Histori

Skeletet mbrojtëse të Dorëshkrimeve të Detit të Vdekur. Misteri u zbulua?

Analiza e 33 skeleteve të gjetur në Qumran, në bregun perëndimor të Detit të Vdekur, në Cisjordaninë e sotme, ofron detaje të reja mbi një komunitet fetar që ndoshta është i lidhur me disa prej teksteve biblike më të lashta që janë gjetur ndonjëherë.

Dorëshkrimet e Detit të Vdekur janë një tërësi prej 981 dokumentash në hebraisht, në gjuhën aramaike dhe greke, që janë zbuluar mes viteve 1947 dhe 1956 në 11 shpella përreth Detit të Vdekur, dhe që i përkasin të ashtuquajturës Periudhë të Tempullit të Dytë (597 para Krishtit – 70). Kanë kopje të teksteve biblike, por edhe rrëfime apokrife, të pakanonizuara në Bibël, si dhe dokumenta që përshkruajnë normat fetare të komuniteteve të caktuara fetare në brendësi të traditës hebraike.

Asketë

Përgjatë dekadave, ka pasur disa teori për autorët e tyre të mundshëm, ose kujdestarët. Një nga më të besueshmet i identifikon tek Esenët, një komunitet me disa mijëra njerëz që i përkasin një sekti paqësor hebre që jetonte në Palestinën e lashtë.

Duke pasur një jetë të dëlirë dhe jetuar në beqari, e ngjashme me atë të shumë komuniteteve të murgjve, jetonin në mjedise të izoluara një jetë lutjesh, veprimesh dhe besimi të shënuar me heqjen dorë nga prona private dhe një betim solemn pasuar nga tre vit iniciim. Fati i sektit (i cili sipas disa dijetarëve ka ndikuar në doktrinën e Jezusit) perëndoi rreth vitit 68 pas Krishtit kur u bashkua me lëvizjen anti-romake të rezistencës dhe u asgjësua.

Tregues të rëndësishëm

Tani antropologët e Autoritetit Izraelit të Zbulimeve kanë analizuar 33 skelete nejrëzish që u gjetën në Qumran vitin e kaluar: përkimet mes tyre dhe esenëve janë të spikatur, siç del nga prezantimi i rezultateve.

Eshtrat që janë rreth 2200 vjeçare janë të së njëjtës moshë me dorëshkrimet biblike. Nga forma e kockave rezulton se janë vetëm burra mes 20 dhe 50 vjeç, pa asnjë prani femërore. Mungesa e plagëve tregon se nuk bëhet fjalë për ushtarë.

Treguesit të bëjnë të mendosh për një komunitet murgjish që bënte në shkretëtirë një jetë askete: mbase një komunitet Esenësh.  Nuk mund të thuash që ishin autorët e Dorëhskrimeve të Detit të Vdekur, por duke parë afërsinë fizike dhe kohore, ndoshta këta burra ruanin sekretin, dhe çuan përpara traditën. / Burimi: Focus – Përgatiti: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button