Covid19

Skoci, sistemi i paralajmërimit të hershëm për të shmangur bllokimet e Covid-19

Shkencëtarët po zhvillojnë një sistem paralajmërimi të hershëm mbi koronavirusin, që mund të parandalojë bllokimet në të ardhmen, përmes kombinimit të të dhënave mbi vaksinimet me testimin e ujërave të ndotura.

Projekti do të parashikojë më mirë trajektoren e pandemisë së Covid-19, duke u dhënë mundësi ekspertët që të identifikojnë që herët vatrat e nxehta të mundshme, të parashikojnë nivelin e ngarkesës në spitale dhe repartet e terapisë intensive,dhe të krijojnë një qasje më të përqendruar tek vaksinat anti-Covid.

Pavarësisht nga suksesi i shpërndarjes së vaksinave,por edhe të dhënave të hershme që sugjerojnë se ato e parandalojnë transmetimin, ekspertët thonë se sisteme të tilla janë ende të nevojshme. Variantet e reja mbeten një rrezik, dhe një rritje e rasteve të gripit, e kombinuar me Covid-19, mund të vendosë nën presion dimrin e ardhshëm çdo sistem spitalor në Britani.

Projekti i ri është një partneritet midis Universiteteve të Edinburgut, Gllasgout dhe Stërlingut, Agjencisë Skoceze të Mbrojtjes së Mjedisit (SEPA), dhe “Scotish Water” (kompania e ujësjellës-kanalizimeve), që financohet nga Këshilli i Kërkimeve Ekonomike dhe Sociale (ESRC).

Ai do të përdorë të dhëna nga autoriteti i Shëndetit Publik në Skoci, që ofron informacione të menjëhershme mbi marrjen e vaksinave, testimin e Covid-19 dhe numrin e rasteve, të ndara sipas zonave të veçanta në Skoci.

Programi i monitorimit të ujërave të ndotura të drejtuara nga SEPA dhe “Scottish Water”,  identifikon momentin kur materiali gjenetik ikoronavirusit është i pranishëm tek ujërat e zeza. Ndërsa këto “fragmente gjenetike”, nuk përbëjnë ndonjë rrezik të njohur për infektimin e njerëzve me Covid-19, është e mundur lidhja e këtyre rezultateve me zona të veçanta, për të kuptuar se ku po shtohen apo pakësohen infeksionet, duke e ndihmuar kësisoj Skocinë që të kuptojë prevalencën dhe shpërndarjen e virusit.

Ekipi i Universitetit të Edinburgut, do t`i përdorë këto të dhëna në kohë reale, për të përshtatur modelet e tyre ekzistuese të përhapjes së Covid-19, dhe për të përmirësuar parashikimet afatshkurtra dhe ato afatmesme. Modelet e përditësuara, mund të përdoren për të vlerësuar strategji të ndryshme me synim kontrollimin e shpërthimeve të reja epidemike të Covid-19, pa pasur nevojë për vendosjen e bllokimeve të mëtejshme.

Ekspertët thonë se do të jenë të mundshme edhe parashikimet afatgjata,pasi ka gjithnjë e më shumë të dhëna të disponueshme për imunitetin natyral të shkaktuar nga vaksinat, mbi humbjen e imunitetit, dhe zonat se ku shkalla e vaksinimit ka qenë e ulët.

“Ndërsa të gjithë shpresojmë për zhdukjen e Covid-19 këtë verë, një skenar më realist është që të gjejmë mënyra për të menaxhuar shpërthimet e rregullta epidemike të lokalizuara. Ndërkohë, mbajtja nën kontroll e vatrave të reja, mund të jenë thelbësore për të shmangur bllokimet e mëtejshme”- thotë Profesor Rouland Kao, studiues kryesor i Instituti Roslin në Universiteti i Edinburgut. / MedicalXPress – Bota.al

Back to top button