Magazine

Ubasute, braktisja e të moshuarve japonezë nëpër pyje, legjendë apo fakt historik?

Legjenda i ka fillesat në periudhat e vështira të zisë së bukës, ku familjet japoneze detyroheshin të braktisnin të moshuarit e tyre në pyll. Ja se çfarë ka ndodhur – nëse realisht është e vërtetë

screen-shot-2016-11-23-at-15-33-57

Praktika e Ubasute-s shënon një periudhë të errët në historinë e Japonisë, por a ka ndodhur realisht? Rrënjët e supozuara të saj shkojnë shumë pas në kohë, në të shkuarën e largët të Japonisë, dhe ngjarjet që ajo përshkruan janë sa mizore aq edhe trishtuese. I përkthyer fjalë për fjalë si “të braktisësh një grua të moshuar”, legjenda flet për familjet që përballeshin me kushte veçanërisht të vështira, të cilat i detyroheshin të ndërmerrnin këtë akt ekstrem, duke bërë që bijtë të çonin nënat e tyre të moshuara në majën e një mali dhe t’i braktisnin aty, duke i lënë ato gra të brishta të vdisnin nga uria, në një përpjekje të dëshpëruar për të shkurtuar shpenzimet gjatë periudhës së zisë së bukës. Ndërsa shumëkush beson se dëshmitë e këtyre praktikave janë krejtësisht të rreme, ka të tjerë që thonë se Ubasute ndikoi në krijimin e pyjeve famëkeqë të vetëvrasjeve në Japoni, të cilat vetëm sa i shtojnë velin legjendar kësaj praktike të lashtë.

Origjina e Ubasute-s

Nëse argëtohemi me idenë se këto legjenda janë të vërteta, miti i Ubasute-s vijon si më poshtë. Mbizotërimi i kësaj praktike, i përgjigjej direkt kushteve të nivelit ekonomik të një zone të caktuar, ku vitet e thatësirës apo zia e bukës do të zhysnin në mjerim shumë familje japoneze. Nëse si rezultat i shirave të jashtëzakonisht të pakët apo të shumtë, insekteve që shfarosnin të mbjellat, apo shkatërrimet në bujqësi si pasojë e shpërthimeve vullkanike – si ajo e Malit Asama në vitin 1783, që do të shënonte fillimin e zisë së madhe të Tenmeit – nuk ishte krejtësisht e pazakontë që prodhimi bujqësor të rrudhej ndjeshëm, duke çuar në periudha vuajtjesh të padurueshme, që asnjë komb nuk do të donte ndonjëherë t’i ripërjetonte.

Me racionet e pakta ushqimore dhe gojët e shumta për t’u ushqyer, kushtet mjerane i detyruan familjet japoneze të marrin masa ekstreme për të siguruar mbijetesën. Dhe sipas folklorit, kjo është pikërisht mënyra se si vepruan. Duke kufizuar numrin e gojëve për t’u ushqyer, me racionet tashmë të pakta të ushqimit, mundet të shtyhej edhe më tej. Për fatin e keq të pleqve të familjes, të cilët s’mund të punonin apo kujdeseshin për veten e tyre, termi “peshë e vdekur” do të merrte një kuptim të mirëfilltë, duke e bërë largimin e tyre zgjedhjen më praktike në ato kushte.

Praktika

Sado e pabesueshme që mund të duket, janë detajet ato që e bëjnë aq bindëse legjendën e Ubasute-s. Fillimisht, një familje do të zgjidhte një të moshuar, zakonisht një grua për ta “dëbuar” nga shtëpia. Duke e mbajtur mbi shpinë, djali i gruas plakë do të ecte deri në majën e një mali, ndërsa këpuste rrugës degë të vogla pemesh dhe i hidhte përtokë, për të gjetur rrugën e kthimit.

Pasi mbërrinin majën, djali do ta linte aty nënën e tij dhe fillonte zbritjen. Gruaja e moshuar nuk do të bënte asgjë më shumë se sa të priste vetëm natë pas nate, deri sa të vdiste për shkak të urisë, dehidratimit, apo hipotermisë, apo një kombinimi veçantërisht të tmerrshëm që përfshinte të gjitha elementët e mësipërm. Jo të gjitha legjendat flisnin për gra të moshuara që çoheshin në majat e maleve; disa familje prireshin të braktisin të dashurit e tyre brenda një zone tejet të pyllëzuar.

Dhe kjo për shkak se objektivi kryesor ishte vendosja e të moshuarës në një vend ku ushqimi, strehimi dhe kontakti njerëzor të ishte sa më i rrallë në mos i pamundur, dhe më në fund do të garantonte vdekjen e sigurtë – ndonëse një fund të ngadaltë dhe të dhimbshëm. Disa madje spekulojnë se famëkeqi “Pylli i Vetëvrasjeve” Aokigahara, i cili qëndron në këmbët e malit Fuxhi, ka shërbyer si një vend braktisjeje Ubasute.

Pavarësisht hollësive të shumta pas kësaj legjende, nuk ekzistojnë prova reale që konfirmojnë ekzistencën e Ubasute-s – më së paku jo një praktikë apo traditë e zakonshme apo edhe e pazakontë kulturore.  Megjithatë në vitin 2015, 63-vjeçari japonez Katsuo Kurakava pranoi se kishte kryer pikërisht atë që përshkruan legjenda. Pasi tërmeti dhe cunami i vitit 2011 i shkatërroi shtëpinë e tij në Sanmu, motra e tij 60-vjeçare Saçiko u plagos dhe mbeti me aftësi të kufizuara, duke hasur shumë vështirësi për të ecur vetë. “Ne nuk mund të jetonim në shtëpinë tonë pas katastrofës, dhe motra ime u shndërrua në një barrë”- i tha Kurokava policisë.

Me asnjë vend për të jetuar dhe një motër në nevojë për një kujdes të imtësishëm shëndetësor, i moshuari Kurakava pranoi se i dha të motrës një copë bukë para transportimit të saj në një zonë të largët të prefekturës Çiba, ku e ai braktisi gruan e sëmurë dhe e la të vdesë. Ndonëse e paimagjinueshme për shumë njerëz, Kurakava nuk është personi i vetëm që ka praktuar Ubasute-n, e njohur ndryshe si senicid në shumë vende të botës.

Në fakt, vrasja ceremoniale e pleqve kanë ndodhur në kohë dhe vende të ndryshme, nga romakët e lashtë që i hidhnin në lumin Tiber burrat mbi moshën 60-vjeç, tek praktika indiane e Talaikotalit, një formë e paligjshme por bashkëkohore e eutanazisë së pavullnetshme, ku anëtarët më të rinj të familjes vrasin në mënyrë ceremoniale pjesëtarët më të moshuar. Ashtu si të gjitha format e tjera të senicidit, vështirësitë ekonomike janë ato që kanë diktuar Talaikotalin, edhe pse gati gjysma e të anketuarve e cilësojnë këtë praktikë më shumë si një vrasje për mëshirë, duke i lehtësuar nga vuajtjet prindërit e sëmurë apo ata me aftësi të kufizuara.

Pleqtë japonezë kanë sot një peshë shumë më të ndryshme, se sa mund të sugjerojnë rrëfimet e praktikave Ubasute. Shteti japonez e trajton të moshuarin me një prioritet madhor, dhe në vitin 2000 filloi zbatimi i një sistemi të sigurimit afatgjatë, që i ndihmon familjet japoneze të garantojnë kujdesin më të mirë të mundshëm për të afërmit e tyre të moshuar.

Leave a Reply

Back to top button