Analiza

Skenari i Krimesë, edhe një herë nga fillimi

The Wall Street Journal

skenari i KrimesePresidenti Obama deklaroi në Bruksel muajin që kaloi se “nëse udhëheqja ruse qëndron në kursin aktual, së bashku do të sigurojmë që izolimi i saj të thellohet. Sanksionet do të zgjerohen, dhe pasojat mbi ekonominë e Rusisë, si dhe pozicionin e saj në botë, vetëm do të rëndohen”. Që atëherë, SHBA dhe Europa nuk kanë bërë pothuajse asgjë për ta bërë Putinin të besojë që këto fjalë mund të jenë dicka më shumë se sa një vijë e kuqe e pakuptimtë

Vladimir Putini është rikthyer në ofensivë kundër Ukrainës, dhe të paktën Uashingtoni dhe europianët nuk mund të thonë që janë të befasuar. Vala e re ruse e kanosjes dhe ndërhyrjes politike, po ecën sipas skenarit të Krimesë.

Të dielën, disa mijëra protestues prorusë në tre qytete të mëdhenj industrialë pranë kufirit të Ukrainës me Rusinë, hynë me forcë në ndërtesat qeveritare. Në qendër të demonstratave ishin nënshtetas rusë, që ukrainasit thonë se përfshinin forca speciale si ato që udhëhoqën marrjen e Ukrainës.

Të hënën, 100 agjitatorë kryesisht të panjohur krijuan një “republikë popullore” në qytetin lindor të Donetskut dhe bënë thirrje për ndërhyrje të ushtrisë së Rusisë. Protestuesit në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, shpallën një “republikë të pavarur” dhe u përplasën me mbështetës të pavarësisë së Ukrainës.

Zyrtarët në Kiev i bënë thirrje policisë ukrainase të hënën që të largojë protestuesit. Reagimi ishte një risk i llogaritur dhe i justifikuar i qeverisë së re për të rivendosur kontrollin mbi territorin e saj. Risku është që, cfarëdolloj gjakderdhjeje do të ofronte një justifikim për Putinin, që të urdhërojë forcat ruse të pushtojnë një tjetër pjesë të vendit. Jo se presidenti rus ka treguar se ka nevojë për pretekst, deri më sot.

Putini përdori thirrjen për ndihmë nga një politikan i Krimesë për të justifikuar pushtimin e Rusisë muajin që kaloi, si dhe organizuar një referendum-farsë për aneksimin e gadishullit. Rusët nuk po tregohen më delikatë në Ukrainën lindore. Teksa provokatorët e dërguar nga Moska bënë punën e tyre në këta qytete, fushata disinformuese e medias ruse u vu menjëherë në punë.

Televizioni shtetëror rus ishte media e vetme e lejuar në terren, dhe raportoi direkt atë që po ndodhte me ata që i quajti “aktivistë” të Donetskut që shpallën “republikën e tyre popullore”. Itar-Tass, agjencia e lajmeve e Kremlinit, i quajti “ligjvënës” dhe “deputetë” që kishin miratuar “një ligj” për të zhvilluar një referendum si ai i Krimesë për pavarësinë, në 11 maj. Nuk është habi, vetëm dy javë para se Ukraina të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme për zgjdhjen e pasardhësit të presidentit të rrëzuar, Viktor Janukovic, në 25 maj.

Këshilli i ligjshëm dhe këshillat rajonalë në Donetsk e quajtën si farsë “votimin” e Rusisë. Popullsia në shumicë rusisht-folëse, por ukrainase për nga etnia, mund të mos ketë mbështetur rrëzimin e Presidentit Janukovic në Kiev në muajin shkurt. Por sondazhet dhe numri i vogël i protestuesve tregonë që shumica gjithashtu nuk mbështet separatizmin, për t’u bashkuar me Rusinë.

Megjithatë, kriza e Krimesë e bëri të qartë se fakti më i rëndësishëm për Putinin është aftësia manovrese ushtarake. Parlamenti totalisht i kontrolluar në Moskë i hapi dritën jeshile muajin që kaloi përdorimit të forcave ruse kudo në Ukrainë, për të mbrojtur rusisht-folësit. 50 mijë ushtarë dhe armatimet e tyre të rëndë janë ende të stacionuar përgjatë kufirit ukrainas dhe mund të vihen në cdo moment në lëvizje.

Oleksandr Turchynov, presidenti i përkohshëm i Ukrainës i cili nuk po kandidon për ta mbajtur këtë post, i përmblodhi kështu qëllimet e Rusisë: “Destabilizim, përmbysje e qeverisë aktuale, prishje e zgjedhjeve dhe ndarje e vendit”. Secila prej këtyre, edhe një luftë civile, do i shkonte për shtat Putinit. Interesi i tij parësor është nxjerrja nga binarët e demokracisë post-revolucionare në Ukrainë dhe moslejimi i një reshtimi të mundshëm me Perëndimin.

Edhe pa një pushtim, demonstratat i shërbejnë kërkesës së Putinit që Ukraina të lejojë votimin për “federalizëm”. Të hënën, ministria e jashtme e Rusisë ofroi më shumë detaje për kërkesat që ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov kishte bërë gjatë bisedimeve private me Sekretarin e Shtetit të SHBA, John Kerry.

Rajonet rusisht-folëse do të bëheshin autonome, që do të sillte një drejtim indirekt nga Moska për momentin, si dhe do të linte një derë të hapur që ata të futeshin zyrtarisht në orbitën imperiale të Rusisë. Moska kërkon gjithashtu “garanci të forta” që Kievi nuk do të përpiqet të hyjë në BE ose NATO. Një Ukrainë sovrane ka të drejtën ta marë vetë vendimin, por Putini kërkon që t’ua imponojë fqinjit të vet, dhe do të preferonte të kishte dhe miratimin e heshtur të SHBA. Trupat në kufi janë një kujtesë e asaj që mund të ndodhë, nëse Kievi e refuzon ofertën.

Presidenti Obama deklaroi në Bruksel muajin që kaloi se “nëse udhëheqja ruse qëndron në kursin aktual, së bashku do të sigurojmë që izolimi i saj të thellohet. Sanksionet do të zgjerohen, dhe pasojat mbi ekonominë e Rusisë, si dhe pozicionin e saj në botë, vetëm do të rëndohen”. Që atëherë, SHBA dhe Europa nuk kanë bërë pothuajse asgjë për ta bërë Putinin të besojë që këto fjalë mund të jenë dicka më shumë se sa një vijë e kuqe e pakuptimtë.

Leave a Reply

Back to top button