Shendeti

Tromboza venoze dhe faktorët e riskut. Merrni masa për ta shmangur secilin faktor

Tromboza venoze është procesi i formimit të një trombi në kushte dhe madhësi jonormale në një venë të thellë, kryesisht në venat e thella të gjymtyrëve të poshtme, në të cilat qëndron më gjatë gjaku venoz përpara se të kthehet në zemër. Trombet formohen nga pllakëzat e gjakut, të cilat në kushte normale na mbrojnë në rastet e dëmtimeve të enëve të gjakut, duke nisur procesin e koagulimit, në mënyrë që të shmangin progresin e hemorragjisë, Ndërsa tromboza është patologjike, pasi trombi mund të formohet edhe në kushtet kur nuk dëmtohen enët e gjakut, si dhe madhësia e tij është jonormale. Trombi në trombozën venoze formohet me ritme progresive dhe ka tendencë të lartë për t’u shkëputur dhe duke udhëtuar me rrymën e gjakut, dy organet më të prekura prej tij, bëhen mushkëria dhe truri. Duke qarkulluar me gjakun venoz, trombet mund të ngecin në ndonjë prej degëzimeve të arteries pulmonare duke dhënë gjendjen e tromboembolisë pulmonare, ose t’i shpëtojnë mushkërisë e ngjiten me gjakun arterial drejt trurit, duke dhënë trombozën cerebrale. Të dyja gjendjet janë tepër të rënda dhe jetëkërcënuese. Por cilët janë faktorët e riskut, në mënyrë që të shmanget tromboza venoze?

  1. Mosha. Kalimi i viteve favorizon formimin e trombeve dhe procesin e trombozës venoze.
  2. Mungesa e aktivitetit fizik, apo qëndrimi shtrirë gjatë një jete sedentare, të cilat zgjasin kohën e qëndrimit të gjakut në vena dhe shtojnë riskun e formimit të trombeve, pasi staza venoze është një nga elementët e triadës së Virchovit që favorizojnë trombozën.
  3. Gjendjet e hiperkoagulabilitetit, gjendje këto që shpesh janë të lindura, pra në mënyrë të trashëguar nga paraardhësit tanë, dhe që nxisin në mënyrë të ekzagjeruar procesin e koagulit të gjakut, edhe në kushte krejtësisht normale.
  4. Marrja e kontraceptivëve oralë. Mendohet se përdorimi i kontraceptivëve oralë, sidomos nga femrat e reja, shton riskun për formimin e trombozës venoze.
  5. Operacionet, apo traumat. Operacionet e hapura abdominale, ortopedike, apo frakturat e ndryshme, shpesh shoqërohen edhe me dëmtime të enëve të gjakut, të cilat për të ruajtur integritetin e tyre, nisin kaskadën e koagulimit të gjakut.
  6. Shtatzënia dhe abortet. Gjatë shtatzënisë kemi shtypje të enëve të gjakut nga prania e fetusit brenda në mitër. Kjo shtypje e enëve të gjakut favorizon stazën venoze dhe fillimin e procesit të koagulimit. Ndërsa gjatë aborteve, kemi dëmtim të drejtpërdrejtë të enëve të gjakut me një risk akoma më të lartë për gjendje të hiperkoagulimit dhe të trombozës.

Leave a Reply

Back to top button