Covid19

Studimi: Asnjë efekt shëndetësor serioz, nuk ka lidhje me vaksinat mARN kundër Covid-19

Një studim që kombinoi të dhënat shëndetësore të 6.2 milion pacientëve nuk zbuloi asnjë efekt shëndetësor serioze që mund të lidhej me vaksinat 2 vaksinat mRNA që përdoren kundër Covid-19.

Studimi i botuar në revistën shkencore “JAMA” raportoi gjetjet e para gjithëpërfshirëse të Bazës së të Dhënave të Sigurisë së Vaksinave (VSD), e cila studion të dhënat e 12 milion njerëzve në 5 rajone “Kaiser Permanente” së bashku me Health Partners në Minneapolis, Klinikën Marshfilld në Uiskonsin dhe Denver Health.

“Këto rezultate janë siguruese”- thotë autori kryesor i studimit Nikola Klein, drejtor i Qendrës së Studimit të Vaksinave “Kaiser Permanente”. “Bota po mbështetet tani në vaksina të sigurta dhe efektive për t’i dhënë fund pandemisë sëCovid-19”-thekson ai.

Studimi raportoi gjetje nga mesi i dhjetorit 2020 deri më 26 qershor 2021. Analizat krahasuan ngjarje të veçanta shëndetësore në mesin e të gjithë njerëzve të vaksinuar me vaksinat anti-Covid mRNA gjatë 3 javëve të para pas vaksinimit me ngjarjet shëndetësore midis llojeve të ngjashme të pacientëve, gjatë 3-6 javëve pas vaksinimit me vaksinat m-ARN.

Numri i përgjithshëm i njerëzve të vlerësuar ishte 6.2 milion për dozën e parë të secilës vaksinë mRNA, dhe 5.7 milion për dozën e dytë. Studiuesit ekzaminuan 23 efekte të mundshme shëndetësore, të cilat ishin përfshirë në studimet e mëparshme të vaksinave, dhe që u vunë re edhe gjatë provave klinike të Covid-19.

Rezultatet e gjurmuara përfshinin çrregullime neurologjike si encefaliti dhe mieliti, dhimbjet e kokës dhe sindroma Guillain-Barré; probleme kardiovaskulare si infarkti akut i miokardit, goditja në tru dhe embolia pulmonare; apo simptoma të tjera si paraliza, apendiciti, anafilaksia dhe sindroma inflamatore multisistemike.

Të dhënat mjekësore të pacientëve u kontrolluan në mënyrë elektronike, dhe analistët bënë rishikime të rezultateve të veçanta shëndetësore për të verifikuar problemin mjekësor, dhe për të vlerësuar nëse ai filloi para apo pas vaksinimit.

Studiuesit kryen analiza statistikore për të përcaktuar nëse numri i incidenteve ishte mbi një prag të caktuar, apo një “sinjal”. Ata arritën në përfundimin se asnjë nga rezultatet e synuara shëndetësore, nuk arriti të ishte në nivelin e një sinjali, edhe pse për disa rezultate gjetjet ishin më pak të sakta për shkak të numrit të vogël të rasteve.

Autorët thanë se mbikëqyrja e sigurisë së vaksinave është në vazhdim, dhe kjo do të rrisë saktësinë e vlerësimeve për ato rezultate. Autorët e studimit e vunë theksin në gjetjet e tyre në lidhje me rastet e miokarditit të konfirmuar dhe perikarditit tek të rinjtë, meqë kjo është shndërruar në një problem shqetësues.

Studimi identifikoi 34 raste të tilla tek pacientët 12-39 vjeç; 85 për qind e tyre ishin meshkuj dhe 82 për qind të shtruar në spital, dhe gati të gjithë u shëruan deri në kohën kur u bë rishikimi i të dhënave. Autorët llogaritën se në mesin e pacientëve 12-39 vjeç, ekziston rreziku i 6.3 rasteve shtesë me miokarditit për 1 milion doza të administruara gjatë javës së parë pas vaksinimit.

Studime të tjera kanë llogaritur një rrezik shumë më të lartë të miokarditit nga Covid-19 sesa nga vaksinat mARN.“Rezultatet e këtij studimi, janë një shembull i shkëlqyeshëm se sa seriozisht e merr CDC sigurinë e vaksinave dhe se sa transparentë jemi ne në përpjekjet tona për monitorimin e sigurisë së tyre”- thotë Tom Shimabukuro,drejtues i sigurisë së vaksinave për përgjigjen ndaj COVID-19 dhe zv/drejtor i Zyrës së Sigurisë së Imunizimit në Qendrën për Kontrollin dhe Luftën kundër Sëmundjeve Infektive në SHBA. / MedicalXPress – Bota.al

Back to top button