Analiza

Si e shpëtoi Emannuel Macron-in, pandemia e Covid-19

Nga Jonathan Miller

“The Spectator”

Në fillim të pandemisë, unë parashikova se pandemia e Covid-19 mund të ishte shkatërrimtarja e shpresave të Emmanuel Macron për një mandat të dytë si president i Francës. Kisha të drejtë apo gabim? Unë kam filluar të dyshoj për këtë të fundit.

Është e vërtetë që në shumë aspekte Macron ka qenë një president me plot të meta. Ekziston një hendek i dukshëm midis premtimeve të tij ekstravagante dhe performancës së matshme. Ai i shpalli shkencëtarët francezë si më të mirët në botë.

Por ndërkohë këta të fundit nuk kanë arritur ende të prodhojnë një vaksinë anti-Covid të miratuar nga entet përkatëse. Ai shprehu besim të plot se Bashkimi Evropian do të arrinte të garantonte një furnizim me vaksina për gjithë Evropën, por përpjekjet e unionit sollën disa muaj vonesë në këtë proces, teksa vendet jashtë BE-së, përfshirë Britainë e Madhe, ishin përpara.

Paketa e masave të paqëndrueshme jo-mjekësore të presidentit Macron degradoi në një farsë dhe në një kriminalizim të jetës së përditshme. Për të dalë nga shtëpia, francezët u detyruan të firmosnin një formular. Në vend u vendos ora policore.

Policia patrullonte me dronë mbi plazhe për të kapur njerëzit që kishin dalë shëtitje. U njoftua se maskat ishin të padobishme, dhe u vendosën gjoba për farmacitë që i shisnin ato. Pastaj konsiderohej si krim të mos mbaje një maskë në ambiente publike të mbyllura.

Sot, qindra e mijëra demonstrues dalin çdo javë në rrugë për të protestuar kundër pasaportës shëndetësore të Macron, patë cilën nuk mund të dilet të pihet një kafe në një kafene, të shkohet në një qendër tregtare, të hipet në tren apo avion.

Virusi mbetet ende jashtë kontrollit. Tashmë jemi pranë një bllokimi të ri me afrimin e sezonit të vjeshtës. Nëse kjo ka qenë vërtet një luftë, Macron duket i mposhtur. Por Covid-19nuk është metrika e vetme me të cilën votuesit mund ta masin performancën e presidentit. Siç e dëshmoi vizita 3-ditore e tij në Marsejë javën e kaluar, problemet e rendit dhe ligjit në Francë, nuk përputhen me deklaratat dhe fjalimet e tij të gjata.

Macron u zotua të forconte një forcë policore të mbingarkuar me punë për shkak të dhunës së bandave dhe të reformonte shkollat ​​që ishin gjunjëzuara. Ai dhe shoqëruesit e tij u tallën kudo që shkuan. Papunësia mbetet afër 10 për qind, dhe është shumë më e lartë tek të rinjtë.

Sistemi arsimor po dështon. Suksesi në provimet e maturës, dikur shumë kërkuese, është bërë pothuajse automatik me një normë kalimi prej 94 për qind këtë vit. E megjithatë, pak më shumë se 200 ditë nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, opozita e Macron ndodhet në një gjendje më të keqe se vetë presidenti.

Partia Socialiste, dikur shumë e fuqishme është në kaos. Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, që e ka mbytur qytetin e saj në borxhe, është kandidatja e saj e mundshme presidenciale. Por edhe nëse ajo mund të bëjë aleancë me të Gjelbrit, një parti që ka një mbështetje minimale në përgjithësi, ajo nuk ka gjasa të fitojë aq vota sa kundërshtari i saj

Në të majtë, Jean-Luc Mélenchon, një figurë e ngjashme me Jeremy Corbyn në Britani, e cila drejton partinë La France Insoumise (Franca Rebele).

Duke injoruar shpurën e zakonshëm të nacionalistëve, aktivistëve për të drejtat e kafshëve, katolikëve dhe monarkistëve, që do të kenë fatin të marrin më shumë se 5 për qind në raundin e parë të zgjedhjeve, është e djathta franceze ajo që ofron panoramën më ngushëlluese për presidentin aktual.

Një garë paraprake e fortë, supozohet të prodhojë një kandidat për Les Républicains, një parti që është distancuar nga trashëgimia e dikurshme e gjeneralit De Gaulle. Por në skenë mungojnë kandidatët me kredenciale të besueshme.

