Analiza

Terrorizmi si teatër

Robert Kaplan

Mirëseardhët në epokën e masmedias. Ju mendoni se masmedia ishte vetëm gazetarë televizivë të mërzitshëm dhe nikoqirë programesh që ndërpresin të ftuarit në kabllor. Por ashtu si Lufta e Parë Botërore qe e ndryshme nga lufta franko – prusiane, sepse midis tyre ndodhi kulmimi i Epokës Industriale dhe, për pasojë, mundësia e vrasjes në shkallë industriale, luftërat e shekullit të 21-të do të jenë të ndryshme nga ato të shekullit të 20-të për shkak të kulmimit të etapës së parë të Epokës së Informacionit, me të gjitha degëzimet vizuale të saj

terror

Kokëprerja e gazetarit amerikan James Foley nga ISIS-i qe shumë më tepër se një aferë, njëherazi mizore dhe tragjike: në fakt, ajo qe një produksion filmi i sofistikuar dhe profesional, i mbushur qëllimisht me simbole të fuqishme. Foley ishte i veshur me një uniformë portokalli që të kujtonte të burgosurit myslimanë që mbahen nga Shtetet e Bashkuara në Guantanamo Bay. Ai e bëri rrëfimin e tij forcërisht, sikur të ishte i përgatitur mirë. Ekzekutuesi i tij, i maskuar dhe i veshur me të zeza, bëri një deklarim njëlloj të gjatë me një theks britanik të qetë, sërish, sikur të ishte përgatitur mirë. Ishte sikur vrasja ishte dytësore, krahasuar me mesazhin që po jepej.
Me fjalë të tjera, vrasja bëhet thjesht parakushti për të dërguar mesazhin. Siç më kanë thënë ekspertët, ka shumë mënyra të dhimbshme për t’i transmetuar dikujt nëqoftëse realisht e urreni viktimën dhe doni që ajo të vuajë. Ju mund ta digjni të gjallë, mund ta torturoni, por kokëprerja, nga ana tjetër, e bën viktimën që ta humbë vetëdijen brenda pak sekondash sapo një arterie e madhe pritet në qafë, thonë ekspertët. Prandaj kokëprerja është metoda më e mirë në aspektin e një videoje vizualisht dramatike, sepse mund të shikoni kokën të varet mbi gjoks në fund. Përdorimi i një thike të shkurtër, si në këtë rast, më shumë sesa i një shpate, e bën gjithashtu ngjarjen më drithëruese dhe më intime. Vërtet, nuk dua të jem mizor, indiferent apo vulgar. Vetëm po them se pa mundësinë e xhirimit të ngjarjes, nuk do të kishte asnjë motiv në radhë të parë për ta ekzekutuar dikë në një mënyrë të tillë.
Në prodhimin e një doku – drame në mënyrën e tij të deformuar, ISIS-i po dërgon mesazhet e mëposhtme:
Ne nuk luajmë sipas rregullave tuaja. Nuk ka asnjë limit në atë që jemi të gatshëm të bëjmë.
Keqtrajtimi nga ana e Amerikës i të burgosurve myslimanë në Guantanamo Bay vjen me një “faturë”, për të cekur një shprehje të adoptuar kohët e fundit për vrasje shpagimi. Në fund të fundit, ne jemi shtet. Ne kemi luftëtarët tanë armiq siç mund ta shikoni nga video dhe mënyrë tonë për t’u ndeshur me ta.
Vetëm pse nuk i përmbahemi asnjë lloj limiti, kjo nuk do të thotë se na mungon sofistikimi. Në mund të jemi po aq të sofistikuar sa ju në Perëndim. Vetëm dëgjoni theksin britanik të ekzekutuesit tonë. Edhe ne mund të prodhojmë një film shumë të shkurtër sipas standardeve të Hollywood.
Ne nuk jemi si baronët e drogës në Meksikë që rregullisht presion koka njerëzish dhe më pas i postojnë këto video në internet. Baronët e drogës transmetojnë vetëm një mesazh publik, të konceptuar për të frikësuar vetëm ata njerëz që ndodhen brenda zonës së kontrollit të tyre. Kjo është arsyeja se pse bota në tërësi u kushton vëmendje të pakët atyre; në fakt, bota vështirë se ka ndonjë dijeni për ta. Në kontrast me ta, ne të ISIS-it po transmetojmë një metamesazh global dhe mesazhi është ky: Ne duam që t’u shkatërrojmë të gjithëve ju në Amerikë, të gjithëve ju në Perëndim dhe cilindo në botën myslimane që nuk e pranon versionin tonë të islamit.
