Analiza

Të tradhëtuar nga Obama

Obama

Në vitin 2009 kishte premtuar një botë pa armë bërthamore. Por më pas nuk ka pasur kurajën për të zbatuar një plan të vërtetë për çarmatimin

James Carroll

Një ditë do të kujtohemi për këtë periudhë. Atë të kalimit nga shpresa tek dështimi, periudha në të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë futur botën në një rrugë qorre të shkatërrimit bërthamor. Dikur besonim se ekzistonte një rrugë tjetër, një rrugë tjetër që qemë ftuar ta përshkonim nga i njëjti njeri që sot po e mbyll. Qe një prej diskutimeve më entuziazmuese të shqiptuara ndonjëherë

nga një President amerikan. Ndodheshim në Pragë, me 5 prill të 2009, dhe Barack Obama sapo kishte bërë betimin e tij si President. Sot ia vlen barra qiranë që të kujtohet premtimi që bëri atë ditë, edhe pse tashmë duket se ka përfunduar në harresë. “Si fuqia e vetme që kemi përdorur bombën atomike, Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësinë morale të veprojnë. Për këtë arsye, unë shpall sot me qartësi dhe me bindje impenjimin e Amerikës për të ndjekur paqen dhe sigurinë e një bote pa armë atomike. Nuk jam naiv, por e di mirë se ku objektiv nuk do të jetë i arritshëm brenda një periudhe afatshkurtër dhe ndoshta nuk do të jetoj sa duhet për ta parë kompletimin

e misionit. Por sot duhet t’i injorojmë zërat që na thonë se bota nuk mund të ndryshojë”.
Obama kishte hyrë në Shtëpinë e Bardhë vetëm tri muaj më parë, por me kurajo kërkonte paqen në skenën botërore, duke impenjuar vetveten dhe vendin e tij në mënyrë të paekuivokueshme të mbështeste një lëvizje çarmatimi nga armët bërthamore që deri më atëhere kishte ekzistuar vetëm në periferinë ekstreme e pushtetit politik. “E di mirë se disa njerëz do të dyshonin në një projekt kaq ambicioz. Disa njerëz nuk besojnë në një bashkëpunim real ndërkombëtar dhe mendojnë se nuk ia vlen barra qiranë që të vendoset një objektiv

dukshëm i paarritshëm. Por mos e lini veten të mashtroheni, e dimë shumë mirë se ku çon kjo rrugë”.
Një vit pas diskutimit të Obamës, Departamenti i Mbrojtjes përqafonte pozicionin e Presidentit, duke u impenjuar të kryejë “një përpjekje multilaterale për të kufizuar, reduktuar dhe, në fund, eliminuar të gjitha armët atomike të botës”. “Shtetet e Bashkuara”, lexohej në një dokument të Pentagonit, “nuk do të zhvillojnë testata bërthamore të reja”. Lidhur me të ardhmen e arsenalit bërthamor parashikohej lindja e një programi mirëmbajtjeje të përgjegjshëm, por hapi parë dukej i bërë. “Në programet e mirëmbajtjes të arsenalit tonë bërthamor do

të përdorim vetëm komponente bërthamore të bazuara mbi projekte të testuara më parë dhe nuk do të mbështesin as misione ushtarake të reja, as nuk do të furnizojmë kompetenca ushtarake të reja”.

Pakti me djallin
Në vitin 2009 tempizmi i Obamës ishte i përkryer. Armët dhe sistemet e transportimit të testatave bërthamore po plakeshin me shpejtësi. Shumë raketa, testata, bombardues dhe nëndetëse bërthamore i përkisnin fillimit të Luftës së Ftohtë dhe po i afroheshin dekadencës radioaktive. Obama duhej të niste një reduktim domethënës të arsenalit përpara se

t’i dorëzohej presionit për shpalljen e një programi zëvendësimi të sistemeve të vjetruara. Një iniciativë e kësaj natyre do të kontribuonte në nisjen e një gare të re bërthamore në të gjithë botën. Saktësisht e kundërta e “masave efikase në drejtim të çarmatimit bërthamor”.

Me fjalë të tjera, Obama kishte një mundësi të madhe me një skadencë apokaliptike tek dera. Por në fund ngjarjet kanë fituar epërsinë: Vladimir Putin është afirmuar si një lider autoritar dhe i etur për t’i rikthyer Rusisë statusin e saj prej fuqie të madhe dhe republikanët kanë marrë peng Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Në këtë pikë synimet paqësore me të cilat Obama kishte filluar

presidencën e tij janë flakur tek. Në një artikull të botuar në muajin nëntor William J. Broad, gazetar shkencor i “New York Times”, ka nënvizuar dështimin dramatik e politikës bërthamore të Presidentit Obama. Shkurtimet në rezervat bërthamore e nisura nga presidentët George Bush e George W. Bush kanë çuar në eliminimin e 14801 testatave bërthamore. Deri më tani, Obama ka arritur të eliminojë deri në 507 të tilla. New Start, marrëveshja e nënshkruar nga Moska dhe Uashingtoni në 2010, parashikonte një tavan maksimal prej 1500 testatash të dislokuara. Në tetor të 2014, Shtetet e Bashkuara posedonin 1642 të tilla, kundrejt 1643 të Rusisë.

