Nunc est Bibendum

Silvano Samaroli. Një mik i Whisky-it na lë

Një tweet ishte i pari që na lajmëroi për vdekjen Silvano Samaroli-it, njeriut që u mësoi whisky-n italianëve, siç e quan Samarolin një nga shkrimet e nekrologjisë së tij. Mistiku i whiskey-t, si e kishin quajtur të tjerë, u nda nga jeta gjatë një fluturimi nga Singapori në Itali. Nuk na vjen mirë të shkruajmë për një tjetër mjeshtër e pijedashës që ndahet nga jeta, sidomos kur kjo na kujton edhe njëherë se shijehollët po ikin një nga një.  Por nuk mund të linim pa thënë dy fjalë mbi këtë personazh të spikatur për interesin e të gjithë miqve të Nunc est Bibendum, që kanë një pasion për maltet e distilatet në përgjithësi.

Samaroli lindi në vitin 1939 në Bengasi të Tunizisë, aty ku, nga viti 1965 fillojnë udhëtimet e tij drejt Skocisë, me qëllim njohjen nga afër të malteve skoceze. Në fillim ai thjeshtë i importonte ato  në Itali, pra whisky-n siç e prodhonin aty distileritë skoceze, por më vonë ai zëvendësoi edhe skocezët në një tjetër process, atë të seleksionimit. Kërkonte fuçi më fuçi, blinte të përzgjedhurat, hidhte whisky-n në shishe dhe i jepte etiketës, emrin e tij. Në pak kohë, ky emër u kthye në një garanci dhe në një markë të mirënjohur në mbarë botën. Të çuditshëm ishin whisky-t e tij, por me personalitet, edhe në qoftëse nuk dakordësonin të gjithë shijuesit.

Shpeshherë nuk bënin për shijen e të gjithëve, por gjithnjë të shumëpritura nga të apasionuarit, të cilin ishin të gatshëm të shpenzonin shumë të holla për shishet e tij. Macallan, Springbank, Craggamore, Tomintoul, Caol Ila. Ato që zgjidhte Silvano ktheheshin menjëherë në kult, më tepër për atë vetë e të apasionuarit, sesa për distileritë.

Për Samarolin, vitet tetëdhjetë shënuan edhe perëndimin e epokës së artë të whisky-t – sado e pakuptimtë mund të tingëllojë kjo sot, për ata që i qasen vetëm së fundmi etiketave, që lokalet me mburrje ekspozojnë në raftet e tyre të tejmbushura, jo pak herë në konkurrencë me njëri-tjetrin lidhur me numrin e llojeve  – pse për Samarolin elbi që blihet tashmë rëndom nga distileritë po në të njëjtat vende, duke shpërfillur veçantitë e terroir-it dhe vetë (kokrra e elbit që mbledhin e më pas ritransmetojnë të gjithë kundërmimet, aromat që përthithin nga ambienti rrethues), fuçitë që mbipërdoren e uji që shpeshherë s’dihet më se nga vjen. Samaroli u shkëput disi nga malti, nga njëra anë filloi të interesohej për rumin – të famshme gjithashtu mes të apasionuarve edhe përzgjedhjet e tij të rumit nga shumë vende prodhuese të botës – dhe nga ana tjetër forcoi besimin se vetëm whisky-t ‘blended’, (apo vatted siç quheshin dikur), rezultat i punës përzgjedhëse e përzjerëse, mund të vazhdonin t’u jepnin emocione të apasionuarve të vërtetë. Të paktën ky ishte mendimi i tij. Asgjë  më mirë se sa “Kërkoj kudo gjithçka që është unike” e tij mund ta shpjegojë zellin e tij. Për këto arsye, preferoi më pas, ato whisky që nuk e tregojnë moshën mbi etiketë, thënë ndryshe Nas. Asembloi edhe vetë një të tillë të famshëm. “Whisky heretik”, libri i tij, botuar vitin që shkoi, tregon shumë mbi botën e Samarolit.

Nuk jemi ulur asnjëherë të flasim kokë më kokë me Samarolin, ai kishte flokët e bardhë shumë përpara se rubrika jonë të ekzistonte, por për pasionin e pashoq dhe ndikimin e tij në universin e maltit, për Nunc est Bibendum do të mbetet një mik i vyer.

Slainthe’ ! Për Silvanon!

Leave a Reply

Back to top button