Oudouard Philippe, kryeministri republikan i shkarkuar nga Macron sepse ishte shumë popullor, nuk duket i interesuar të garojë. Ish-presidenti Nikolas Sakozy është i dënuar me burg për korrupsion, edhe pse nuk ka hyrë ende në qeli. François Fillon, që supozohej të ishte rivali i tij kryesor herën e fundit para se të akuzohej, vazhdon të jetë i përfshirë në një mori problemesh me ligjin.

Michel Barnier, i promovuar aktualisht nga media kryesore, duket se s’do të kandidojë për president, por për t’u bërë kryeministër në një qeveri të ardhshme të koalicionit. Negociatori i Brexit beson sedo të jetë përfitues i një palë zgjedhjeve presidenciale, që në fund do fitohen nga Macron. Por ky i fundit do të humbasë kontrollin e Asamblesë Kombëtare, teksa partia e tij En Marche! do të shkërmoqet në zgjedhjet parlamentare që do të pasojnë ato presidenciale.

Xavier Bertrand, president i rajonit Hauts-de-France, mund të jetë shpresa më e mirë e republikanëve. Por ai pretendon se nuk është më një republikan, duke e ditur se do të humbasë në zgjedhjet paraprake refuzon deri më tani të marrë pjesë në zgjedhje.

Gjithsesi ai mund të garojë deri në raundin e parë. Qendra e djathtë është e ndarë. Në të djathtë të republikanëve është Marine Le Pen, që humbi përballë Macron 5 vjet më parë, dhe para tij përballë François Hollande.

Ajo mbetet gjithsesi e vendosur që të garojë sërish. Le Pen përballet këtë herë me rivalitetin e Éric Zemmour, moderatorin e CNews, një kanal televiziv i ngjashëm me Fox News në SHBA. Ndoshta ai mund ta mposhtë Le Pen në raundin e parë, por ka shumë të ngjarë që vetëm ta përçajë më tej të djathtën.

Le Pen është padyshim kundërshtarja e preferuar e Macron në raundin e dytë, dhe këtë e sugjerojnë edhe sondazhet. Por a ka në fakt rëndësi se kush do të jetë kundërshtari i Macron? Është ironike që Covid-19, mund ta shpëtojë këtë herë presidentin.

Pandemia i ka dhënë kompetenca të papara shefit të Elysée. Çuditërisht, kufizimet si vendosja e detyrueshme e maskës dhe pasaportat e shëndetit, janë shumë popullore. Ashtu si në Britani, Gjermani, Australi dhe më gjerë, shumë votues duken shumë të kënaqur me këto masa.

Por ndërsa po afrohet dimri dhe efikasiteti i vaksinave ka nisur të vihet në dyshim, në horizont po shfaqen bllokimet e reja. Dhe Macron deri tani ka një vlerësim prej 50 për qind në disa sondazhe. Një shifër shumë interesante pasi vetëm gjysma e këtij numri deklarohen të gatshëm për të votuar për të.

Dhe paradoksalisht koronavirusi duket se është “aleati” i tij. Asnjë nga politikanët kryesorë të opozitës nuk ka guxuar të vendosë në pikëpyetje strategjitë e qeverisë. Nëse kanë protestuar mijëra njerëz, miliona të tjerë jo. Macron dhe ekipi i tij i demonizojnë kundërshtarët me gjuhën e kopjuar nga kryeministri australian Scott Morrison.

Në një intervistë për “Le Parisien”, zëdhënësi i qeverisë i etiketoi kohët e fundit protestuesit një “periferi kapriçioze dhe disfatiste”. Në botën anglishtfolëse, duket se ka disa shpërblime të konsiderueshme politike nga politikat më liberticidale (ato që e kufizojnë lirinë e individit).

Kjo mund të jetë e vërtetë edhe në Francë. Padyshim është e mundur që Éric Zemmour ta mposhtë Le Pen, për t’u përballur raudin e dytë me Macron. Ai mund t’ia vështirësojë jo pak garën presidentit, por që të ndodhë kjo duhet qëta ngrejë lojën e tij përtej retorikës së ligë të komunitarizmit dhe deklinizmit.

Me mediat kryesisht në anën e Macron, me Twitter dhe Facebook të censuruar fort,dhe me një numër të madh francezësh të tmerruar nga virusi, Macron po vë bast se bashkatdhetarët e tij do të ndjekin këshillën e një tjetër francezeje të shquar, që u shndërrua në një mjeshtre të gjuhës angleze, Hillaire Belloc:“Dhe mbajeni gjithmonë pranë infermierin, nga frika se mos ju gjen diçka më e keqe!”.Larg mposhtjes së Macron, Covid-19 duket se mund ta shpëtojë atë.

Back to top button