – “e fituam apo e humbëm luftën?”. Në vitet e fundit të jetës, ai e shkatërroi veten duke pirë pafundësisht vodkë. Ai ishte i fundmi nga brezi i tij: të gjithë shokët e tjerë marinarë, kishin vdekur me kohë. Trupi i tim eti u dogj në krematorium së bashku me uniformën e tij të marinarit. Ai ndoshta ishte i mallur, për të parë shokët e tij të kohës së luftës.

Pyetja kryesore mbi Rusinë sot është: Në qoftë se atdheu është një përbindësh, duhet të duhet apo urrehet? Këtu çdo gjë ka ecur së bashku, në mënyrë të pandashme. Kohë më parë, një poet rus shkroi: “Një zemër e lodhur nga urrejtja s’mund të mësojë të dashurojë”.

Sigurisht, unë i uroj atdheut tim fitoren. Por çfarë do të përbënte në fakt, një fitore për vendin tim? Secila prej fitoreve të Hitlerit, ishte një humbje për popullin gjerman. Dhe shpartallimi përfundimtar i Gjermanisë Naziste, ishte një fitore për vetë gjermanët, të cilët dëshmuan sesi një komb mund të ringrihet dhe jetojë si qenie normale njerëzore, pa dalldinë e luftës në kokat e tyre.

Megjithatë, sot Dita e Fitores, nuk ka të bëjë me fitoren e popullit, apo atë të babait tim. Nuk është një ditë e paqes dhe kujtimit për viktimat. Ajo është një ditë e shpatave që vringëllijnë vrullshëm, një ditë e arkivoleve të zinkut, një ditë agresioni, një ditë e një hipokrizie të madhe.

Rusëve, edhe një herë, u bëhet thirrje të luftojnë kundër fashizmit. Histeria patriotike në televizion është arma e mrekullueshme e regjimit. Në sajë të “kutisë së zombive”, popullsia tashmë ka një ide që duhet ta besojë mbi botën: Perëndimi dëshiron të na shkatërrojë, kështu që jemi të detyruar, si etërit dhe gjyshërit tanë, për një luftë të shenjtë kundër fashizmit, dhe duhet të jemi të përgatitur të sakrifikojmë gjithçka për fitoren.

Edhe një herë, udhëheqësit po e rishkruajnë historinë, dhe lënë në të, vetëm fitore e lavdi luftarake. Ata kanë shtuar një kapitull në tekstet shkollore, mbi rikthimin e lavdishëm të Gadishullit të Krimesë. Një lumë histerie rrjedh nga ekranet televizive: “Rusia e Madhe”, “Mbroni gjuhën ruse”, “Mblidhuni rreth botës ruse” dhe “Ne do të shpëtojmë botën nga fashizmi”. Kushdo që kundërshton, është një “tradhtar i kombit”. Në vitin e 16-të sundimit të tij, Presidenti Vladimir Putin ka arritur gjithçka që një diktator mund të pretendojë. Populli i tij e do; armiqtë e kanë frikë. Ai ka krijuar një regjim, që mbështetet jo në paragrafët e thyeshëm të një kushtetute, por mbi ligjet e palëkundura të besnikërisë personale prej vasali ndaj sovranit të tij, nga fundi në krye të piramidës së pushtetit.

Babai im ishte një rus; nëna ime një ukrainase. Por regjimi i Putinit i ka vendosur popujt tanë kundër njëri-tjetrit. Nganjëherë mendoj se është më mirë që prindërit e mi nuk jetuan aq gjatë, sa të shihnin sesi rusët dhe ukrainasit po vrasin njëri-tjetrin. Është e pamundur të marrësh frymë, në një vend ku ajri është i mbushur me urrejtje. Historikisht, shumë urrejtje gjithmonë është pasuar, nga shumë gjak i derdhur. Çfarë e pret vendin tim? A mos vallë shndërrimi në një version gjigant të rajonit lindor ukrainas të Donbasit? Edhe një herë, diktatura po i bën thirrje qytetarëve të saj të mbrojnë atdheun, duke shfrytëzuar pa mëshirë propagandën e fitores në Luftën e Madhe Patriotike. Sundimtarët e Rusisë i kanë vjedhur popullit tim naftën, zgjedhjet, vendin e tyre. Dhe së fundmi, u kanë vjedhur edhe fitoren. Baba, ne e kemi humbur luftën.

Shënim: Mikhail Shishkin është një shkrimtar rus dhe autori, më së fundi, i përmbledhjes historike “Mësime kaligrafie” NYT/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button