AnalizaBotaMAIN

Si shkoi realisht samiti Bajden-Putin?

Nga Francesca Salvatore

Takimi i së mërkurës midis Xho Bajden dhe Vladimir Putinit ishte shumë i kujdesshëm. Megjithëse ka nga ata si Metju Rojanskit, drejtor i Institutit Kenan të Qendrës Udrou Uillson, që janë gati të vënë bast se “këta 2 burra do të bëhen miq”.

Raundi i parë i takimit kokë më kohë përfundoi prej më pak se 2 orësh, duke tejkaluar vetëm pak minuta orarin zyrtar. Një lloj “nxehje muskujsh”me pjesëmarrjen e Ministrit të Jashtëm Rus, Sergej Lavrov dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Entoni Blinken.

Dhe për shkak se fjalët janë të rëndësishme, takimi filloi me Bajden që i etiketoi Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë si “dy fuqi të mëdha”, një ngritje e dukshme e statusit të Moskës, e degraduar në një fuqi rajonale në epokën e Obamës.

Pastaj pasoi në një kacafytje midis fotoreporterëve dhe gazetarëve, që ishin të etur të përjetësonin takimin midis dy gjigantëve, që buzëqeshnin për të fshehur tensionin, krijonin kontakte të rralla sy më sy, dhe përdornin fraza kortezie të tipit “Unë e di që keni bërë një udhëtim të gjatë, dhe keni shumë punë” ose “Është shumë më mirë që po takohemi ballë për ballë”. Takimi i ngushtë i la vendin atij midis 2 delegacioneve, që përfundoi pak minuta pas orës 5 të pasdite me orën lokale, apo disa minuta përpara orarit zyrtar.

Konferenca për shtyp e Vladimir Putin

Të dy udhëheqësit dolën në konferenca të ndara për shtyp. I pari foli Vladimir Putin. I ftohtë, konkret, hera-herës cinik, duke luajtur ping pong me gazetarët. “Asnjë armiqësi mes nesh,vetëm frymë konstruktive”- e portretizoi takimin udhëheqësi rus, duke cituar menjëherë çështjen e Ukrainës.

Ai pretendon se mbi të diskutoi shumë pak, duke arritur në përfundimin se e ardhmja e zonës është e lidhur ngushtë me Marrëveshjen e Minskut. Në takim u prek menjëherë çështja e stabilitetit strategjik:“Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë një përgjegjësi të veçantë”, deklaroi Putin duke theksuar se të dyja fuqitë janë, mbi të gjitha, fuqi bërthamore.

Dhe referenca shkon menjëherë tek traktati NEW START. Një vendim i mençur, sipas Putinit, ishte zgjatja e konsultimeve për 5 vjet të tjera. Ndërkohë u ra dakord të ngrihen komitetet ndërqeveritar që do të përcaktojnë axhendën si dhe datat dhe vendet e takimeve të ardhshme.

Çështja e sigurisë kibernetike është delikate. Edhe në këtë aspekt Putini deklaroi nevojën

për negociata në të ardhmen. Por ai hodhi poshtë akuzat për komplotimin e sulmeve të ngjashme kundër SHBA-së, duke theksuar se ato vijnë kryesisht nga Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Amerika Latine.

I pyetur mbi rastin Navalni, Putin citoi Guantanamon, duke deklaruar se disidenti ka shkelur ligjin rus. “Zotëria në fjalë shkoi jashtë vendit për t’u kuruar. Sapo shkoi në spital, ai shfaqi videot e tij në internet…Pra donte të shkelte ligjin me vetëdije. Ai bëri pikërisht atë që donte të bënte.

Atëherë çfarë diskutimi mund të bëjmë mbi këtë rast?”- tha Putin. I pyetur mbi klimën shtypëse ndaj mbështetësve të Aleksei Navalnit, presidenti rus Vladimir Putin u kundërpërgjigj duke folur për protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara dhe sulmin e turmës në Kapitol më 6 janar 2021.

“Ne jemi solidarë me atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara. Por nuk duam që kjo të ndodhë në Rusi”-tha Putin. Siç pritej, u konfirmua rikthimi i ambasadorëve në të dyja vendet, gjë qëme sa duket do të ndodhë në ditët e ardhshme. Asnjë ftesë për Putin në Shtëpinë e Bardhë, të paktën tani për tani. Presidenti rus rikthehet ketë herë në Rusi si i barabartë.

Konferenca për shtyp e Xho Bajden

Sikurse pritej, presidenti Bajden tha se qëllimi i takimit ishte rindërtimi i marrëdhënieve “të qëndrueshme dhe të parashikueshme” midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Biden konfirmoi udhëheqjen morale të botës, që e ka shfaqur gradualisht muajt e fundit.

Për këtë arsye çështja e respektimit të të drejtave të njeriut shfaqet e para:“Axhenda ime nuk është kundër Rusisë, por për amerikanët. Unë do të vazhdoj t’i ngre këto çështje, pasi ato kanë të bëjnë më identitetin tonë”- deklaroi Bajden. Në dallim nga Putin, Bajden theksoi se ai kishte folur në një mënyrë shumë të hollësishme mbi kontrollin e armëve, duke rënë dakord për vazhdimin e një dialogu për stabilitetin strategjik.

Nga këtu rrjedh ideja e formimit të një ekipi ekspertësh dhe diplomatësh, të cilët do të vazhdojnë bisedimet mbi aspektet teknike. Në lidhje me sigurinë kibernetike, Bajden theksoi nevojën për të ndërmarrë veprime të përbashkëta kundër kriminelëve të këtij lloji.

Për këtë arsye do të krijohet një këshill ekspertësh, që mund të mbrojë reciprokisht infrastrukturat jetike për të dyja vendet. U ra dakord të bashkëpunohet kundër vendeve të treta, që po i shndërrojnë krimet kibernetike në fokusin e veprimit të tyre jashtë vendit.

Ndërkohë Bajden preku disa çështje, në të cilat interesat ruse dhe amerikane janë të ndryshme:në Siri, ku është nevoja të sigurohet ushqim dhe paqe; nevoja për të kufizuar përshkallëzimin bërthamor në Iran; ideja për ta mbajtur Arktikun një zonë bashkëpunimi dhe jo konflikti; mbrojtja e së ardhmes së Afganistanit nga kërcënimi terrorist. Dhe pastaj ideja e mbrojtjes së integritetit territorial të Ukrainës dhe frika e përbashkët mbi situatën në Bjellorusi.

Lajmi i vërtetë i së mërkurës ishte se samiti u zhvillua dhe u mbyll pa ndonjë befasi. Tonet pajtuese, argumentet e përgjithshme, parimet udhëzuese, e tradhtojnë vullnetin pragmatik për t’u takuar përsëri pa ndërprerë komunikimet:Shtatëdhjetë vjet më vonë, vija e kuqe vazhdon të ketë arsyen ekzistencës së saj. / “Il Giornale” – Bota.al

Back to top button