BotaMAIN

Si ta vlerësojmë punën e një politikani?

Nga Mariella Palazzolo

Vlerësimi i punës së një politikani nuk është diçka e lehtë për t`u bërë. Nëse vendosim idetë dhe qëllimet e mira në vendin e numëruesit, dhe mundësinë reale të realizimit të tyre në atë të emëruesit, rezultati i thyesës është shpesh dëshpërues.

Në librin “Thanks Obama” (Faliminderit Obama) nga Dejvid Lit, personi që shkroi fjalimet e ish-presidentit amerikan së bashku me të tjerët, autori rrëfen se si ajo që hyri në historinë e SHBA-së si Obamacare, reforma e Barak Obamës për një shërbim shëndetësor më gjithëpërfshirës, ​​hasi në jo pak vështirësi për t’u miratuar dhe pati shumë gabime dhe vështirësi kryesisht të natyrës logjistike në zbatimin e saj.

Por përkundër shumë problemeve, sot ajo është akoma aty. Administrata  e Donald Trump u përpoq ta çmontojë, por nuk arriti që ta zhbëjë. Në Itali, ligji kundër pirjes së duhanit nuk u miratua dot nga Umberto Veronezi, promovuesi i tij më i pasionuar dhe më me autoritet. Ministri i Shëndetësisë në vitet 2000-2001, Veronezi dështoi në misionin e tij më të rëndësishëm.

Ishte pasardhësi i tij Xhirolamo Sirkia ai që e realizoi në vitin 2003. Nga ajo çka del nga një  studim i kryer nga studiueset Valentina Mele dhe Amelia Kompanji, Sirkia përfitoi shumë nga përvoja e Veronezit, duke zbutur disa nga aspektet më të debatueshme dhe përçarëse të projektligjit të tij.

Ministri i ri i Shëndetësisë ndryshoi fokus:tema e luftës kundër pirjes së duhanit, që ngrinte edhe problemin e lirisë së individit, u interpretua si mbrojtje e shëndetit të jo-duhanpirësve. Me fjalë të tjera, liria e individit për të pirë duhan, mbaron aty ku fillon e drejta e fqinjit të tij jo-duhanpirës për të mbrojtur shëndetin e tij.

Unë besoj se çdo politikan ka një objektiv minimal mbi të cilin duhet të vlerësohet puna e tij. Kryetari i bashkisë së Palermos Leoluka Orlando, e tha këtë në intervistën “Kryebashkiaku Multikulturor”. Fokusi i tij ishte kultura. Dhe duket se ka pasur sukses me të.

“Mund të them se misioni është përmbushur. Nëse vdes sonte do të iki i kënaqur nga kjo botë. Kam kontribuar në ndryshimin kulturor të qytetit tim”- theksoi ai. Duke takuar politikanë, administratorë dhe menaxherë në punën time si lobiste, unë e pyes shpesh veten se si ia bëjnë udhëheqësit e vërtetë që të merren me 1 mijë e 1 problemet që u shtrohen çdo ditë për zgjidhje në tryezat e tyre të punës.

Duke rilexuar librin e Dejvid Lit, gjej një fjali të nënvizuar që e kisha harruar:“Sekreti i zgjidhjes së problemeve të mëdha, qëndron në të kuptuarit se cilat janë problemet e vogla që mund të injorohen”. Jo të gjithë e kanë këtë dhunti. / “Huffington Post Italia” – Bota.al

Back to top button
Close
Close