LetersiMAIN

Tetë fakte që ndoshta nuk i dini mbi Fjodor Dostojevskin

11 Nëntori shënoi 200-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh rus Fjodor Dostojevskit. Ai lindi në Moskë më 11 nëntor 1821 dhe vdiq në Shën Petersburg më 9 shkurt 1881. Me këtë rast ju ftojmë të lexoni 8 kuriozitete për një nga veprat e tij më të mëdha “Krim dhe ndëshkim”, por jo vetëm.

Vepra më e njohur

Historia dramatike e Rodion Raskolnikov është e njohur për shumicën e njerëzve. Një i ri nga Shën Petersburgu, kryen një vrasje të tmerrshme, dhe më pas përjeton pasojat e veprimeve të tij në nivel emocional, psikologjik dhe shpirtëror.

Dostojevski e shkroi këtë roman kur banonte në qytetin e Shën Petersburgut në vitin 1866, dhe bashkë me romanin voluminoz“Lufta dhe Paqja”të Leon Tolstoi, është një nga veprat ruse më me ndikim të të gjitha kohërave.

Dostojevski ishte ushtar

Babai i Dostojevskit ishte një mjek autoritar, që sillej vrazhdë me të birin. Në vitin 1838 ai e detyroi që të ndiqte studimet e inxhinierisë ushtarake, edhe pse interesat e tij u fokusuan menjëherë tek shkencat humane. Më vitin 1843 Fjodori u diplomua në atë shkollë, por pas vetëm 1 viti, ai e braktisi shërbimin ushtarak për t’iu përkushtuar letërsisë.

“Njerëz të varfër”

Libri i tij i parë “Povera gente”, tregon historinë e dashurisë mes dy të rinjve të varfër, të cilët përmes një shkëmbimi letrash përshkruajnë gjendjen e tyre të mjerueshme dhe të palumtur. Romani i botuar në vitin 1846 pati menjëherë vlerësime të mëdha, veçanërisht nga kritikë të njohur si Belinski dhe Nekrasov, të cilët vlerësuan aftësinë e tij për të përshkruar vuajtjet e njeriut të vetmuar dhe të degraduar.

Burimi i frymëzimit për romanin “Krim dhe ndëshkim”

Burimi i frymëzimit për shkrimin e kësaj vepre ishte përvoja e kaluar në një kamp të punës së detyruar. Jeta e tij u shenjua veçanërisht nga një episod. Gjatë burgimit, Dostojevski u dënua me pushkatim dhe vetëm kur ishte gati të pushkatohej, ushtarët u njoftuan se dënimi i tij ishte zbutur. Ajo ishte një vuajtje aq e madhe shpirtërore, saqë nxiti reflektime të thella mbi dënimin me vdekje, të përfshira në “Krim dhe ndëshkim”.

Rrëfimet në vetën e parë

Në fillim ngjarjet në“Krim dhe ndëshkim” rrëfehen në vetën e parë, si të ishte një dëshmi vetjake e autorit. Vetëm më vonë u kalua në një narrativë të përgjithshme, që e lejon lexuesin të zhytet në gjendjen psikologjike të rënduar të protagonistit të romanit.

Pati shpesh probleme me paratë

I riu Raskolnikov nuk ishte i vetmi që kishte probleme financiare. Vetë Dostojevski e jetoi një pjesë të mirë të jetës së tij i zhytur në borxhe për shkak të lojërave të fatit.

Kuptimi i emrit

Emri Raskol’nikov ka një kuptim të saktë. Raskol është sinonim i termit“skizmë”, dhe është një referencë për ndarjen që ndodhi në Kishën Ortodokse Ruse në shekullin XVII-të. Emri mund të jetë edhe një referencë për ndarjen e shpirtit të protagonistit.

Dënimi i lehtë

Gjatë shekullit XIX, ishte e zakonshme që të dënuarit t’i nënshtroheshin ndëshkimeve trupore, madje shumë të dhunshme, për krimet më të rënda. Në kohën që Dostojevski shkroi romanin e tij, dënimi më i shpeshtë ishte internimi për disa vite në Siberi. Raskolkinov dënohet vetëm me 8 vjet, ndoshta për shkak se vuante nga një “krizë mendore anormale”.

Kritikat ndaj veprës

“Krimi dhe ndëshkimi” u botua fillimisht pjesë-pjesë në një revistë letrare, dhe pati menjëherë një tirazh të madh. Megjithatë kritikat nuk ishin që të gjitha pozitive. Disa njerëz, veçanërisht studentët me pikëpamje politike radikale, pretendonin se romani nxiste tek njerëzit prirje për të kryer vrasje. / Libreriamo – Bota.al

Back to top button