Ne do të triumfojmë sepse absolutisht nuk i përmbahemi është lloj kufizimi. Kjo sepse vetëm ne kemi akses tek e vërteta se gjithçka po bëjmë është e sanksionuar nga Zoti.
Mirëseardhët në epokën e masmedias. Ju mendoni se masmedia ishte vetëm gazetarë televizivë të mërzitshëm dhe nikoqirë programesh që ndërpresin të ftuarit në kabllor. Por ashtu si Lufta e Parë Botërore qe e ndryshme nga lufta franko – prusiane, sepse midis tyre ndodhi kulmimi i Epokës Industriale dhe, për pasojë, mundësia e vrasjes në shkallë industriale, luftërat e shekullit të 21-të do të jenë të ndryshme nga ato të shekullit të 20-të për shkak të kulmimit të etapës së parë të Epokës së Informacionit, me të gjitha degëzimet vizuale të saj.
Pasioni, besimi i thellë, protestat politike e kështu me radhë kanë pak kuptim në ditët tona nëqoftëse nuk mund të transmetohen. Në mënyrë të ngjashme, tortura dhe vdekja mizore duhet t’i komunikohet një numri të madh njerëzish nëqoftëse do duhet të jetë efikase. Teknologjia, që miliarderët nerdë të Silicon Valley dhe Pacific Northwest pretendojnë se na kanë çliruar me format e reja të vetëshprehurit, gjithashtu na kanë kthyer prapa në llojet më të këqija të barbarizmit. Teknologjia komunikuese është me vlerë neutrale, nuk ka asnjë çmim moral thelbësor, edhe pse herëpasëhere mund të inkurajojë format më të shëmtuara të ekzibicionizmit: domethënë, ekzekutimin e Foley.
Jemi kthyer në një botë teatri mesjetar, në të cilën audience është globale. Kur aktorët janë të përgatitur mjaft mirë, teatri mund të jetë midis formave më të fuqishme dhe më treguese të artit. Dhe asgjë në teatër nuk funksionon aq shumë sa simbolet të cilat i manipulon skenaristi. Të marra së bashku, një thikë e shkurtër, një uniformë portokalli si ajo e Guantanamos, një ekzekutues i veshur në të zeza me një theks britanik në zemrën e Lindjes së Mesme janë simbole të forcës, sofistikimit dhe shpagimit, tregojmë që ne jemi këtu. A jeni të aftë ju në Amerikë të na mundni?
Është thënë se vrasja e Car Nikollës së II-të dhe familjes së tij në 1918 në Ekaterinburg nga qeveria e Leninit qe një krim i rëndësishëm: sepse nëqoftëse bolshevikët qenë të gatshëm që të ekzekutonin jo vetëm Carin, por edhe gruan dhe fëmijët e tij, ata qenë gjithashtu të aftë që të vrisnin në masë. Në të vërtetë, ky krim u parapriu tmerreve në vazhdim të sundimit Bolshevik. E njëjta gjë mund të thuhet për vrasjen në vitin 1957 e Mbretit iraken Faisali i II-të dhe i familjes dhe shërbëtorëve të tij nga puçistë ushtarakë dhe masakrimi pasues i trupit të Kryeministrit iraken Nuri Said nga një turmë banorësh të Bagdadit – ngjarjë që u paraprinë dekadave të sundimit gjithnjë e më totalitar, të kulmuara në atë të Saddam Hussein. Vrasja teatrale e James Foley mund t’u duket si e veçantë disave; ka shumë të ngjarë, ajo u paraprin diçkaje vërtet të tmerrshme që po shpaloset në Lindjen e Mesme pasmoderne.
Të kuptohemi, sa më i keq kaosi, aq më ekstreme ideologjia që del prej tij. Diçka ka dalë tashmë nga kaosi i Sirisë dhe Irakut, edhe pse Libia dhe Jemeni, gjithashtu në kaos, mund të jenë duke pritur versionet e tyre të ISIS-it. Dhe, mbi të gjitha, kujtoni se videoja e komunikuar qe fakti që këta njerëz janë vërtet të aftë për gjithçka. /Stratfor/
Përgatiti për bota.al
ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button