Psikologji

Si ta nxisësh veten të punosh më fort, edhe pse nuk je shumë në qejf?

Një provim i rëndësishëm të pret javën e ardhshme në shkollë dhe ende nuk ke nisur të mësosh. Ke nisur një trajnim të ri në një punë, ndërkohë që nuk po përgatitesh aq sa duhet që të kuptosh çdo gjë që thuhet në të. Ke plot fatura që të presin për t’u paguar dhe nuk di se si do t’ia dalësh mbanë. Koha po ikën, ndërkohë që ti vazhdon dhe e justifikon veten tënde. Ja se cilat janë disa nga justifikimet që përdorin më tepër njerëzit, kur nuk duan ta bëjnë diçka. Bashkë me to keni edhe mënyrat se si t’ia dilni mbanë me çdo justifikim.

  1. Nuk di se nga t’ia nis.

Ne të gjithë jemi gjendur në situata kur nuk kemi pasur kohë për të bërë diçka dhe çdo gjë na dukej aq e komplikuar, saqë mendonim se nuk do t’ia dilnim dot mbanë. Por a ka vërtet rëndësi se nga t’ia nisësh? Për mendimin tim, jo. Rëndësi ka që të nisësh nga diku dhe pastaj me hedhjen e vazhdueshme të hapave do të të shfaqet vetë rrugëtimi që duhet të ndjekësh. Mjafton të nisësh nga diku dhe pastaj çdo gjë do të bëhet e qartë në mendjen tënde.

  1. I thua vetes se ke plot gjëra që po të shpërqendrojnë për momentin.

Është e vërtetë, mund të ndodhë të shpërqendrohemi nga emailet, telefonatat, detyrat në punë, apo në familje. Por unë të ftoj të ndalesh për një minutë dhe të pyesësh veten, cila nga këto detyrime ka më tepër vlerë për ty. Është e lehtë të merresh me gjëra që të shpërqendrojnë, por duhet të kuptosh se koha kalon dhe ti fillon të humbasësh nga gjërat që vërtet kanë rëndësi për ty. Ndaj, zgjidh me kujdes dhe do t’ia dalësh të bësh gjërat e duhura.

  1. Synimi që ke, të duket tepër i lehtë për t’u arritur.

Ky është një gabim i rëndë, pasi kur e mendon diçka si të lehtë, fillon ta nënvlerësosh atë gjë duke u marrë me plot gjëra të tjera e duke menduar se atë gjë mund ta bësh edhe më vonë. Kështu, ti fillon të humbasësh kohë, derisa gjendesh më pas në një situatë kur ke shumë pak kohë, saqë dhe ajo gjë që më parë të dukej e lehtë, tashmë të duket e vështirë ta realizosh për kohën që ke në dispozicion. Mos e mendo asnjëherë diçka si të thjeshtë, apo pak të rëndësishme, pasi rëndësia e diçkaje duhet lidhur përherë me kohën që të ofrohet për ta realizuar atë gjë.

  1. Nuk të pëlqen ajo që po bën.

Ke të drejtë, është tepër e vështirë të merresh me diçka që nuk të pëlqen. E keqja tjetër, është se është gjithashtu e vështirë të bindësh dikë të bëjë diçka që nuk e pëlqen, apo që e urren. Por ekziston një plan që të nxit ta bësh edhe këtë gjë. Mos e lër diçka që nuk e pëlqen për në fund. Binde veten se nuk do të kapësh asgjë tjetër me dorë, nëse nuk e mbyll atë gjë. Detyroje veten ta përfundosh atë gjë dhe në fund merru me gjërat që të pëlqejnë. Ke për t’ia dalë mbanë!

  1. Mendon se nuk do t’ia dalësh dot, pasi ajo që synon, të duket tepër e vështirë.

Ky mendim është plotësisht i lidhur me dështimet në të shkuarën tënde. Mirëpo një dështim i së shkuarës tënde, nuk do të thotë se do të dështosh edhe në të tashmen, apo në të ardhmen tënde. Ngjarjet janë plotësisht të pavarura nga njëra tjetra, ndaj mos e bind veten për diçka që nuk do të ndodhë ashtu. Binde veten se mund t’ia dalësh dhe mendo për suksesin që do të korrësh në fund. Mbaje përherë në mendje se, si të mendosh se do t’ia dalësh, si të mendosh se nuk do t’ia dalësh, ke përherë të drejtë.

Leave a Reply

Back to top button