Asnjë prej të dyja vendeve nuk e ka arritur objektivin e fiksuar nga traktati i mësipërm, që veç të tjerash mban llogari vetëm për testatat e dislokuara (duke llogaritur të gjitha ato operative, arsenali amerikan shkon në 4800 testata). Për të siguruar votat e Senatit dhe ratifikuar traktati, Obama ka lidhur atë që më pas kë rezultuar një pakt me djallin. Ka pranuar që të hidhen bazat për një “modernizim” të gjerë të arsenalit bërthamor amerikan, që në emër të një azhurnimi të një sistemi të dalëmode, po transformohet tashmë në një riprojektim të plotë të depove të armëve, me një kosto të vlerësuar në mbi 1000 miliard dollarë. Ndërkohë, Marina ka kërkuar 12 nëndetëse

strategjike, ndërsa Aeronautika do një skuadër të re bombarduesish me rreze të gjatë lëvizjeje. Natyrisht, bombarduesit dhe nëndetëset do të jenë të pajisura me raketa të një gjenerate të re.

Ja sërish gara e re e armatimeve. Gjithçka ndërkohë që Putini ndez zemrat e adhuruesve të bërthamores jo vetëm me politikën agresive të tij në Ukrainë, por edhe duke testuar një raketë të re për lëshimin nga toka, duke shkelur kështu traktatin e vitit 1987 lidhur me armët bërthamore me rreze të mesme. Në vjeshtën e vitit 2014, Rusia ka prezantuar një raketë ndërkontinentale të re. Me sa duket, Moska do të modernizojë arsenalin e saj. Duke ju

përgjigjur propozimit të Obamës për çarmatimin bërthamor, në vitin 2010 drejtuesit e Pentagonit kishin nisur një debat serioz lidhur me iniciativat e nevojshme për të reduktuar arsenalin atomik dhe disa ekspertë kishin propozuar braktisjen e doktrinës bërthamore të përpunuar gjatë Luftës së Ftohtë, që parashikonte krijimin e arsenaleve me mijëra testata bërthamore.

Sipas disa ekspertëve të sigurisë kombëtare, Shtetet e Bashkuar do të kishin mundur të modifikonin lehtësisht strategjinë e tyre duke zgjedhur të paktën një linjë të bazuar mbi “dekurajimin minimal”. Një ndryshim i kësaj natyre do të mund të lejonte të

reduktoheshin testatat në një total prej 500 copësh. Edhe sikur ky objektiv të ishte ndjekur në mënyrë unilaterale, Uashingtoni gjithsesi do të kishte pasur një arsenal të mjaftueshëm për të dekurajuar çdo aventurë ushtarake të një vendi tjetër, përfshi Rusinë. Gjithsesi, 500 janë shumë më tepër sesa zero, kështu që do të ishim larg nga objektivi i propozuar prej Presidentit Obama në 2009. Veç kësaj, një reduktim i kësaj natyre do ta haste megjithatë në një kundërshtim mizor në Uashington. Çarmatimi i mijëra testatave bërthamore do të kushtonte shumë më pak sesa zëvendësimi i tyre, por do të ishte gjithsesi një proces i kushtueshëm. Dhe mbështetësit e bërthamores të Pentagonit do

të gjenin aleatë midis republikanëve të Kongresit të neveritur nga ideja e financimit të çarmatimit, ndërsa lobuesit e industrisë ushtarake do t’i zhvishnin menjëherë shpatat e tyre.

Shembulli i mirë
Por nëse në vitin 2009 Obama ka qenë i aftë që të propozojë një botë pa armë bërthamore, atëhere pse sot nuk mund të shtyjë më drejt çarmatimit? Për momentin, asgjë nuk të bën të mendosh se ka qëllim që ta bëjë një gjë të tillë, por mbetet fakti që nëse Komandanti i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara do të urdhëronte një reduktim konsistent të testatave bërthamore, do ta

transformonte vetëdijen politike amerikane, duke ringjallur ëndrrën e një botë të lirë nga armët atomike. Dhe kjo mund t’i bindë shtetet jobërthamore (përfshi Iranin) që të qëndrojnë larg nga belatë e armëve atomike. E folura sërish për reduktimin e armatimeve dhe shkatërrimin konkret të testatave bërthamore mund t’i rihapte rrugën çarmatimit dhe t’i mundësonte një Presidenti tjetër që ta përshkonte.

Fatkeqësisht, në Pentagon mbështetësit e “dekurajimit minimal” janë mundur dhe Obama nuk duket optimist si një herë e një kohë. Sigurisht, sapo të lërë detyrën, ish Presidenti Obama do ta rizbulojë impenjimin e tij për një botë të lirë nga makthi

bërthamor dhe do të ndjejë përgjegjësinë e një qytetari “të fuqisë së vetme bërthamore që e ka përdorur ndonjëherë bombën atomike”. Diskutimet e tij do të jenë entuziazmues dhe do ta pushtojnë opinionin publik, por do të jetë e gjitha kot. Për shkak të vendimeve që sipas të gjitha gjasave do të merren në dy vitet e ardhshme, asnjë President i Shteteve të Bashkuara nuk do ta ketë mundësinë që ka pasur Obama. Armët atomike do të bëhen një pjesë e pranuar dhe e përhershme e arsenalit amerikan dhe d të shënojnë të ardhmen e qytetërimit.

(James Carroll për Tom Dispatch) PërgatitiL: ARMIN TIRANA/Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button